Plaga e rëndë e Mitrovicës së ndarë vret Kosovën e nesërme
Shkruar nga Smajl LATIFI
Mitrovica, pjesa veriore e qytetit dhe pjesa tjetër e veriut të Kosovës është pasqyra reale e gjendjes politike në Kosovë. Është Kosova në miniaturë. Është vet problemi Kosovë. Elementi i ndarjes është argumenti që na bënë me dije të gjithëve, se cila është pozita e kësaj pjese të Kosovës Administrative. Në të vërtetë kjo është vrima e zezë që paragjykon edhe statusin politik të kësaj pjese të trojeve të Shqipërisë. Në Veriun e Kosovës, posaçërisht në pjesën matanë Ibrit të qytetit, nuk ka ndonjë shenjë të qytetërimit. Atje i vjen era Serbi, atje është sikur në xhungël. Makina pa targa ose me targa të Serbisë, makina në mes të rrugës, anarki në pamje të parë, por për të bërë keq, çdo gjë është gati. KFOR-i bëhet sikur nuk i sheh, bëhet sikur nuk ka fuqi ti ndalojë dhe gjendja mbetet në duart e kriminelëve të institucionalizuar, të cilët bashkë me KFOR-in, UNMIK-un dhe me shqiptarë të cilët identifikohen si të tillë vetëm në saje të gjuhës që flasin, përbëjnë mozaikun e kësaj vrazhdësie.
Ndërkohë, vazhdon të luhet loja e djajve mu në pjesën më vitale dhe më strategjike të Kosovës. Strukturat shtetërore të Serbisë e bëjnë punën e tyre, për ta zhbërë elementin shqiptar, i cili është ende pa kurrfarë mbështetje. Largimi nga shtëpitë dhe pronat e veta është proces që po vazhdon. Largimi u bë gjatë këtij shtatëvjeçari para syve të ndërkombëtarëve, të cilët kurrë nuk e krijuan atë ambientin e qetë dhe të sigurt për të gjithë, që është edhe moto e tyre. Në rastin konkret, thënë më së buti, ata (KFOR-i) krijuan ambient të qetë vetëm për serbët, të cilëve u rrin në prapavijë dhe u jep mbështetje veprimeve të tyre antishqiptare. Pra, administrimi ndërkombëtar (UNMIK-u) nuk e pati asnjëherë qëllim për ta penguar ndarjen.
Ky administrim e krijojë, e konsolidojë dhe i dha përmbajtje kësaj ndarjeje. Ndërsa, spektri politik shqiptar nuk bëri asgjë për ta penguar këtë ndarje. Në sytë tanë dhe para syve tanë, ne pamë atë që po ndodh në këtë pjesë të Kosovës dhe nuk bëmë asgjë serioze për ta penguar. Politikanët shqiptar u shquan për lojalitet me UNMIK-un. Ky quhej fatkeqësisht partneritet, kooperim. Njëkohësisht, çdo përpjekje për ta zhbllokuar këtë gjendje apo për ta luftuar këtë të keqe cilësohej ekstremizëm nga ana e kësaj kaste politike, e cila vazhdon të mburret me angazhimin e vet, madje duke u përpjekur që të gjitha ndryshimet cilësore dhe të arriturat e shqiptarëve tia atribuojë vetes. Na kujtohet fare mirë Marshi për Mitrovicën ku qindra mijëra shqiptarë kishin një qëllim të vetëm, mbështetje Mitrovicës, mbështetje bashkimit të saj. Ky marsh u pengua nga politikanët, të cilët sot janë duke kërkuar grupe e nëngrupe për ta rregulluar këtë çështje, nga ata që pas shtatë vjetësh u kujtuan për ta aktualizuar problemin e Mitrovicës. Të njëjtit politikanë gjatë gjithë kësaj periudhe e kanë shprehur entuziazmin e madh, se kjo çështje ka shënuar progres dhe po ecë drejt zgjidhjes.
Pati edhe politikanë të shpërlarë fare nga mendja dhe të larguar plotësisht nga realiteti, të cilët e kanë konceptuar si një problem që nuk ekziston fare. Pati edhe të atillë, që përhapnin thashë e thëna, se kemi marrë premtime për zgjidhje, se kjo është çështje kohësh, madje edhe çështje ditësh. Të gjitha ishin ëndrra të mira të besuara, mbase me vetëdije nga politikanë të shumtë, të cilët e bënin politikën, siç ua donte interesi i faktorëve të cilët e ndanë dhe u kujdesën për ta ruajtur këtë ndarje që ende po vazhdon. Përballjet dhe sfidimet me të tilla naivitete politike, të cilat ishin dhe janë me bollëk e vijnë nga një politikë që varë shpresat tek të huajt, që moto të saj pati dhe ka të: përhapë me bollëk gënjeshtra e trillime për ta trullosur popullin, për ta bërë imun atë. Ky ishte edhe qëllimi i të gjithë atyre që e trashën këtë problem. Pra, Mitrovica për shkaqe politike u nda dhe po ashtu për shkaqe politike u ruajt kjo ndarje.
Kush e ndau Mitrovicën?
Projektimin e ndarjes e bënë të huajt, ndërkaq zbatimi i saj erdhi për shkak të mendjelehtësisë së politikanëve shqiptarë. Pra, ishte pasojë logjike e politikës së mjerë të shqiptarëve. Partitë politike ia lënin fajin UNMIK-ut për moszbatim të Rezolutës 1244 dhe për këtë as atëherë dhe as sot nuk arritën ta arsyetojnë këtë me argumente. LKÇK-ja ka thënë dhe thotë, se Rezoluta 1244 nuk mund të zbatohej ndryshe në praktikë pa e lënë të hapur këtë shteg. Derisa partitë politike kërkonin zbatim të Rezolutës 1244, LKÇK-ja kërkonte zhbërjen e saj. Dhe, në mbështetje të kësaj rezolute të dëmshme për interesat tona kombëtare, shtegu i ndarjes, që u pa menjëherë pas luftës çlirimtare, në Veriun e Kosovës mbeti i hapur dhe si rezultat i tendencave të organizuara për zbatimin e kësaj rezolute vazhdojnë të hapen shtigje të tilla të dëmshme edhe për pjesë të tjera të Kosovës.
Politikanët bashkëpërgjegjës për lejimin e ndarjes, çbëjnë sot!?
U futën në bisedime me realitetin e ndarjes. Pranuan dhe legjitimuan ndarjen në vend se përpara të kushtëzonin bashkimin. U bashkuan përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe pa asnjë kusht u futën bashkë për të biseduar me Serbinë, në vend se të vepronin ndryshe, të bënin diçka të mirë që ta ndërronin këtë realitet, ndërimi i të cilit nuk vejn me bisedime me pushtuesit tanë. Këtë nuk e kemi pritur asnjëherë ne anëtarët e LKÇK-së, sepse për LKÇK-në kjo nuk është befasi, kur e kemi parasysh kursin e gabuar politik që kanë ndjekur, kur i kemi parasysh lëshimet serioze politike që i kanë bërë ata ndaj cështjes së pazgjidhur kombëtare, por mbase këtë nuk e prisnin ata që i kishin votuar me shpresë, se më në fund nuk do të bëheshin më lëshime të tilla.
Mirëpo, siç u dëshmua, ata përbuzën ndarjen, nënçmuan dhe injoruan atë, dhe, e futën çështjen në gërshërë, në emër të strategjisë së rrejshme për bashkim. A nuk janë ata që i dhanë impuls projekteve të ashtuquajtura multietnike, sikurse ishte treni i famshëm multietnik, tregu i famshëm multietnik etj. Ne e dimë, se zona e mirëbesimit e krijuar nga KFOR-i herë rritej e herë zvogëlohej, por kjo nuk solli ndonjë rezultat për ta bashkuar qytetin e ndarë. Edhe Plani i Shtajnerit, të cilit i duartrokitën të mjerët politikanë, duke e cilësuar pa kurrfarë baze plan të bashkimit, legjitimoi ndarjen. Kështu hap pas hapi elementi i ndarjes jo vetëm që nuk do të hiqej apo sadopak të zbehej, por ai forcohej, trashej dhe pasurohej me elemente të reja të rrezikshme. Derisa, Serbia po e bënte spastrimin e shqiptarëve autoktonë, pra, bënte spastrim etnik, institucionet e ashtuquajtura të Kosovës, gjenin rastin ti mbushnin xhepat e tyre dhe të sillen me indiferencë ndaj këtij spastrimi.
Derisa në njërën anë Serbia plotësonte këtë boshllëk që krijonte papërgjegjësia, nënshtrimi pa kushte dhe demagogjia e politikanëve shqiptarë, fuste para për t`ua blerë pronat dhe shtëpitë, bile edhe zyrtarëve shqiptarë të cilët ia kthyen shpinën vendlindjes, në anën tjetër, institucionet dhe bartësit e tyre, pa turp fare, krekosen për Mitrovicën, jetojnë qetë-qetë në Prishtinë, sepse shitën pronat e tyre duke i bërë dëm Kosovës. Derisa Serbia e bënte punën e vet në dëm të bashkimit të qytetit dhe ndërmerrte veprime konkrete për ta bërë fakt atë, bartësit e institucioneve fare pa turp ndërmerrnin hapa për t`u shetitur me vetura luksoze, për të shpërdoruar djersën dhe mundin e popullit, duke mbledhur para e bërë luks e pasuri përrallore për veten e tyre.
Në çdo vit nga të njëjtit politikanë jepej premtimi se Mitrovica do të bashkohet. Në çdo vit dhe për çdo ditë legjitimohej në heshtje ndarja. Politikanët shqiptarë nuk bënë as lavrën e miut për të krijuar kushte për kthimin e shqiptarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre. Të njëjtit, për çdo ditë dhe më shumë se njëherë në ditë, hiqeshin e çirreshin, klithnin e brohoritnin për kthimin e serbëve në Kosovë. Ky përkushtim dhe devotshmëri e tyre për kthimin e serbëve bëhej për ti bërë shërbim plotësimit të standardeve dhe për ta bërë Kosovën pronë të të gjithëve, me të drejtë që për të të vendosin të gjithë, pronë të gjithkujt dhe njëkohësisht të askujt. Kjo bëhej me qëllim për t`ia marrë të drejtën shumicës absolute shqiptare që të jetë vetë zot në tokë dhe shtëpi të vet.
Në këtë ambient të përshtatshëm, qeveria serbe u fut drejtpërdrejtë dhe hapur duke mbështetur dhe blerë vetë shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, ndërsa qeveritë e Kosovës ndajnë shuma të konsiderueshme parash për të ndërtuar shtëpi të reja për serbët. Për deri sa qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera na mbytën me dëshmi të përkujdesjes për serbët, ndërkaq Serbia vazhdon ta fuqizon pushtetin e saj në Kosovë. Veç pushtetit paralel me UNMIK-un, Serbia po depërtonte dhe depërton fuqishëm me elementin kriminal brenda UNMIK-ut dhe IPQVK-ve. Për derisa, Serbia shfrytëzonte maksimalisht dhe i studionte rrethanat dhe vazhdonte hapat për të bërë fakt të kryer punët në dëm të shqiptarëve, politika shqiptare këto veprime i kundërshtonte formalisht, duke kërkuar në vazhdimësi mbështetje në Rezolutën 1244. Kjo sjellje vërtetë paraqet tabllon e mjerimit politik dhe sindromin e rëndë të një hipokrizie të skajshme.
Po Mitrovica sot?
Politikanët e dëshmuar për lëshime politike vazhdojnë të bëjnë pazar me çështjet madhore të kombit tonë me armiqtë tanë. Tani kur e panë të gjithë, se sa të padenjë u treguan ndaj interesave të popullit të vet, iu doli gjumi dhe vendosën ta përmendin edhe Mitrovicën. Mos, të harrojmë, se kjo ndodhi, vetëm pasi që z. Ahtisari deklaroi, se ky është një problem i veçantë, i cili do të rregullohet pas vendosjes së statusit të Kosovës, duke u trajtuar në mënyrë të veçantë edhe zgjidhja e tij. Tek pas këtij deklarimi tejet konkret dhe të rrezikshëm, iu ra në kokë të mjerëve, heshtakëve të rrezikshëm, se tani paska ardhur koha për të bërë diçka. Dhe kur? Kur dëmet janë të mëdha për shkak të vonesës së papranueshme dhe sjelljes së dëmshme, indiferente e përbuzëse që ia bënë këtij problemi të mprehtë politikanët e Kosovës. Tani këta harrestarë të interesave të përgjithshme dhe kujdestarë të devotshëm të interesave të ngushta personale, kërkojnë që kjo çështje të jetë në pakon e përpjekjeve për vendosjen e statusit të ardhshëm. Pra, sipas politikanëve tanë, kjo çështje duhet të rregullohet krahas rregullimit të statusit politik. Vërtetë parimisht kjo është e drejtë, por në rastin tonë, procesi i bisedimeve nuk do të rezultojë me zgjidhjen e drejtë të statusit politik të Kosovës. E themi, se në këtë mënyrë nuk kemi çoftë edhe një argument të vetëm për të besuar.
Çfarë duhet bërë?
Të bëhet kthimi i shqiptarëve në shtëpitë e tyre, të dëshmohet në praktikë prania e tyre. Pse jo, le të bëhet edhe kthimi i serbëve në jug të qytetit. Kushti i parë që duhet të plotësohet, pra, është kthimi i familjeve shqiptare në pjesën veriore. Kjo është e drejta më elementare. Ta shfrytëzojmë atë. Bandat serbe, edhe mund të reagojnë, sepse do ti motivojë Serbia, mirëpo, ky reagim nuk do të jetë me tanke e topa. Serbët e armatosur me armatim të lehtë nuk mund të bëjnë asgjë më shumë se sa shqiptarët që nuk kanë kah tia mbajnë veç se ta mbrojnë jetën e tyre, dinjitetin e tyre në vendin e vet. Tekefundit e drejta për vetëmbrojtje me këtë rast, është në rendin e ditës. Të rinjtë dhe kryefamiljarët kërkojmë që të kthehen në dheun e të parëve.
Kjo është vërtetë sakrificë nën të tilla kushte, mirëpo kjo bëhet për Kosovën, për ruajtjen e tokës sonë. Mbetjen pa shqiptarë e do Serbia, sepse të tillë mund ta qeverisë si të dojë. A mund ta lejojnë këtë bijtë e shqipes në këto rrethana kur mundësia për të mos ndodhur e keqja është e madhe? Këtë duhet ta bëjmë pra, për hir të gjakut, për hir të lirisë, për hir të paqes, për hir të të ardhmes dhe për brezat që do të vijnë. Nëse, nuk e shlyejmë këtë detyrim elementar, atëherë, do të bie mbi ne mallkimi i merituar. Çdo pazar me Mitrovicën është humbje e saj, humbje e pjesës veriore të saj. Aktualisht çdo ofertë për serbët atje është çimentim i ndarjes, është mundësi për copëtim në të nesërmen. Prandaj, ta ndalim këtë, tu themi jo bisedimeve për ta parandaluar legjitimimin e statusit të ardhshëm brenda të cilit është aktiv elementi i ndarjes dhe i ri copëtimit të Kosovës. Ti themi jo tani keqtrajtimit të Kosovës dhe popullit të saj, sepse duke i thënë kështu, do ti themi po lirisë, po përpjekjeve që pengojnë gjakderdhjet shqiptaro-serbe, nesër.
Smajl Latifi, kryetar i LKÇK-së