22 Dhjetor 2024

Përshëndetje për vendosjen e trupave amerikane në Veri

Shkruar nga Behgjet Pacolli

Duke u marrë shumë me kalkulime zgjedhore, ndoshta kemi lënë pasdore ndonjë lajm të rëndësishëm. Nuk them se zgjedhjet janë të parëndësishme, për forcimin e mëtejshëm të shtetësisë sonë, të institucioneve të reja, por se nuk duhet të mos konsiderojmë zhvillime të tjera që janë drejtpërdrejt të rëndësishme për forcimin e kësaj shtetësie.

Vendosja e trupave të Gardës Kombëtare amerikane të New Mexico-s, si pjesë e KFOR-it amerikan në Veri të Kosovës, është me siguri një lajm i jashtëzakonshëm dhe i rëndësishëm për Kosovën. Këto trupa janë pjesë e njësive elitë të ushtrisë amerikane, element që tregon rëndësinë që i jepet Kosovës prej kësaj ushtrie.

Ushtarë të kësaj Garde kanë shërbyer dhe shërbejnë në pika të rëndësishme të krizave botërore, si në Afganistan, Irak dhe Kubë, ashtu si dhe në Kosovë. Mesazhi tjetër që vjen prej këtij lajmi është se gardistët e këtij shteti amerikan, janë në rritje në Kosovë krahasuar me të kaluarën.

Ne e falënderojmë nga zemra miken tonë të madhe, sponsoren kryesore të pavarësisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Si njeri që kam punuar shumë në Shtetet e Bashkuara në vitet 2003-2006, ky vendim është konfirmim i drejtësisë së vendimit tim të atëhershëm për të lobuar për shpalljen e pavarësisë duke nisur që nga SHBA-ja, kështjella më e rëndësishme e demokracisë botërore, por njëherazi dhe mikja më e madhe  e kombit shqiptar.

Që nga koha e 14 pikave të Uillsonit, për vetëvendosjen e kombeve të vegjël, SHBA-të asnjëherë nuk janë pozicionuar kundër kombit shqiptar, madje kanë shërbyer për frenimin e orekseve të fuqive të tjera ndaj tërësisë territoriale të shtetit shqiptar.

Ata kanë qenë vendimtarë në udhëheqjen e NATO-s në operacionin për çlirimin e Kosovës, por dhe në bindjen e fuqive të tjera jashtë NATO-s se ky operacion ishte i pashmangshëm.

Më tej amerikanët me ndihmën e tyre të madhe si donatorët kryesorë për Kosovën, me asistencën institucionale për demokracinë tonë të brishtë, me praninë ushtarake të vendosur në Jug të Kosovës, kanë qenë garancia kryesore e ruajtjes së Kosovës si shtet i vërtetë.

Meqë jemi tek zgjedhjet, qëndrimi i ambasadorit amerikan Christofer Dell ndaj manipulimit të zgjedhjeve në zonën e Drenicës ishte moment kyç që shpëtoi integritetin e zgjedhjeve në Kosovë nga shkatërrimi përfundimtar i tyre.

Parë kështu, në vazhdimësi historike, ky vendim për dërgimin e trupave amerikane në Veri të Kosovës është dëshmi e përkushtimit të pandërprerë të SHBA-ve për forcimin e kësaj shtetësie, për ruajtjen e Kosovës brenda kufijve të saj ndërkombëtarë të pranuar nga të gjithë shtetet që e kanë njohur vendin tonë.

Dhe ne na nevojitet ky përkushtim amerikan për forcimin e shtetësisë sonë apo ruajtjen e Kosovës brenda kufijve të saj ndërkombëtare, veçanërisht në rrethanat ndërkombëtare që po kalon Kosova.

Të vlerësosh mbështetjen amerikane, nuk do të thotë se ne nënvlerësojmë mbështetjen europiane.Ne e vlerësojmë shumë angazhimin francez të deritanishëm në atë zonë, për më shumë që Franca në vijimësi dhe me Presidentin Sarkozi, ka dëshmuar angazhim të madh në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Por ne mendojmë se problemet e mëdha krijuara në Veri, të përkeqësuara gjithnjë e më shumë prej mungesës së autoritetit të shtetit të Kosovës në gjithë territorin, zgjidhen edhe më mirë me vendosjen e pranisë amerikane.

Kjo prani vendoset kur po flitet me të madhe për bisedimet e Kosovës me Serbinë dhe kur janë shtuar provokimet për përfshirjen e Veriut në këto bisedime dhe ndryshimin e statusit të tij juridik. Kjo vendosje e përforcon pozicionin e Kosovës në këto bisedime.

Kjo prani vendoset në kohën kur ministri i jashtëm serb ka bërë një kërcënim qesharak në lidhje me Veriun e Kosovës në një takim me diplomatët e vendit të tij.

Vendosja e njësive të elitës së ushtrisë amerikane në Veri është vetëm një pjesë e përgjigjes për këtë zotëri që ka regjistruar shumë dështime në llogari të vet dhe të shtetit të vet në 2010, duke filluar me Mendimin Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë apo dhe me vazhdimin e procesit të njohjeve.

Ne e kemi bërë të qartë si Koalicion për Kosovë të re, se favorizojmë një zgjidhje afatgjatë që kalon nga krijimi në Veri të Kosovës të një zone të lirë ekonomike në interes të qytetarëve shqiptarë dhe serbë të Republikës së Kosovës. Kjo zonë do të përfshinte, do të shkrinte në një realitet të ri ekonomik dhe komuna të tjera të Kosovës.

Por ne jemi të bindur gjithashtu se krijimi i një mjedisi të sigurt është parakusht për një zonë të tillë ekonomike, për ardhjen e investitorëve të huaj.

Ndaj duhet të duartrokasim me të madhe kontributin amerikan për krijimin e këtij mjedisi të sigurt jo vetëm në Veri, por në gjithë Kosovën.

Ne jemi të bindur se KFOR-i, i udhëhequr nga amerikanët, nuk do të ikë nga Kosova, sepse Kosova do të hyjë në NATO.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)