Përrallat ekonomike
Shkruar nga Faik Krasniqi
Nisur nga premtimet e kandidatëve për zhvillim ekonomik pa dallim fanelash politike në fushatën elektorale, qytetarët me të drejtë presin një pamje krejtësisht tjetër të qyteteve të Kosovës.
Në këtë fushatë po dëgjohen premtime abstrakte për mos thënë të kriposura. Ajo që më së shumti të bie në sy nga kandidatët është premtimi nga njëra anë i uljes së taksave dhe nga ana tjetër e shtimit të të hyrave dhe rritjes së mirëqenies sociale, gjë e cila është në shpërputhje të plotë me njëra-tjetrën. Kjo duket vetëm një eufori dhe jo diçka reale.
Kjo fushatë parazgjedhore ka shumë çka të përbashkët me festën e 1 prillit, pasi është jo e sinqertë ndaj masës të dilet me premtime pompoze të investimeve dhe në fund asgjë apo pjesërisht të realizohen.
\'\'Kosovës sipas shumë ekspertëve ekonomikë, i nevojitet një rritje të zhvillimit ekonomik për çdo vit nga 7, 8 dhe 10 përqind i duhet një buxhet jo sa ai aktual, pasi nuk do të mjaftonin edhe miliarda të tërë që të realizohet e tëra ajo\'\'.
Prandaj, gjërat duhet të pjesëtohen dhe të merren me rezervë.
Është e kuptueshme që fushatat parazgjedhore gjithmonë manifestohen me premtime të tilla, por qëllimi esencial është shqyrtimi i politikës dhe jo i projekteve.
Shqetësuese është që gjithë kandidatët i përdorin këto të dhëna dhe premtojnë se do të ketë zhvillim ekonomik.
Këto janë zgjedhje lokale që të vetmin qëllim kanë krijimin e një ambienti më të mirë për qytetarët.
Mund të arrihet pjesërisht diçka çfarë premtohet, mirëpo edhe zgjedhjet qendrore sikur të kishin qenë, është e kotë dhe absurde të bëhen të gjithë ato premtime. Në fund të fundit edhe nëse bëhet një premtim i tillë apo konkretizim gjithë ato mjete nuk janë të përfaqësuesve të partive politike, por të popullit dhe duhet të jenë në kuadër të buxhetit të konsoliduar të Kosovës.
Është fushatë parazgjedhore dhe e drejtë e tyre që të hedhin hi në sy por sa dhe si perceptohet një dukuri e tillë është diçka tjetër.
Se do të implementohet diçka e tillë është diskutabile të thuash e pamundur.
(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme \'\'Lajm\'\')