25 Dhjetor 2024

Perspektiva e plogësht e të rinjve sot

Shkruar nga Hilmi Gashi

Rinia, e ardhmja e te sotmes, aktualja e së nesërmes.

Ajo, sot është kapërthyer brenda një konfuzioni, apatie dhe horizonti të paqartë. Proceset aktuale të cilat ndodhin nё Kosovë, qoftë në kontekstin e zhvillimit ekonomik, teknologjik apo social, sipas gjithë parametrave matës gjenden ende larg strukturave zhvillimore rajonale.

Nën përmasat e zhvillimit të këtillë, rezulton një mungesë e perspektivës jetike për pjesën më të çmuar të shoqërisë, të rinisë kosovare, perspektiva zhvillimore e të cilës është jashtëzakonisht e ulët dhe e kufizuar në çdo pikëpamje.

Në shoqërinë tonë mbi gjysma e popullsisë i takojnë moshës se re, që paraqet një përparësi të madhe në raport me vende tjera të rajonit, mirëpo për dallim nga këto vende të rinjtë në Kosovë në përgjithësi janë të margjinalizuar, po ashtu investimi nga ana e institucioneve tona në ngritje të kapaciteteve organizative të të rinjve si dhe arsimimi kualitativ ka munguar në një masë të madhe.

Të rinjtë sot janë në një gjendje aq kritike sa vërtetë po kalojnë momente shumë tё vështira dhe si i gjithë vendi ndodhet para udhëkryqeve tё mëdha.

Ende s’ka një mekanizëm dhe strategji veprimi për tejkalimin e gjendjes me të cilën përballet rinia, ndaj kjo lë për tu nënkuptuar se problemet latente edhe më tej do të marrin përmasa afatgjate.

Mosekzistimi i një strategjie adekuate në nivelin mikro dhe makroekonomik të zhvillimit të ekonomisë së tregut, po krijon probleme afatgjate në balancimin mes ofertës dhe kërkesës në tregun e punës.

Mungesa e subvencioneve dhe politikat e disfavorshme ndaj kompanive vendore, kanë bërë vendin tonë vasal të importit nga shtet e rajonit dhe kanë krijuar kushte të vështira sociale, të cilat vështirë që mund të ndryshohen për një periudhë të shkurtër kohore.

Në realitetin e ri shoqëror në botë të rinjtë paraqesin komponent shumë të rëndësishme në zhvillimin e shoqërisë dhe forcë shtytëse në zhvillimin e reformave politike, ekonomike dhe sociale në shoqëri, duke mundësuar krijimin e një ambienti emancipues dhe instalimin e vlerave të mirëfillta demokratike.

Ndërsa për pasojё, në vendin tonë gjendja ka ardhur deri nё atё pikё sa të rinjtë sot janë lënë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në mëshirën e fatit.

Duke u ndier si njё vrimё e zezё nё Ballkan nga pamundësia e udhëtimit të lirë në Evropën e civilizuar dhe pamundësia zhvillimore reciproke, po bën që të rinjtë tё orientohen drejtё horizonteve qё u mungojnё polet, duke i imponuar edhe vlera të veçanta për fatin më të keq ku implementimi i tyre brenda normave evropiane, do të ishte i pamundur.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)