Piromanët, kampionët e krimit mjedisor
Shkruar nga Afrim Berisha
Me rastin e shënimit të festës së 1 Majit përveç tjerash jemi përballur me një dukuri e cila tash disa vite po përsëritet dhe me gjasë do të vazhdojë të jetë pjesë e shoqërisë sonë edhe për një kohë.
Kjo ditë edhe njëherë u shfrytëzua nga piromanët për të treguar çmendurinë e tyre festive me ndezjen e zjarreve anë e kënd Kosovës, pjesa më e madhe e të cilave u shoqërua edhe me djegien e gomave.
Ajri edhe ashtu i ngopur me ndotje si pasojë e ndotësve që lirohen nga termocentralet, veturat e vjetra e ndotës të tjerë, u ngulfat me ndotje edhe nga bloza, dioksinat, monoksidi i karbonit dhe materiet tjera të dëmshme e kancerogjene që lirohen si pasoje e djegies së gomave.
Këto veprime treguan edhe njëherë nivelin e ulët të përgjegjësisë individuale kur është në pyetje mbrojtja e mjedisit por edhe neglizhencën e institucioneve relevante për të vepruar në parandalimin e këtyre veprimeve kundërligjore.
Duke kundërshtuar këtë veprim shumë të dëmshëm jo vetëm për mjedisin por edhe për shëndetin publik, kishte reagime të ndryshme nga institucione dhe individë. Madje në disa raste këto veprime u cilësuan si krim mjedisor e në disa të tjera si akt jo civilizues.
Në fakt nëse e analizojmë konceptin dhe definicionin e termit krim mjedisor do të shohim se ky cilësim deri në një masë është i drejtë, pasi që në terminologjinë mjedisore: Krim mjedisor konsiderohet një akt për ndjekje penale në kundërshtim me ligjet mjedisore i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë e dëmton mjedisin duke përfshirë këtu ndotjen e ajrit, ndotjen e ujit, shpyllëzimin, dëmtimin e llojeve bimore dhe shtazore dhe hedhjen e mbeturinave të rrezikshme (http://www.historylearningsite.co.uk/environmental_green_crimes.htm).
Por nuk është vetëm djegia e gomave dhe ndotja e qëllimshme e ajrit që mundë të cilësohet si krim mjedisor. Mania për ndezjen e zjarreve në shoqërinë tonë është bukur e shprehur edhe kur është në pyetje djegia e pyjeve e cila shpesh herë është konsideruar si e qëllimshme dhe me prapavijë.
Ndërsa, në vargun e veprave që mundë të vlerësohen si krime ndaj mjedisit në Kosovë, janë edhe vrasja dhe mbajtja e llojeve të egra shtazore e tregtimi ilegal me to, ndotja e qëllimshme e ujërave me materie helmuese, transporti ilegal i mbeturinave të rrezikshme, shkatërrimi i shtretërve të lumenjve dhe veprime tjera te ngjashme.
Edhe pse institucionet e Kosovës e kanë identifikuar krimin mjedisor si problem dhe kanë bërë hapat e parë në zgjidhjen e tij, ende jemi në fazën fillestare të krijimit të një mekanizmi funksional për parandalimin dhe luftimin e tij.
Hiq disa raste, pjesa me e madhe e veprimeve që janë ndërmarrë për të parandaluar krimin mjedisor kanë qenë kryesisht deklarative dhe sensibilizuese.
Megjithëkëtë në kuadër të masave të deritanishme për të luftuar krimin mjedisor vlen të veçohet sidomos themelimi i Departamentit për Krime Mjedisore në Policinë e Kosovës, disa veprime të ndërmarra nga Inspektorati i mjedisit i MMPH-së ne lidhje me ndalimin e shkatërrimit te shtretërve te lumenjve, dhe një projekti nga OSBE i cili ka involvuar ne takime dhe diskutime shumicën e aktorëve qe janë të relevant për krimin mjedisor.
Gjithashtu duhet theksuar se deri diku ekziston edhe baza e ligjore për parandalimin dhe luftimin e krimit mjedisor i cili kryesisht është i trajtuar në Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës dhe në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Megjithëkëtë luftimi efikas i krimit mjedisor, përtej këtyre angazhimeve të veçuara dhe fillestare kërkon një angazhim më gjithëpërfshirës për shkak të kompleksicitetit të çështjeve që përfshinë, dhe llojllojshmërisë së veprimeve që ngërthen në vete.
Përballja me krimin mjedisor është një çështje që kërkon në radhë të parë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve në mes të disa institucioneve relevante sikurse janë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria, Gjyqësori dhe komunat.
Mungesa e bashkëpunimit nga një institucion do të vështirësonte tej mase ndërmarrjen e veprimeve konkrete në luftimin e krimit mjedisor.
Një shembull që e ilustron këtë fakt janë lëndët për prerje të pyjeve në gjykata ku vetëm gjatë vitit 2010 në Kosovë janë ngritur 7.600 padi për prerjen ilegale të pyjeve apo dëmtimin e tyre dhe asnjë nga to nuk është shqyrtuar.
Pra për të bërë më funksional sistemin e luftimit të krimit mjedisor nevojitet njëkohësisht reforma dhe veprime në disa hallka duke filluar nga zbatimi i ligjeve mjedisore, monitorimi i gjendjes së mjedisit, mbledhja e fakteve dhe dëshmive për krimet mjedisore dhe përmirësimi i procedurave aktuale gjyqësore.
Për të realizuar të gjitha këto në radhë të parë do të nevojitej një Strategji dhe një Plan i Përbashkët i Veprimit i të gjitha institucioneve që janë të involvuar në luftimin e krimit mjedisor e më pastaj zbatimi në praktikë i të gjitha masave dhe veprimeve.
Natyrisht që i tërë ky proces duhet të shoqërohet edhe me një fushatë vetëdijesimi për të rritur nivelin e njohurive për krimin mjedisor.
Veprime tjera qe do të ndikonin pozitivisht në parandalimin dhe reduktimin e krimit mjedisor janë edhe bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare rajonale e botërore, nëpërmjet përfshirjes në projekte të ndryshme të kësaj natyre, si dhe shkëmbimi i përvojave për përsosjen e teknikave të hetimit dhe ndjekjes me vende që kanë traditë zbulimin dhe hetimin e krimit mjedisor.
Duket cekur po ashtu se sot, në botë veprojnë aktivisht mjaft organizata globale e rajonale që në kuadër të veprimtarisë së tyre e kanë futur si prioritet në agjendë luftimin e krimit mjedisor të tilla si INTERPOL, Agjencia e Hetimit Mjedisor, Programi Mjedisor i Kombeve të Bashkuara dhe deri diku edhe Agjencia Evropiane e Mjedisit.
Si përfundim mundë të thuhet se për Kosovën, përballja me krimin mjedisor nuk nënkupton vetëm përgatitjen e vendit tonë për të zbatuar Konventën dhe Direktivën Evropiane për Mbrojtjen e Mjedisit nga Krimi Mjedisor, por më tepër se gjithçka tjetër është nevoja për zbatimin e ligjit në sektorin e mjedisit dhe zgjidhja e disa problemeve mjedisore që janë të ndërlidhur me krimin mjedisor.
/Autori është i diplomuar në master në Ekologji dhe Mbrojtje të Mjedisit)