Politika e Kosovës me mendime të vjetra për shtetin e mbyllur
Shkruar nga: Bahri Bivolaku
E kish vendosur njëri të digjte krejt malin dhe tri ditë e tri net shkoi malit duke bërtitur: çka asht gja e gjallë le të ikë se mali do me u djegë.
Çdo gja e gjallë kishte ikur nga mali, para se ky t’i shtinte flakën. Kur pushoi zjarri, shkoi me këqyr dhe tu këqyr gjen eshtrat e djegur të nji gjarpni e i thotë:
“Jahu, a njeve ti, kur unë tri dit e tri net piskata që me nije gjaja e gjallë e me ikë prej malit e ti, nuk ike? Gjarpni i tha: Po, unë mirë njeva. Po çka me ba?! Nisa me ikë, por qëllova gjarpër me dy koka, dhe njëri krye me thoshte po iki këndej e tjetri po iki andej, prandaj mbeta këtu.
Aktualisht këtë gjë po e bën politika sot, po sikur gjarpri me një krye nga lart dhe një tjetër nga bishti sikur tek anektoda.
Mendoj që Kosovës në aktualitetin e sotëm politik, nuk i duhen arratitë politike karshi botës, nuk i duhet shteti i mbyllur dhe jo i pëlqyer nga të gjithë, nuk i duhen as demonizimet e polarizimet politike, nuk i duhet as të humbet kohën dhe mundin ta gjejë se kush është fitimtar e kush është humbësi në proceset që po e presin.
I duhet bashkimi i gjithë potencialit politik e intelektual për ta arritur maksimalen, ndryshe humbim mundësinë, e si zakonisht, pastaj merremi me pasojat.
Politika e Kosovës, nuk guxon e as që e ka atë të drejtë të ecë në rrugën njëkahëshe dhe të eksperimentoj me fatin e të gjithë neve.
Është koha që partitë të lirohen nga mendimet e vjetra e të shpenzuara, të cilat edhe e kanë lodhur qytetarin e vendit.
Është koha për t’u hapur derën mendimeve të freskëta, kreative, të cilat nxisin shpresën, besimin dhe vullnetin për të nxjerrë më të mirën për momentin dhe që i shërben Kosovës, zhvillimit dhe perspektivës së saj.
Qytetaria e pret me padurim atë dritë dhe atë politikë të karakterit e cila shpreh energji konstante të vullnetit për të hapur kapitullin e ri të saj në të gjitha fushat.
Që të jetojë një e re duhet të zhduket koncepti i vjetër i mënyrës së të kuptuarit në politikë.
E reja në politikën shqiptare duhet të burojë nga dija, të ushqehet nga ligjet, të rritet bashkë me të drejtat civile, për t;u përsosur në formësimin e shtetit të së drejtës.
Koncepti i tillë mbi politikën do të dëshiroja të jetë parimi veprues së pari për partinë të cilës i takoj e më pas për të gjithë dhe në gjithë hapësirën shqiptare.
Paqen nuk e fitojmë me folklorizëm
Kosova, politika e saj duhet të mësohet të lëviz politikisht me petkun që e ka të dizajnuar karshi çejzit që ka dhënë në kohën e duhur.
Kosovën e pret një rrugë e gjatë për të pasur petkun e vet që do t;i bije tamam dhe jo kolorit.
Është koha e fundit që kjo politikbërjes të zgjohet, të lëshojë shkëndijat e ndryshimit për të qenë e bashkuar në ndërtim të një kauze të përbashkët dhe me të cilën e fitojmë paqen.
Një gjë e kam të qartë, se me politikat e izolimit dhe të vetëmbylljes, nuk fitohet paqja, e as me imagjinatën e krijuar në kokat tona, se jemi rrethuar e mbuluar me armiqtë dhe tani po lëshojmë klithje: o burra, o gra!
Po mbyllemi se të gjithë janë vënë kundër nesh dhe se vetëm kjo gjë na shpëton nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm.
Duhet ta kuptojmë se për të pasur dhe ruajtur miqtë, duhet të provojmë të bëhemi të tillë, mbase këtu është çelësi i dijes.