Planifikimi Hapësinor dhe fatkeqësitë natyrore
Shkruar nga arch. Ylber Vokshi -Ylli
Jemi dëshmitarë të shumë fatkeqësive natyrore që kanë ndodhur,ndodhin dhe do të ndodhin në të ardhmen në Kosovë,si në tërë rruzullin tokësor.
Njeriu gjithnjë për të mbijetuar ka tentuar dhe ka punuar që këto dukuri natyrore ti luftoi,që sado pak të zbut dëmet që i kanë shkaktuar këto fenomene natyrore,dhe gjithnjë ka tentuar ti shpjegoi me anën e shkencave ekzakte si janë matematika,fizika,kimia,astronomia,gjeografia etj.
Sinkronizues i të gjitha këtyre dukurive,si dhe elementeve tjera për funksionimin e një shoqërie-shteti duhej të ishte Planifikimi Hapësinor i territorit.
Ky në çdo kohë duhej të përcjellel Zhvillimet Hapësinore që definojnë Politikat Hapësinore,që duhej ti prinin Dokumenteve Hapësinore. Me përpikëri aty duhet të analizohen,hulumtohen të gjithë faktorët relevant në procesin e Planifikimit Hapësinor dhe Urban.
Vendin ma të rëndësishëm pa dyshim e kanë fatkeqësitë natyrore,pasi në pyetje është siguria,së pari e jetës së njerëzve e pastaj edhe të mirave tjera materiale.
Çuditërisht pushteteve në Kosovën e pas luftës së fundit,nuk iu ka interesuar aq shumë funksionalizimi i fushës së Planifikimit Hapësinor,edhe së formalisht dhe ligjërisht nga viti 2002 është ri-funksionalizuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Se kjo lami është e rëndësishme e tregon edhe ajo së si e trajtojnë territorin të gjitha shtetet serioze në botë.
Ata i kanë vënë themelet qysh në shekujt e kaluara kurse sot vetëm i përcjellin,i avancojnë dhe iu përshtaten trendeve të reja të planifikimit në erën e globalizmit,si është Planifikimi Strategjik Hapësinor.
Mjetet e shpenzuara për hulumtime hapësinore janë minore në krahasim me efektet afatgjate që do të kenë për mirëqenien e banorëve të shtetit.
Së fundit ky është obligim kushtetues dhe kusht për të nënshkruat dhe respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare,nëse pretendojmë të jemi pjesë e botës së civilizuar.
Një segment i rëndësishëm,që gati aspak nuk është trajtuar në Kosovë janë edhe ndryshimet klimatike dhe katastrofat natyrore,si dhe ndikimet e tyre në jetën urbane dhe rurale.
Ndotja e pa kontrolluar e vendbanimeve tona nga automjetet, prodhimet industriale,mbeturinat urbane, si dhe ujërat e zeza, ndikojnë direkt në ndryshimet klimatike,të cilat pastaj shkaktojnë çrregullime të ndryshme që ndikojnë në kualitetin e jetës urbane në qytetet dhe fshatrat tona.
Diçka duhet ndërmarrë konkret dhe realisht,pasi jemi të vetëdijshëm me nivelin e ulët të trajtimit të kësaj problematike në Kosovë,edhe se ekspertiza dhe profesionistët e profileve të ndryshme nuk mungojnë. Parandalimi i këtyre dukurive do të ishte preventiva ma e mirë.
Më duhet të kthehem në vitin 1985 kur rrafshin e Dukagjinit e përshkroi një katastrofë natyrore me reshën e borës. Bora që ra mbi tri metra nuk befasoi, pasi kjo trevë kishte eksperiencë me të reshura të tilla bore.
Se çka ngjau në atë kohë të tmerrit në Gjakovë,ku u rrënuan edhe konstruksionet e hallave të prodhimit,kulmet e shtëpive e shumë objekteve tjera,në saja të mobilizimit të pa parë në trevat shqiptare, disi u tejkalua ajo situatë,pa pasur ndihmën e duhur të niveleve qendrore të asaj kohe. Për këtë nevojitet një studim dhe hulumtim i posaçëm shkencor.
Këto ditë të vështira dimri me reshje të borës në tërë Kosovën vetëm më duhet të krahasoi situatën e para njëzetë e shtat viteve (27) në Gjakovë,se si po veprojmë ne këto ditë !. Krye në vete të gjitha komunat e rrezikuara shpallin gjendje të jashtëzakonshme,e qartë është e definuar kush i ka ato autorizime me Kushtetutë,dhe në cilat raste.
Nuk përfillen as diturit shkencore elementare për këto raste,ndoshta pa qellim krijohet panik ndër banorë,jepen urdhra të pa verifikuara teknikisht për heqjen e borës nga kulmet e shtëpive,pa i llogaritur pasojat eventuale për dëmtimet e kulmeve,e aspak nuk jemi vetëkritik se si me ndërtime të çoroditura me leje e pa leje,me degradimin e pyjeve dhe lumenjve,vetë veten e kemi izoluar dhe bllokuar,çka po e tregon edhe situata e krijuar këtyre ditëve pas reshjeve të mëdha të borës.
Asnjë komunë e Kosovës nuk i ka bërë elaboratet e evakuimit dhe të intervenimeve emergjente,në rastet e fatkeqësive natyrore,të bazuara dhe të harmonizuara me Dokumentet Hapësinore,ashtu si e kërkojnë normat dhe standardet ndërkombëtare. Pjesa ma e madhe e komunave në Kosovë as që i kanë përpiluar këto dokumente,ndër to prin kryeqyteti i Kosovës Prishtina.
Se si po i planifikojmë hapësirat komunale,në ato komuna që kemi qasje,ma së miri po e tregojnë rastet e ndryshme që po përfundojnë edhe me raste tragjike,për të cilat askush deri me sot,në vitet e pas luftës nuk ka dhënë përgjegjësi morale,e për atë penale as që diskutohet në Kosovë. Ka disa kritere elementare të cilat duhen me qenë obliguese,kur lejohen ndërtime me leje e pa leje në të gjitha vendbanimet e Kosovës.
Dihet së cilat zona malore janë të rrezikuara nga ortekët e borës,si janë malet e Sharrit,Gryka e Rugovës,e disa zona të tjera të krijuara nga ne me lejimin e prerjes së pa kontrolluar të drunjve. Me një planifikim të mirëfilltë hapësinor do të identifikoheshin të gjitha ato zona dhe nuk do të lejoheshin aktivitete ndërtimi aty. Në rastet tjera duhej të pyllëzoheshin ato zona, apo do të ndërmerren masa teknike adekuate parandaluese.
Problem edhe ma i madhe do të jetë shkrirja e borës. Disa rejone në Kosovë janë kandidat potencial,të iu nënshtrohen vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut (erozionit),duke marrë në konsideratë se si kemi ditur me dorën tonë të degradojmë shtretët e lumenjve,me eksploatimin e zhavorrit si dhe me hedhjen e pa kontrolluar të mbeturinave.
Rasti i fundit në Restelicë të Dragashit,ku për fat të keq pati edhe viktima të shumta njerëzore,është vetëm një ilustrim i tërë asaj së ku jemi duke jetuar,ku kriteret ndërkombëtare për ndërtime askush nuk i përfillë.
Në procesin e planifikimit rural,së paku do të duhej respektuar traditën shekullore,e të mos ndërtohet në zona potenciale të rrezikuara nga ortekët e borës,rrëshqitja e dheut,shkrirja e borës e shumë elementeve tjera të sigurisë së ndërtimeve. Nëse do të ishin konsultuar ekspertët e ndërtimit pasoje e kësaj tragjedie do të ishin minimale,së paku do të shpëtoheshin jetët e njerëzve.
Të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë ortekët e borës me pasoja fatale,rrëshqitjet e dheut,vërshimet,tërmetet,rrënimet të ndryshme,sa herë që bijën shi,borë apo fryn ndonjë erë ma e fortë.
Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike dhe ato të Planifikimit Hapësinor dhe Urban-Rural. Dhashtë zoti mos të kemi ndonjë katastrofë ma të madhe se atëherë do të vetëdijesohemi se si kemi vepruar në vitet e pas luftës.
(Autori është Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK), qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale)