22 Dhjetor 2024

Plani ekonomik gjatë pushimeve në Bullgari

Shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje!


Në njoftimet nga qeveria e Republikës së Kosovës, u publikua lajmi se një pjesë e madhe e qeverisë së Kosovës gjendet në një udhëtim zyrtar katërditor në qendrën e skijimit Bansko në Bullgari, gjoja për të hartuar planin e shpëtimit ekonomik të Kosovës.  Sipas po të njëjtave burime, kjo po bëhet në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Njoftimi për udhëtimin në Bullgari dëshmon qartë se qeveria në krye me Hashim Thaçin është zgjedhur në Kuvendin e Kosovës pa program qeveritar dhe në mungesë të qartë të një agjende ekonomike.

Për më shumë, kjo tregon se edhe në mandatin e kaluar qeveria nuk e ka pasur të qartë programin e zhvillimit ekonomik (për ta vazhduar në këtë mandat).  Funksionimi ad hoc i përditshëm, ku vendimet merren në bazë të rrjedhave ditore e jo në bazë të një plani strategjik, e kanë sjellë Kosovën para kolapsit ekonomik. 

Kjo po ashtu do të thotë se vendimet kapitale, si privatizimi i PTK-së, ndërtimi i autostradës, buxheti për vitin 2011, si dhe vendimet e tjera kapitale janë sjellë pa plan dhe agjendë ekonomike.

Vendimi që plani të hartohet në një qendër skijimi në Bullgari gjithashtu tregon se ndërtesat e shumta qeveritare në Prishtinë nuk i mjaftojnë qeverisë së Kosovës për të hartuar planin ekonomik për shpëtimin e vendit. 

Kjo jep përshtypjen se ndërtesat dhe zyrat qeveritare nuk qenkan hapësira punuese dhe ka nevojë që të udhëtohet jashtë këtyre ndërtesave për të punuar. 

Për më shumë, vendimi që paratë publike të shpenzohen në një qendër skijimi në Bullgari e jo në Kosovë në qendrat e shumta të pushimit, tregon në një rrafsh tjetër interesimin e qeverisë së Kosovës për të ndihmuar ekonominë vendore. 

Ashtu sikurse edhe në mandatin e kaluar, si duket më shumë punëtori e konferenca të qeverisë së Kosovës do të mbahen jashtë vendit e jo në Kosovë. 

Ky lajm u plasua për t’i dhënë edhe njëherë qytetarëve shpresë se kjo koniukturë politike mund t’i zgjidhë problemet e mëdha ekonomike duke anashkaluar faktin se ata vetë janë shkaktarë të gjendjes së rëndë ekonomike. 

Ata që nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për ekonominë e Kosovës për 30 muaj, vështirë se mund t’i zgjidhin problemet për katër ditë skijimi.

Për më keq, ata vetëm sa po vazhdojnë ta dëmtojnë edhe më tej ekonominë, gjithmonë duke e bërë zhvillimin dhe reformën edhe më të vështirë. 

Kjo është vetëm edhe një përpjekje shterpë, për t’i hedhur hi syve të qytetarëve të Kosovës.  Kësaj radhe, fatura iu shkon qytetarëve, nga qendra e skijimit në Bansko.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)