26 Dhjetor 2024

Përtëritje kujtese

Majlinda Sinani-Lulaj

Në 20-vjetorin e themelimit të organizatës studentore “Klubi Kulturor i Studentëve”
 
Janari është muaji që nis një vit të ri kalendarik. Për mua mbetet përplasje mendimesh e përtëritje kujtese. Të shumtën e kaloj heshturazi, por ka edhe prej atyre ngjarjeve që kujtojmë, për të cilat duam të lëmë një gjurmë të shkruar, sa për të mos harruar!
16 janari, më kthen 20 vjet prapa, në Kuvendin themelues të Klubit Kulturor të Studentëve, një organizatë studentore e Universitetit të Prishtinës, që kishte për qëllim përhapjen e frymës së rezistencës aktive çlirimtare.
Ideja e themelimit të Klubit Kulturor të Studentëve (vendimi për emrin mbart një rrëfim të veçantë, që do të mund të shpjegohej në një shkrim tjetër), ka zënë fill nga Salih Lajçi, Gani Fetaj, Zyrafete Muriqi e Selim Lulaj, studentë të Fakultetit Teknik, në tetorin e 1993-s, pas arrestimeve të pjesëtarëve të LPK-së e të LKÇK-së, në verën e atij viti. Në atë kohë u bë e domosdoshme revolta, tanimë jo nëpër Evropë, por në Kosovë, ku vdekja sfidonte jetën, secilin çast!
Ky grup i vogël studentësh, që gjithashtu ishin të burgosur politik, asnjëherë nuk e kërkuan meritën për guximin, as mirënjohjen për besimin që na e kishin dhënë një brezi të ri studentësh, që ju bashkëngjitë organizimit, duke qenë në të njëjtën kohë edhe pjesë të organizatave që ilegalisht vepronim në Kosovë.
20 vjet më pas, i kujtoj me respektin me të thellë ata që ishin nisma e Klubit, por edhe Naim Krasniqin, Bekim Dobrën, Hyrë Jeminin (dëshmore), Ajshe Muriqin, Hyrie Veliun, Artan Demajn, Nesrete Haxhijajn, Alban Nezirin, Bujar Dugollin, Arianit Demajn, Hysni Klinakun, Rexhep Selimin, Elmi Dakën, Ragip Lulajn, Hysen Bajraktarin, Afërdita Dautajn, Selim Gashin, Isa Krasniqin, Nazmije Klinakun, Ilir Kelmendin (i vrarë gjatë luftës në Kosovë), Vlora Baraliun, Enver Dobrën (dëshmor), Besa Rexhën, etj.
Por jo vetëm!
Në fillet e organizmit dhe aktivitetet e para, mbështetja kryesore ka qenë Ukshin Hoti. Diskutimet me të deri orëve të vona pas mesnatës, dhomave plot lagështi ku banonin studentët, e në mënyrë të veçantë tribuna politike në formën e një ligjërate publike me Ukshin Hotin, e organizuar nga Klubi, në pranverën e hershme të vitit 1994, kanë shërbyer si linjat e veprimit tonë.
S’dua të harroj edhe ata që u përgjigjeshin ftesave tona, student shumica, por edhe ish të burgosur politik: Hydajet Hysenin, Selatin Novosellën, Bajram Kosumin, Bedri Halimin, Merxhan Avdylin, Nait Hasanin etj., të cilët kanë përcjellë aktivitetet e Klubit e na kanë dhënë mbështetje morale.
Kuvendi themelues nxori kryesinë prej shtatë anëtarësh, të cilët me unanimitet vendosën të punonin si grup, duke e ndarë peshën dhe përgjegjësinë e vendimeve dhe veprimeve krejtësisht barabartë. Them se kjo mënyrë pune ka qenë një nga alibitë që ka shpëtuar anëtarët e Klubit nga vala e arrestimeve të vitit 1997 dhe nga lidhja e Klubit me dy grupet e gjykuara në atë kohë. Vendimet merreshin pas diskutimeve të gjata e mendimeve edhe të kundërta, e në koordinim të ngushtë me studentët që tashmë i kishim identifikuar si bërthama e funksionimit.
Klubi Kulturor i Studentëve u bë shkëndija e një fryme të kërkuar në atë kohë. Natyrisht që për shkak të rrethanave të kohës (territ të plotë informativ), Klubi nuk mori asnjëherë përmasat e një organizate të njohur gjerësisht, por vazhdon e kujtohet si organizata e vetme studentore që në atë periudhë zhvillonte aktivitet në Prishtinë.
Si organizatë studentore, Klubi, ka pushuar së funksionuari më 1997, atëherë kur rezistenca studentore në thelbin e saj mori përmasa të reja. Pjesëtarët e Klubit kanë vazhduar më tutje individualisht të gjejnë vendin e vet në rrjedhën e kohës, por e besoj se kudo ku kanë qenë, brenda tyre, ata kanë ruajtur krejt idealin e lirisë.
20 vjet më pas, guxoj e them se njerëzit me të cilët kam vepruar në Klubin Kulturor të Studentëve, vazhdojnë e mbeten njerëzit të cilëve edhe sot do t’ua besoja jetën!
Ju kërkoj ndjesë atyre që mund t’i kem harruar pa i përmendur, e paraprakisht mirënjohëse atyre që mund të plotësojnë kujtesën time me kujtimet e tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)