Politika dhe humbja e kulturës së shpresës tek qytetarët
Shkruar nga Bahri Bivolaku
Mendimtarët thonë se “Për të matur virtytin e një njeriu, nuk duhet ta shohim në rastet e mëdha, por në jetën e përditshme.”
Gjykuar sipas këtij mendimi, politika në Kosovë, apo e një pjese të saj, është e pamatshme dhe jo e virtytshme, pasiqë ndryshe duket në jetën e përditshme e ndryshe në rastet “e mëdha”.
Dallimi i tillë padyshim që ka bërë që të humbet kultura e shpresës tek qytetarët nga politika. Konstatimin e tillë e vërteton edhe thënia e mençur se për të qenë trim, të duhet vetëm një çast, e për të qenë një veprimtar i virtytshëm, të duhet e gjithë jeta.
Trima të çastit mund të jenë bërë edhe individë pa ndonjë virtyt njerëzor tjetër veç një guximi momental dhe si të tillë, ata nuk kanë se çfarë t’i ofrojnë politikës në jetën e përditshme.
Mendoj që në këtë dallim esencial e shohë arsyen se pse në Kosovë politika ka lëkundur edhe shtratin e kulturës së shpresës tek qytetarët për të ardhmen e tyre.
Ajo është larguar nga jeta e përditëshme dhe jetëgjatësinë e saj e kërkon vetëm në rastet “e mëdha” politike, gjersa hapësira vepruese për të tilla raste është e vogël si për nga vëllimi, ashtu edhe për nga akterët që i zë.
Tendencën politike të orvatjes për t’i bindur të tjerët se proceset politike në Kosovë duhet të fillohen nga e para, e shohë po me këtë prizëm si dëshirë apo ego për t’u dukur vetëm në rastet “e mëdha” dhe përfituar elektoralisht pa marrë parasysh peshën e përgjegjësinë se ku mund të na çojë qëndrimi i tillë.
Tendencat e tilla dhe mosgatishmëria e shfaqur hapur për një arsye politike konensuale, ka derivuar në arratinë e qytetarëve nga politika, pasiqë po i kuptohet qëllimi.
Agjenda politike e pozitës dhe opozitës
Pozita ka kohë që nuk paraqitet qartë me agjendën e vet dhe qartësuar objektivat programore karshi çdo gjëje që lidhet me të ardhmen e vendit.
Objektiva e tillë, mbase duhet të lidhet me secilin pjesëtar që i takon, apo ka rol ekzekutiv apo legjislativ.
Pozitës i duhet një deklaratë misioni dhe ndërlidhjes me të, ndryshe do të vazhdojë të ecë rrugës që ia trason opozita dhe pastaj si e padefinuar po e humbet shpresën e qytetarëve.
Sot, në politikën e Kosovës kemi një sanksionim të shumicës nga pakica e zhurmshme dhe ky rezultat derivon jo pse opozita është e organizuar dhe e programuar për t’ia ndryshuar jetën e përditshme të qytetarëve, por po duket vetëm në rastet e “mëdha”.
Deklarata e misionit të pozitës, që ndryshe mund të quhet si një kauzë apo qëllim politik, duhet të qartësohet e të duket si kauzë bashkuese për të gjithë pozitën për të fituar rolin që ka dhe të dalë nga situata aktuale.
Kjo agjendë duhet ta bashkojë së pari pozitën e më pas edhe pjesën tjetër të politikës. Veprimi ndryshe do të na sjellë shumë vështirësi, pasi ky vit konsiderohet të jetë bukur sfidues për vendin.
Kosova, qytetarët e saj, kanë nevojë për akterë të politikës që merren me jetën e përditshme dhe këta akterë nuk mund të jenë të tillët që duken vetëm në rastet “e mëdha”, apo i krijojnë e hiperbollizojnë rastet “e mëdha”.