Pesë vjetori i shtetit të Kosovës
Shkruar nga Dr. Ukë Berisha
Kosova këto pesë vite, përkundër të arriturave të pakta, mbetet ende vend me probleme të thella, që nga brishtësia e institucioneve, deri tek çështjet delikate politike, siç janë bisedat me Serbinë, fati i të pagjeturëve, demokracia jo e shëndoshë dhe problemet gjithnjë e më akute sociale.
Institucionet e vendit, edhe pse kanë marrë shumicën e kompetencave nga Bashkësia Ndërkombëtare, nuk kanë arritur që të ushtrojnë sa duhet përgjegjësitë e tyre në çështjet vitale që lidhen me fatin e vendit dhe të qytetarëve të tij.
Prandaj, këto pesë vite, kemi humbur shansin për liberalizmin të vizave dhe po ashtu kemi krijuar një imazh jo pozitiv para botës perëndimore, prej së cilës presim integrime dhe investime.
Mëkëmbja ekonomike e vendit është shumë e ngadalshme, ndërkohë që krimi ekonomik e korrupsioni, sipas shumë vlerësimeve të brendshme dhe të jashtme, është bërë vërtet fenomen shumë shqetësueses që pengon zhvillimin pozitiv të vendit.
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHKD), konsideron se me themelim këshillash të ndryshëm dhe retorikë mediatike, assesi nuk mund të luftohet korrupsioni, e aq më pak krimi në vend, i cili po pengon investimet e huaja dhe po rrit tensionet politike të brendshme.
Ne konsiderojmë se institucionet përgjegjëse, urgjentisht duhet të kalojnë nga retorika e përditshme në praktikë dhe për këtë mospunë, dikush të ndëshkohet me dorëheqje, e dikush që ka rënë ndesh me ligjin, të merr dënimin e merituar, në mënyrë që të demonstrojmë para botës se Kosova është shtet ligjor dhe aspiron një drejtësi shoqërore për të gjithë.
PSHDK-ja në këtë pesë vjetor, mbetet thellë e brengosur sidomos për rrugën e integrimit të vendit në familjen perëndimore. Vendi ynë i zhytur në konflikte politike pa sens dhe për qëllime tepër të ngushta ideologjike, krahinore dhe herë- herë klanore, ka humbur mundësitë të krijojë një shtet të së drejtës, ka humbur shansin për investime të huaja.
Po ashtu, duhet theksuar faktin se Kosova ka bërë shumë pak në promovimin e shtetësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar. Është ndjekur një politikë e paqartë për njohjet, duke u përqendruar vetëm tek një grumbull shtetesh, ndërkohë që janë lënë me dhjetëra shtete tjera pa kontakte.
Në këtë pesë vjetor, Kosova mori edhe njëherë raport negativ për liberalizmin e vizave dhe për drejtësinë në Kosovë, një raport që përshkohej me nota tejet kritike. Prandaj, PSHDK-ja kërkon që këto raporte duhet pritur me vetëdije kritike dhe debate të brendshme, mirëpo pa e hedhur fajin askund tjetër.
Sduhet të harxhojmë energji të kota, duke kërkuar alibi dhe duke gjetur arsye të jashtme për paaftësinë tonë për ti përmbushur kriteret e parapërcaktuara nga BE-ja, për liberalizimin e vizave. Ne kemi një qeverisje të papërgjegjshme, sa vetëm optimistët e mëdhenj, do të prisnin vlerësime tjera nga raporti i Bashkimi Europian.
Të gjitha këto elemente, janë sinjal i qartë se populli i Kosovës dhe përgjegjësit e tij, skanë kohë më të humbin me retorika dhe konflikte të brendshme. Kosova duhet të mendojë ta ndërtojë idealin e interesave të përgjithshme, sepse ndryshe shteti rrezikon të bëhet për lukset e asaj klase politike që qeverisë vendin.
Pesë vjetori i pavarësisë së Kosovës, veç faktit se është moment gëzimi për gjithë qytetarët e vendit, për ata që dhanë jetën për këtë ditë, për qindra e qindra të tjerë që kanë sakrifikuar çdo gjë, duhet të shërbej edhe si moment reflektimi, që të analizojmë çka kemi bërë gjatë këtyre viteve që ta përmirësojmë jetën tonë të brendshme dhe kështu Kosova të përfundojë njëherë e përgjithmonë kapitullin e vuajtjeve.
PSHDK-ja me këtë rast, uron të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë të rëndësishme.
(Autori është Kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane te Kosovës)