Pikëpamjet karshi zgjedhjeve në Kosovë
Shkruar nga Atdhe Hetemi
Prej vitit 2000 - 2008, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka mbështetur dhe ndihmuar organizimin e të gjitha zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë.
Ndërsa nga viti 2008, institucionet vendore kanë kryer funksionet ekzekutive në këtë fushë. Zgjedhjet e dhjetorit 2010, ishin të parat që u organizuan tërësisht nga Komisioni Qëndror Zgjedhor.
Sipas Raportit për Monitorimin e Zgjedhjeve Parlamentare (RMZP), edhe pse Komisioni kishte një kohë relativisht të shkurtër për të organizuar procesin zgjedhor, ai ka treguar një nivel të lartë të kompetencës në përgatitjen e zgjedhjeve.
Por, megjithse RMZP-ja konkludoi kështu, perceptimi publik i matur gjatë prillit të këtij viti nga Raporti Pulsi Publik pasqyrohet më ndryshe; vetëm 15% e kosovarëve mendojnë që zgjedhjet në Kosovë ishin demokratike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Kjo gjithashtu mund të jetë një prej arsyeve të rënies së gatishmërinë së kosovarëve për të votuar, ku vetëm 30% e tyre kanë deklaruar që do të dilnin në zgjedhje.
Gjersa në qershor 2011, si edhe në nëntor 2010, gadishmëria e deklaruar për të dalur në zgjedhje ishte më e lartë (45%).
Vërehet se me rënjen e gadishmërisë për të votuar, shtohet numri i atyre që nuk kanë ndonjë preferencë politike, të gjeturat e prillit 2013 tregojnë që kjo shifër ka arritur në 20% dhe se shumica e tyre u takojnë gjeneratave më të reja.
Në mënyrë që të përcaktohen faktorët demografikë që ndikojnë në gatishmërinë e të anketuarve për të votuar, me të dhënat e Pulsit Publik është zhvilluar një analizë korrelacioni mes gatishmërisë për të votuar dhe variablave si: gjinia, etnia, arsimi dhe të ardhurat.
Në këtë rast korrelacione të rëndësishme dhe pozitive janë gjetur mes gjinisë dhe gatishmërisë për të votuar, të cilat tregojnë që burrat votojnë më shumë sesa gratë.
Ngjashëm një korrelacion pozitiv është gjetur edhe mes niveleve të të hyrave dhe pikëpamjeve ndaj votimit, meqë ata që gëzojnë të hyra më të larta janë të prirë më shumë të dalin në votime krahasuar me ata që gëzojnë të hyra më të ulta.
Sa i përket komuniteteve, shqiptarët kanë më shumë vullnet për të votuar krahasuar me serbet dhe etnitë tjera që jetojnë në Kosovë. Në anën tjetër, ata që kanë një arsimim fillor janë më të gatshëm të votojnë krahasuar me ata që kanë arsimim të lartë.
Njëkohësisht personat me nivel të lartë të arsimit janë më pak të prirë që të parapëlqejnë ndonjë nga partitë politike në Kosovë.
Gjatë anketimit të kosovarëve lidhur me besimin e tyre tek liderët e partive politike, rezultatet kanë treguar që shumica e kosovarëve (35%) nuk i besojnë ndonjë lideri të partive politike, pasuar nga 17% e tyre që deklarojnë se nuk kanë ndonjë përgjigje apo që nuk e dinë se cilit nga liderët e partive politike i besojnë më së shumti.
Ndërsa kur të anketuarit janë pyetur, se në rast të zgjedhjeve nacionale për cilën parti politike do të votonin, atëherë 27% e tyre kanë deklaruar që nuk do të votojë fare ndërsa 20% kanë thënë që nuk kam ndonjë preferencë politike.
Në përgjithësi, të gjeturat janë befasuese dhe duhet të merren parasysh veçanërisht nga politikë-bërësit: pikëpamjet ndaj votimit në mesin e kosovarëve janë duke u bërë gjithnjë e më pesimiste, me një rënie të konsiderueshme të atyre që janë të gatshëm të votojnë.
Besimi në liderët e partive politike është gjithashtu brengosës; shumica e kosovarëve të anketuar kanë shfaqur një mungesë besimi ndaj gjithë liderëve politikë.
Pikëpamjet e tilla përbëhen nga shumë bindje dhe pritshmëri që kanë të bëjnë me sistemin politik të Kosovës. Një vëmendje më e madhe duhet ti kushtohet rritjes së pjesëmarrjes politike të qytetarëve të Kosovës për të krijuar një demokraci të fuqishme dhe stabile.
Duke analizuar grupet që janë më të prira për të mos votuar (ata me nivel të lartë të arsimit, gratë, minoritetet dhe ata me të ardhura më të ulëta) duhet bërë përpjekje të posaçme për të ulur apatinë politike në rritje dhe të tillëve tu sigurohet përfshirje më e gjerë në jetën politike.
Pjesëmarrja politike është faktor themelor i zhvillimit njerëzor, andaj sado që trendet në gatishmërinë për të votuar janë shqetësuese, ato mund të ndryshojnë por vetëm përmes përpjekjeve të bashkërenditura.
/Autori është Menaxher i Projektit Pulsi Publik/