Po, kam besuar
Shkruar nga Jakup Krasniqi
Po, kam besuar në drejtësinë për të cilën kanë luftuar gjenerata të tëra kombesh e vendesh të ndryshme. Kam besuar në drejtësinë që, fundja, është aspiratë e njerëzimit për një drejtësi shoqërore.
Edhe kombi ynë, sikur shumë kombe të tjera të përparuara, ka luftuar gjatë, por edhe është sakrifikuar shumë për liri, drejtësi e barazi. Kam besim të thellë në drejtësinë, e cila mes njerëzve vendos jo vetëm vëllazëri, ekuilibër, por edhe mundësi të barabarta.
Kam besuar në idealet njerëzore, për lirinë individuale e kolektive në mes njerëzve, në fuqinë dhe drejtësinë ku ligji vlen për të gjithë, si për të fortin, ashtu dhe për atë më të dobëtin.
Besoj, po, thellësisht, në drejtësinë hyjnore, e cila konfirmon se njerëzit nga Zoti dhe për Zotin lindin të barabartë, ndërsa, sundimtarët njerëzit i bëjnë: lajkatarë, servilë, të përulur e të pa dinjitet dhe jo rrallëherë edhe mish për top.
Kam besuar dhe besoj në ndershmërinë, qëllimet dhe parimet në të cilat betohen shokët besnikë të një ideali për komb, fe e atdhe! Sikundër kam besuar pareshtur në idealet e përbashkëta të korifenjve të lirisë, të bashkimit kombëtar dhe të demokracisë, po aq sa kam besuar ndershmërisht në idealin e njerëzve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe në atë që e quaj nder dhe privilegj rreshtimin në UÇK-në e Legjendarit Adem Jashari.
Pikërisht besimi tek Adem Jashari dhe Ushtria e Tij Çlirimtare, më bëri të deponoj gjithë jetën time e të familjes sime, sepse për jetët e të tjerëve nuk kisha as kam të drejtë të ndërhyj.
Po, për këtë jam shumë krenar. Unë besova, sikundër guxova dhe ngadhënjeva me idealet çlirimtare, gjithnjë me besimin e patundur në mendje e në zemër se ia vlente çdo flijim për Atdheun, për lirinë, për drejtësinë, për zhvillimin dhe shtetin e së drejtës, për demokracinë që ligjëson lirinë.
Besova tek secili ushtar si në luftë, po ashtu edhe pas lufte. Por me këtë rast smund të them se nuk gabova, për faktin e thjeshtë se besova me besnikëri, edhe pse populli thotë: besnik bënu e besë mos zë.
Besova dhe vazhdoj të besoj tek secili anëtar e simpatizant i PDK-së, që nuk është helmuar me babëzinë e grabitjes së pasurisë kombëtare, që nuk ka shkelur në idealet çlirimtare, që nuk ka përbuzur vlerat e fjalës së dhënë, që reflekton dinjitet familjar e kombëtar.
Besova dhe besoj thellësisht në Programin e PDK-së, i cili shprehimisht thotë: ... dialogu dhe konfrontimi demokratik i ideve do të jetë si mjet parësor për të realizuar emancipimin dhe vazhdimin e procesit të pavarësimit të Kosovës..., si dhe më tutje: PDK-ja është ngushtësisht e lidhur me lirinë e mendimit, laicitetit të shtetit dhe të shkollës. siç përfundon pjesa hyrëse e Programit të Partisë Demokratike të Kosovës, për çka jam krenar, duke qenë edhe njëri nga hartuesit dhe udhëheqësit e këtij programi demokratik e largpamës.
Besoj palëkundshëm te secili qytetar i ndershëm i Kosovës sime, i cili ka ruajtur vlerat e idealizmit për jetë të dinjitetshme të çdo qytetari dhe për mirëqeverisje të vendit e të popullit tim.
Besova, sikundër që isha i bindur katërçipërisht, se ajo që po e shkruanim në dokumentin programor të Partisë Demokratike të Kosovës ishte qëndrimi ynë konsistent, se do ti mbështesim përpjekjet e forcave politike shqiptare në rajon, të cilat kanë për qëllim që më pjesëmarrje në procesin e integrimeve rajonale dhe evropiane të realizojnë të drejtat e pakontestueshme kombëtare.
Besova dhe jam krenar se partia ime angazhohej për ndërtimin e një politike sa më të afruar e të njësuar me shtetin shqiptar, kombëtar e ndërkombëtar.
E kush nuk do të pajtohej me këtë gjuhë të rrjedhshme shqipe, me këtë politikë të qartë, integruese e demokratike, që po e nënvizonte partia në të cilën punova, punoj dhe do të punoj, kudo që të jam pa hile për vendin dhe popullin tim?
E pra, nuk kisha si të mos besoja e të mos isha krenar me partinë, e cila do të angazhohej pa hile që në Kosovë të vendosej shteti i demokracisë parlamentare, ndërtimi i shtetit të së drejtës, ngritja e të gjitha institucioneve demokratike, sistem të ri juridik në të gjitha nivelet, sistem bankar... pra pushtet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Të gjitha këto thuheshin shumë vite para se Kosova të shpallej e pavarur, sovrane e demokratike.
Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë që pas pavarësisë të mos vazhdohet me atë vizion largpamës të atyre që e hartuan dhe e miratuan atë program-projekt dhe, përderisa në linjën e brendshme, deri tash nuk është bërë asnjë qortim, korrektim a retushim i tij.
Unë nuk jam penduar as dje, as sot e nuk do të pendohem as nesër për këtë vlerë politike.
Përse dikush e ka harruar këtë program vizionar?
Apo ndoshta nuk e ka lexuar?!
Asnjë kongres zgjedhor apo i punës nuk ka hequr dorë zyrtarisht nga ai.
Unë vazhdoj ti besoj programit të PDK-së, duke e konsideruar madje edhe detyrim sipas statutit dhe ndërgjegjes, i cili garanton zgjedhje të lira me votë të fshehtë plurale dhe të barabartë, që jetën e mbron me ligj, që angazhohet për media të lira, për shprehje e mendim të lirë, për paprekshmëri të pronës dhe lëvizje të lirë.
Të gjitha këto të drejta kanë gjetur hapësirë të madhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këto të drejta PDK-ja i ka vendosur shumë kohë më parë. Por ai nuk po respektohet.
A nuk është kjo largpamësi?
Partia Demokratike e Kosovës, që nga fillimi, në programin e saj e ka nënvizuar se angazhohet për ekonomi private në Kosovë, të bazuar në ligjet e ekonomisë së tregut, të hapur dhe të lirë, të integruar në institucionet euroatlantike.
Gjithashtu në programin e Partise Demokratike parashihet edhe privatizimi i pronës shoqërore, por jo edhe mënyra si bëhet privatizimi i pronës publike.
Po e përmbyll gjithë besimin tim të thellë dhe krenarinë time të palëkundur për Programin e Partisë Demokratike të Kosovës, me përkushtimin që partia ime kishte dikur dhe duhet ta ketë dhe tani për përkujdesjen sociale ndaj njerëzve, ku thuhet: PDK-ja ka për qëllim mbrojtjen e shtresave shoqërore të varfra dhe të mesme mbi të cilat rëndojnë pasojat e luftës. Në mënyrë të veçantë familjet e dëshmorëve, të të burgosurve politikë dhe të viktimave të agresionit serbomadh.
Në fakt, viktima të agresionit serbomadh ishin të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e Kosovës. Pra, të gjitha çështjet që përfshihen në programin e Partisë Demokratike të Kosovës janë parë me një largpamësi politike e intelektuale të nivelit më të lartë.
Dhe këtu nuk qëndron problemi!
Çështje zhvendoset tutje kur me hir a pa hir shpërfillen këto parime. Duke qenë se në planin partiak kam një pozicion hierarkik në udhëheqje, gjithnjë sipas besimit tuaj, sikundër edhe në planin shtetëror si kryetar parlamenti, ndihem dy herë më përgjegjës për maturi dhe respektim normash.
Kohëve të fundit ky qëndrim imi është parë, me dashje a nga padija, edhe nga kolegë brenda partisë, si kryeneçësi a si rebelim. Kryeneçësi a rebelim ndaj kujt dhe për çinteres?
Ta konstatosh një shenjë sëmundjeje brenda organizmit tënd, duhet fshehur, vetëmashtruar apo duhet kërkuar anamnezën dhe shërimin? E po unë këtë kam dashur ta bëj, këtë të dytën, siç po e bëj edhe sot këtu, ngaqë e dua shëndetin e partisë sime, të organizmit tim.
Duke mbajtur qëndrim kritik ndaj veprimit tonë, rrjedhimisht ndaj individëve në subjektin tonë politik, ne nxisim aktin më të lartë të ndërgjegjes sonë si rregullator ekuilibri.
Sigurisht që, e kundërta e kësaj, duartrokitja hipokrite, vardisja, paqja e rreme në sipërfaqe, do të ishte më e lehtë. Më e lehtë në dukje, por me qelbëzim brenda.
Cila mendje normale do të mund ta pranonte këtë? Në jehun e vlimeve të brendshme nganjëherë dëgjohen edhe pëshpërima dhe akuza për moralizim e predikim.
Dy akuza, këto, krejt të huaja për mua. Po të jetë punë sedre, të dyja këto mund ti realizoja në planin individual, përmes publikimeve.
Por, të kërkosh respektim të normave programore të subjektit tënd, nuk është prerje e degës në të cilën qëndron. Përkundrazi, disiplina dhe morali me respekt të ndërsjellë bëhen përforcime dhe siguri ardhmërie.
Nisur nga gjithë çfarë u tha më lart, besova dhe më mbajti për një kohë shpresa se do të ketë këndellje, reflektim dhe qartësi për secilin prej nesh. Por, për më shumë se dy vjet, nuk e pashë këtë gatishmëri dhe, sidomos jo, nga sundimtari i gjithëpushtetshëm i PDK-së, siç e percepton ai veten, i cili e shfrytëzon partinë për çdo gjë e si do ai, si një pronë private me shumë çipçinj të tij.
Ata duhet të flasin, sipas tij, vetëm atë që e mendon shefi ose të heshtin sepse shefi mendon për të gjithë, sepse shefi i di të gjitha dhe vendos për çdo gjë.
Kjo ka bërë që ai të shpallet edhe shenjtori i fundit i botës sonë, gjë që nuk ndodhë asgjëkund në botën demokratike.
Vetëkënaqësia e stisur me epitetin SHEF, vetëkupton të Madhërishmin: kur flet shenjtori çka kanë për të thënë të vdekshmit e tjerë?
Zgjedhjet e fundit nacionale dhe sidomos këto të fundit partiake, dëshmojnë përfundimisht se kreu i PDK-së e ka nxjerrë tërësisht partinë nga shtrati i saj themeltar, jashtë programit e statutit të saj, rrjedhimisht jashtë të gjitha vlerave themeluese e normuese.
Ka eliminuar çdo debat e diskutim e bashkë me këtë çdo vlerë që do të rezultonte gjithandej edhe për çështjet më vitale për vendin dhe kombin. As për reformën zgjedhore, një anëtar një votë, as për qeverisjen e fundit edhe pas shumë skandaleve nuk ka pasur gatishmëri për të diskutuar, analizuar e ndryshuar.
Partia është shkëputur nga ideali kombëtar i themeluesve, nga ideali i anëtarësisë dhe elektoratit që i ka qëndruar besnik partisë, nga ideali i brezave për shtet ligjor e demokratik, nga vullneti e perspektiva për një zhvillim ekonomik, arsimor, kulturor si dhe nga obligimi e përkushtimi për një jetë më të dinjitetshme të qytetarit tonë, i cili ka sakrifikuar shumë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë.
Kulmi i të gjitha këtyre, në dy vitet e fundit, është shfaqur në përcaktimin - emërimin e njerëzve pa asnjë kriter në institucionet më të larta të vendit, skandalet e vazhdueshme në kabinetin qeveritar deri te krimi i organizuar, i manifestuar në rastin e Grandit, Veliaj etj. Ishte më shumë se shqetësuese dhe, madje alarmuese, do të thosha, zbritja e standardit në nivel përfaqësimi institucional e qytetarë të atyre që do të duhej të ishin prezantues të aspiratave dhe kërkesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
I ndërgjegjshëm se llogaridhënia nuk është përherë vetëm instanca e gjyqësisë, ndëshkimet e penalizimet (që edhe mund të manipulohen e devijohen), po para së gjithash përballja me vetveten dhe opinionin publik, më bëjnë që të mos e vë në pazar dinjitetin tim (thyerja e të cilit do të ishte e parikuperueshme).
Mbi lakminë dhe shkëlqimin e përkohshëm të sedrës falso, parapëlqej çmimin e peshës së rëndë për mosbrerje ndërgjegjeje nesër.
Të gjitha këto sa u thanë, përfshirë edhe zgjedhjet e fundit partiake jashtë çdo norme statuti, jashtë vullnetit të anëtarësisë së identifikuar të partisë dhe të strukturave të saj, më japin arsye dhe kurajë të mos jem pjesë e as pjesëmarrës në Kongresin zgjedhor të PDK-së.
Përmes këtij procesi zgjedhor, kreu i saj ka bërë zgjedhje për të kënaqur ambiciet e tija dhe vetëm të tija, por jo zgjedhje për Kosovën dhe qytetarët e saj. Unë kam kërkuar dhe do të angazhohem për subjekt politik që bënë zgjedhje të ndershme për qytetarët e Kosovës të cilët meritojnë një jetë më të dinjitetshme.
Për angazhimin,vendimin dhe veprimin tim të mëtejshm, qytetarët do ti informoj më kohë.
Në qoftë se veprimi im, në çfarëdo mënyre, prek sadopak membranën e ndërgjegjes suaj bashkëveprues të deritashëm, ndihem i lumtur, i qetë e me fat.