28 Dhjetor 2024

Politika grabitqare përballë Kushtetueses

Shkruan: Adil Behramaj

Gomarët, si kafshë që mbahen në vende malore për ngarkesë, e kanë një praktikë të veçantë të funksionimit. Pasi atyre ua ngarkojnë barrën mirë e mirë mbi kurriz, përmes një shkopi të ngulitur në samarë ua vendosin edhe do tufa bari para syve.

“Bari i gomarit”, i thonë pleqtë kësaj taktike, e cila bën që gomarët të ecin tërë ditën edhe nëpër shkretëtirë dhe të mos e dinë ku janë, sepse joshen prej barit që kanë para syve dhe shpresojnë që dikur do të arrijnë ta gëlltisin.

Pra, pos njeriut, edhe gomarët shpresojnë, mirëpo për dallim prej tyre, vetëm njeriu si qenie e privilegjuar është në gjendje t’i perceptojë mundësitë për të jetësuar shpresën e tij. Megjithëse, sidomos në politikë, ka njerëz që aftësinë e tyre për të shpresuar e kanë përtej racionales.

E në një pozitë të tillë, shumë përtej racionales, tashmë janë edhe vet liderët e bllokut opozitar!
Mundësitë për t’u bërë dikush kryeministër nga tabori i humbësve, mund të duken që janë më të mëdha se për kryeparlamentar, por realisht edhe ato janë shumë të vogla. Aq më pak, kur ky dikush e gëzon një gjysmë përkrahjeje të parcializuar të vetëm një rajoni të popullsisë.

Ndonëse, sikur ta merrte këtë barrë lideri i LDK’së, Isa Mustafa, gjasat do të mund të ishin më të mëdha, por kjo do të ishte një barrë shumë e rëndë për të. Akademik, Isa Mustafa, siç i pëlqen ta thërrasin vartësit e tij, nuk e ka as moshën tash për t’u bërë frontmen e pjesë aktive e betejave të ashpra politike dhe nuk mund as të rezistojë shumë gjatë. Me gjasë, këtu akademiku është treguar pak hileqar dhe pasi nuk fitoi, duke e parë të ndezur dëshirën e liderit të AAK’së për t’u bërë kryeministër, e përdori pak dhe e bëri të shpresoj shumë. E Ramushi si Ramushi, kokëfortë e burrë kanuni, që kur turret në diçka është i papërmbajtur dhe nuk ka dreq që e ndalë!

Si rrjedhojë, kjo marrëveshje e tyre, e cila kryekëput ndërlidhet me inate personale dhe me asgjë parimore, sepse PDK’ja është në bashkëqeverisje në shumicën e komunave me këto dy parti, ka shumë të këqija, por pos bllokadës së formimit të institucioneve, personalizimi i betejës së tyre politike me liderin e PDK’së, ka bërë që kjo të personalizohet minimalisht edhe më 166,458 votues të tij.

Nuk po them me votuesit e tërësishëm të PDK’së, sepse ekziston një partneritet relativisht i mirë në qeverisjen lokale dhe një politikëbërje shumë e ashpër ndërmjet vet partive të opozitës. Pra, nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, pos me inatin e tyre personal që kanë ndaj Hashim Thaçit, i cili pothuajse i vetëm i fitoj zgjedhjet përballë tyre. Sidoqoftë, beteja nuk është për postin e kryeministrit këtë radhë dhe vazhdoj të mendoj që as me PDK’në, mirëpo me Gjykatën Kushtetuese. Por, meqë nesër me gjasë do të përsëritet situata në pikën për zgjedhjen e kryeparlamentarit, atëherë vërtetë është për të shprehur keqardhje për akademikun, se çfarë po e shtyjnë të bëjë.

Atë nuk janë duke e nderuar aspak me këtë nominim të kundërligjshëm, por janë duke e diskredituar dhe duke e poshtëruar. Janë duke e dërguar drejt “tufës së drunjve” për t’i dhënë fund karrierës së tij politike, jo më pak se si shkelës i dyfishtë i Kushtetutës. E për këtë gjë, nuk iu bën punë as dorëheqja e gjyqtarit amerikan, në të cilën kanë shpresuar, sepse Gjykata Kushtetuese përsëri mund ta pezullojë zgjedhjen antikushtetuese të tij.

Madje, këtë radhë edhe shumë më shpejtë, sepse nuk po respektohet as vendimi i saj. E nuk do t’iu bëjë punë as shpresa e tyre te disa ndërkombëtarë, që përkundër shkeljeve të Kushtetutës, zgjedhja e kundërligjshme e liderit të LDK’së do të pranohej kësaj radhe prej tyre dhe se, sipas logjikës së tyre, do të bëhej presion mbi PDK’në për të mos e dërguar rastin në Kushtetuese.

Epitetin si shkelës i dyfishtë e ka të sigurtë akademiku, por kjo e tregon më së miri edhe derexhen ku ka rënë filozofia rugoviane e LDK’së, e cila ka fytyrë të thirret në identitetin e themeluesit të saj edhe kur nuk i respekton vendimet e institucioneve dhe aktin më të lart juridik, Kushtetutën e vendit. Për më shumë, është edhe më tepër për keqardhje, që liderët e bllokut opozitar dhe ekipet e tyre po vazhdojnë ta mashtrojnë veten, duke e lexuar keq një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk po arrijnë të kuptojnë se udhëheqja e Kuvendit është bashkëqeverisje e të gjitha partive parlamentare, pavarësisht faktit se kush qeverisë me ekzekutivin.

Deri sa ta kuptojnë këtë, në secilin version apo skenarë të tyre, ata do të jenë përsëri përballë shkeljes së Rregullorës së Kuvendit dhe Kushtetutës, si shkeljeve procedurale të tyre, ashtu edhe përmbajtësore, sepse të gjithë tashmë e kanë të qartë se kush është grupi më i madh parlamentar në seancën konstituive. E, gjithashtu, të gjithë e kanë të qartë, përfshirë këtu bllokun opozitar, i cili po e cenon edhe rendin kushtetues, që vetëm PDK’ja dhe koalicioni i saj e ka të drejtën të propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Kjo e drejtë e saj është e pakonsumueshme, e patjetërsueshme dhe e patransferueshme. Nëse këtë se beson akademiku, nuk ka nevojë t’i drejtohet PDK’së apo Gjykatës Kushtetuese prej rrjetit të tij social, veç eh sa për konsum politik, por le t’i kërkojë llogari sipas procedurave ligjore vet Kushtetueses. Me 30 nënshkrime të deputetëve mund t’i adresojë pyetje asaj dhe t’i evitojë shkeljet e tij të radhës.

Kështu e ka procedura dhe thelbi i demokracisë parlamentare është pikërisht respektimi i procedurave dhe funksionimi me rregulla në Kuvend, të caktuara nga vetë deputetët e legjislaturave të kaluara, ku pjesë e së cilave ishin edhe pjesa dërrmuese e deputetëve të tanishëm.

E për fund, secili politikan do duhej të ishte i vetëdijshëm që askush nuk mund të fitojë asnjëherë zgjedhje duke pështyrë mbi kundërshtarët politik dhe është koha e fundit, nëse nuk dëshirojnë që të provokojnë zgjedhje të reja, që të zgjedhurit e tashëm të fillojnë ta mendojnë veten si të zgjedhur për të qenë politikisht korrekt edhe atëherë kur në pyetje janë agjendat e tyre politike!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)