25 Dhjetor 2024

Përrallat e gjyshes

Shkruar nga Faik Krasniqi

Fushata nisi. Partitë e mëdha, sigurisht, me xhepin më të fortë e kanë nisur fushatën me bujë të madhe. Me koncerte, me reklama, me bilborde, me vetura të mbuluara me flamujt apo me kamionçina ftojnë votuesit për të votuar ndonjërin nga kandidatët.

Gjatë këtyre 30 ditëve të fushatës parazgjedhore në Kosovë, në të gjitha mediat elektronike dhe ato të shkruara, do të kemi mundësi të shohim partitë politike dhe kandidatët e tyre, duke dhënë premtime të pafundme në mënyrë që t\'i bindin votuesit që të dalin në zgjedhje dhe t\'i votojnë ata. Do të dëgjojmë akuza të lloj-llojshme që do të bëjnë partitë dhe kandidatët kundër njëri-tjetrit.

 Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi kandidatët e tyre t\'i shohin edhe për së afërmi, pasi ata do të shkojnë në çdo cep të Kosovës, lokal për lokal, madje edhe nëpër kafeneja dhe çajtore për të kërkuar votën e tyre, duke ju dhënë premtime të mëdha që natyrisht ato kurrë nuk i realizojnë.

Motoja e çdo kandidati padyshim që do të jetë; voto për mua, sepse unë do ta realizojë këtë që kryetari i mëhershëm e ka premtuar por nuk e ka realizuar. Ata me çdo kusht do të mundohen t\'i bindin votuesit që të votojnë për ata.

Zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës me partitë politike është shumë i madh, dhe në çdo zgjedhje nacionale ose lokale që janë mbajtur në Kosovë është vërejtur në masë të madhe ky zhgënjim, derisa në zgjedhjet lokale të vitit 2000 pjesëmarrja e votuesve ka qenë 82 për qind në vitin 2010 pjesëmarrja ka qenë 42 për qind, dhe sipas shumë OJQ-ve në këto zgjedhje pjesëmarrja e votuesve do të jetë akoma më e ulët.

Shifrat flasin vetë dhe zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës për të mos dalur në zgjedhje është mëse e arsyeshme, pasi deri më tash premtimet e partive politike që e kanë shijuar pushtetin nuk i kanë realizuar ato për t\'ju rregulluar sadopak jetën atyre. Janë shumë arsye pse qytetari i Kosovës  që të mos dalë të votojë në këto zgjedhje.

- Republika e Kosovës edhe 14 vite pas luftës, po përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt që investitorët e huaj të mos investojnë në Kosovë.

- Papunësia mbetet në shifra alarmante. Kemi një ekonomi të brishtë, fabrikat u shitën për një shumë qesharake dhe shumica prej tyre nuk janë funksionale, ato me ndihmën e qeveritarëve ranë në duart e matrapazëve, ku padyshim hise në këto fabrika kanë edhe një pjesë e politikanëve tanë, ndërsa varfëria po shtohet dita-ditës. Mbi 400 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në varfëri të skajshme/ekstreme, dhe mijëra familje të djegura nga lufta ende s\'kanë kulm mbi kokë.

- Familjet e dëshmorëve, martirëve dhe invalidëve të luftës kanë mbetur pa përkujdesje institucionale, në mëshirën e Zotit, dhe vetëm gjatë fushatave elektorale të partive politike kujtohet kjo kategori dhe kryesisht përdoret për të fituar në kurriz të tyre sa më shumë vota.

- Shëndetësia është në gjendje të mjerueshme, dhe pacientët që vizitohen çdo ditë nëpër spitalet e Prishtinës e gjetiu, më së miri e ndiejnë këtë gjendje katastrofale në të cilën ndodhet shëndetësia në Kosovë.

- Cilësia në arsim ka rënë dukshëm, ku po dominojnë Universitetet private që pas luftës u bien si këpurdhat, dhe dita-ditës këto të vetëquajtura \'\'Universitete\'\' po prodhojnë analfabetë me diploma,  që padyshim këto gjëra do t\'i kushtojnë më vonë Kosovës shumë shtrenjtë.

- Korrupsioni është shpërndarë si kancer në të gjithë Kosovën, ku marrim gjithmonë kritika nga organizata të ndryshme financiare dhe nga BE-ja, për nivelin e lartë të korrupsionit.

- Krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore, prostitucioni, Kosovën po e përcjellë edhe tash 14 vite pas përfundimit të luftës. Organet policore si dhe sistemi i korruptuar gjyqësor nuk po ia arrijnë t\'i luftojnë këto dukuri negative, që janë shumë të dëmshme sidomos në këtë fazë të shtetbërjes që po kalojmë, ku e gjithë bota kanë vëmendjen tek ne se si po e menaxhojmë këtë pavarësi gjysmake(të çaluar).

- Veriu i Mitrovicës po vazhdon akoma të mbetet jashtë juridiksionit kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe si në çdo fushatë parazgjedhore partitë politike do ta përdorin pikën më të nxehtë Veriun e Mitrovicës, kinse ata do ta ri-bashkojnë qytetin e ndarë të Mitrovicës që nga paslufta, në mënyrë që të fitojnë sa më shumë vota.

Premtimet e partive politike në Kosovë që i kanë bërë në të kaluarën në çdo fushatë parazgjedhore por që do t\'i bëjnë edhe tash, janë të besueshme që do t\'i realizojnë, aq sa përrallat e gjyshes sime që mi tregonte kur kam qenë i vogël në mënyrë që të më qetësonte dhe të flija gjumë dhe kur u rrita e kuptova që ato përralla kishin qenë të gjitha gënjeshtra.

(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme \'\'Lajm\'\')

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)