Përjetimet e të bërit fushatë me pullë të kuqe për zgjedhje, pa zgjidhje
Shkruar nga Behxhet Sh.Shala - Bajgora
Nuk bëhesh dhëndër, me halete të Hasanit: Fushata para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 ka filluar të bëhet e bezdisshme, e lodhshme dhe e pabesueshme, sikur edhe fushatat tjera para kësaj.
Realisht, kjo fushatë i ka disa dallime apo një kualitet që i ka munguar fushatave tjera; pastrimi i listave nga të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar, futja në lista e më shumë të rinjve, mobilizimi më i madh në terren, mobilizimi më i madh i diasporës dhe sqarimi si duhet të votohet, premtimet e cunguara për disa procese që nuk varen nga ne sikur që është liberalizimi i vizave, anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë etj.
Shqetësim ende mbetet përfaqësimi joproporcional i femrave në lista krahasuar me përqindjen e popullsisë së Kosovës. Kjo fushatë karakterizohet edhe me dhunën dhe terrorin që ushtrohet nga Beogradi ndaj liderëve dhe votuesve serbë të Kosovës e që nuk janë në të njëjtat frekuenca politike dhe shoviniste me Listen Serbe.
Gjithashtu, kjo fushatë karakterizohen me mungesë së ndjesisë elementare politike të faktorit politikë kosovar që, jo që nuk solidarizohet me serbët lokalë të integruar në Kosovë dhe me përndjekjen kriminale që ua bënë Beogradi qoftë edhe përmes edhe një deklarimi formal publik por as edhe të faktorit vendimmarrës ndërkombëtar që ka sjellje tipike oportuniste dhe i bënë llogaritë se çka fiton apo çka humbë nëse del kundër Listes Serbe.
Po të kishim votues të përgjegjshëm, më parë do të votonim për Nenad Rashiqin, Sllobodan Petroviqin se sa për Begjën apo një dyzinë hajdutësh që nuk kanë lënë të zezë pa bërë dhe tash po shesin moral.
Nenad Rashiqi, në një shqipe shumë më të arikuluar se Begja dhe disa politikanë tjerë kosovarë e kërkoi votën, siç tha ai, për ta bërë një rrugë të përbashkët për të mirën e Kosovës dhe, që ishte një kërkesë e pranueshme për, së paku 99% të kosovarëve, përjashtuar këtu disa politikaj, për ta hequr qafe një monstrum politik – Listen Serbe.
Natyrisht se me këtë nuk pajtohen disa politikaj kosovarë sepse e adhurojnë Listen Serbe, si vegëz për të ardhur në pushtet.
Karakteristikë tjetër e kësaj fushate është fakti se po kërkohet përkrahje nga disa politikaj ndërkombëtarë, që janë, ose të deklasuar, ose afër deklasimit apo kanë ndikim aq sa kam unë në vendimet që i merr Këshilli i Pleqëve i fisit Zulu në Afrikë.
Është bërë si rregull që para zgjedhjeve në Kosovë “zhvendosen“ përfaqësues të partive europiane, pjesë e së cilës janë edhe disa parti tona.
Edhe tash nuk mungoi përkrahja për LDK-në nga Partitë popullore europiane sikur që edhe një deputet i majtë gjerman përkrahu Albin Kurtin dhe LVV. Doris Pak e përkrahu Vjosën, jo si lidere por si femër.
Ka hyrë përjetësisht në të gjitha arkivat botërore përkrahja publike që i jepej nga liberalët europianë, politikanit të shquar, trim dhe të mençur e mbi të gjitha të pathyeshëm dhe parimorë siç ishte Gjergj Dedaj.
Mos të flasë për përkrahjet brendashqiptare; dikush nga politikanët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut e përkrahin Kadri Veselin, Ziadin Sela dhe Blerim Reka e përkrahin Albinin dhe LVV. Kadri Veseli përkatësisht PDK e lansoi një bombë të pashpërthyer të përkrahjes, të emëruar si z.Witaker, ish prokuror i administratës së Trampit.
Madje, me te paska drekuar edhe një kingburger për të cilin mendoj se e ka një çmim astronomik. Bifteku i Nexhatit që ia serviloi Thaçit në Nju Jork del të jetë jashtëzakonisht i lirë krahasuar me kingburgerin e Buçajve.
Unë nuk kam pretendime për pushtet por, midis alternativës që të dal në një foto me Trampin dhe mbetjes së përjetshme në opozitë ; nuk e kam asnjë dilemë, çdo opozitë është më e mirë se fotoja me Trampin.
Edhe Begja e ka kuptuar këtë prandaj nuk po e përdor fare fotografinë kur u përshëndet me Trampin në kohën kur Trampi doli nga vendi ku mbreti shkonë me këmbë dhe kur qartazi shihej se Trampi, me një dorë e mbante dorën e Gjet Pacollit kurse me tjetrën i mbërthente panatallonat ku i ravijëzoheshin mbetjet e diçkaje që dikur ia identifikonte gjininë.
Mendoj se, edhe sa i përket votave, Kadri Veseli do të fitonte më shumë vota po ta bënte një foto dyshe me Samiun ( Lushtakun ), i cili, kur e takova për herë të fundit, me atë mjekërzen si Lao Ce, dukej bukur simpatik.
Samiu është bukurosh krahsuar me Trampin. Dukej se kishte bërë një trajtim të fytyrës te Shaipi . Mos të flasë se sa vota do të fitonte po të fotografohej me Leonorën që e ka një bukuru natyrore dhe përrallore.
Nuk e di që ka rast në botë kur një politikan të ketë fituar vota, i shoqëruar me gruan ?!!! Në raste të ngjashme si puna e përkrahjes ndërkombëtare në popull është një thënie: “ nuk hihet dhëndërr, me rekuizite të Hasanit ...” !
Lidhja Demokratike e Kosovës: po e bënë një fushatë pa përmbajtje dhe tipike si puna e dhëndrrit dhe Hasanit. Po e përdorë një fjalorë që është në shpërputhje me “ filozofinë “ e kësaj partie që kryesisht po thirret në të kaluaren.
Po kërkon vota nga varri dhe vrasjet e pasluftës për sqarimin e të cilave, ndonëse kishte shumë mundësi, nuk bëri asgjë. Tash e ka angazhuar një këngëtare që po e këndon një këngë anakronike: “ Ushtrinë time do ta bëjë, me Ibrahim Rugëvën “, disa vite pasi Rugova ndërroi jetë.
Edhe sa ishte gjallë Rugova ishte kjo këngë dhe absurditeti i saj ishte dhe është se Rugova, si njeri i paqes dhe mosdhunës kurrë nuk do të bënte ushtri, Nuk kishte këllçe për ushtri e lëre më të marri përgjegjësi.
Rugova ishte intelektual, ndjeshëm dhe i lëndueshëm. Intelektualët, përjashtuar Hasan Prishtinën nuk bëjnë ushtri, nuk e duan luftën sepse e preferojnë mrizin. Jo vetëm në Kosovë por në çdo vend të botës.
Isa Mustafa ka vepruar si filigranist dhe më dhelpër se të gjitha dhelprat, madje edhe se dhelpra polare. E shpëtoi përkohësisht LDK-në nga një përçarje e thellë duke i bërë bashkë ata që i kishin raportet si ujku me delet.
E rehatoi Vjosën përkohësisht, pretendentin permanent për kryetar të LDK-së dhe kryeminister e bëri koordinator dhe përgjegjës për fushatë zgjedhore kurse të moçmit e LDK-së i bëri si kori i pleqve të Mapet Shou, të cilët tremben dhe qeshin me pordhët që i bëjnë vet. Me një të rame, dy të vrame!
Nëse Vjosa dhe LDK i fitojnë zgjedhjet atëherë Isaja do të thotë se bëri zgjedhje të qëlluar me Vjosën dhe Luten kurse, nëse del pas PDK-së e që ka mundësi reale të ndodhë kjo ,atëherë i largon edhe Vjosën sikur edhe Lutën me pretekstin se iu dha mundësinë por se nuk e shfrytëzuan si duhet.
Ndonëse Isa Mustafa po vepron nga hija, nuk e besoj se është zhveshur nga ambiciet politike. Lista e LDK-së nuk ka ndryshime të mëdha, ka ndryshime kryesisht kozmetike.
Slogani i LDK-së, BESO me një pullë të kuqe është misterioz, slogan i masonëve, mistik deri në fund sepse askush nuk e ka dhënë kuptimin e saj.
Në aspektin gjuhësorë është i paqendrueshëm kurse, nëse e konsultoni fjalorin seksologjik është tundues dhe shumë erotikë. Pulla e kuqe në shumë raste është shenjë e rrezikut, paralajmëron rrezik. Nëse iu ndizet në makinë, puna nuk është mirë.
Nëse shkoni në Amsterdam pulla e kuq është biletë hyrëse për aktivitete seksuale. Nëse e ndezni televizorin, pulla e kuqe ua hapë mundësinë e kanaleve me përmbajtje erotike. Pulla e kuqe identifikohet me shtëpitë publike, me kurvëri dhe prostitucion!
Nuk e besoj se kjo ndërlidhet me LDK-në ndonëse aty janë disa prostituta politike ( 100% ) të gjinisë mashkullore që thuaja nga themelimi mbijetojnë duke ofruar shërbime ekskluzivisht të prostitucionit politik.
LDK nuk do ta njoh veten pas zgjedhjeve, e kam fjalën këta që po flasin fjalë të mëdha kurse, në çastin kur duhet të marrin vendime, i kanë koçet e zogut dy javësh!
Partia Demokratike e Kosovës: e ka fushatën shumë të mirë dhe askush nuk e ka futur thikën aq thellë në trupin e partisë sa e ka bërë PDK-ë.
Është e vërtetë se ka nepotizëm në listat e PDK-së por se ka është nepotizëm kalimtar ku, deri në legjislaturën e fundit, zëvendësuesit kanë qenë kopje e zbehtë e origjinalit. Nuk po më duket e qëlluar që Kadri Veseli ka dalur në foto me Trampin dhe Klintonin!
Më mirë do të ishte të fotografohej me Sami Lushtakun dhe Monika Levinskin ! PDK e ka një listë të mirë, madje shumë të mirë për zgjedhjet e 6 teteorit, nga ata që kanë kontribuar për liri dhe pavarësi, në krye me Hashim Thaçin dhe nga ata që i kanë të gjitha mundësitë të kontribuojnë për ardhmëri të ndritshme, në me krye Hashim Thaçin.
Në grupin e prë janë Kadriu, Ilmiu, Hajdari, Blerimi, Valoni dhe ca komandantë të tjerë të përkrahur forcërisht nga Ramiz Lladrovci kurse në grupin e dytë janë Shqiptari, Merita, Eliza, Valdeti, Memli, Hajredin Pasha, Abelardi etj.
Kadri Veseli po demonstron kondicion të një Terminatori dhe gjithëprani. Ka tolerancë brenda partisë sikur edhe për kundërshtarët politikë.
Nuk po më pëlqen që në disa raste, fjalori i tij është copy paste i LDK-së, ka karakter denoncues përballë intereseve ndërkombëtare. Besoj se ka vullnet ta luftojë korrupsionin por se koha e deklarimit është e papërshtatshme.
Ka bërë përmirësime në komunikim me opinionin e që më parë e kishte “ thembër të Akilit “. PDK mund të dalë partia fituese, në rastin më të keq del e dyta.
Aktualisht, PDK –ë është sikur çifutët në prag dhe gjatë luftës së dytë botërore ; të përndjekur nga të gjitha subjektet politike.
Është shndërruar në viktimë !Pikërisht ky status i imponuar nga subjektet leshko që kanë vija të kuqe dhe një të kaluar të zezë sikur edhe proceset nëpër të cilat do të kalojë Kosova, nuk e lënë PDK-në jashtë institucioneve.
PDK –ë, po të kishte një vizion politik, vullnetarisht, pavarësisht rezultateve në zgjedhje, do të kalonte në opozitë. Në këtë mënyrë do t’ua lënte në duar “ këmbët e Hashimit “ këtyre që po e gjakojnë aq shumë pushtetin.
Por, PDK nuk e donë opozitën ku do të jetë edhe vet sikur që as ndërkombëtarët, nuk e besoj se do ta lënë në opozitë. PDK, tradicionalisht ka afërsisht 220.000 vota . Kësaj radhe janë tri elemente që mund ta nxjerrin këtë parti në vend të parë ose të dytë;
a ) mobilizimi i madh në terren
b ) sjellja irracionale dhe përjashtuese e partive tjera politike dhe
c ) proceset përkatësisht bisedimet me Serbinë .
Lëvizja Vetëvendosje: është mobilizuar shumë sidomos në diasporë. Me çdo kusht dëshiron të jetë partia e parë dhe ta bëjë Albinin kryeminister.
Albin Kurti ka një përparësi të madhe në fushën e retorikës përballë kundërshtarëve garues . Mendoj se është patriot, i mençur dhe i pakorruptuar, parakushte këto për një qeverisje të mirë dhe ndryshim të qeverisjes. Proceset politike nuk janë në favor, as të LVV e në veçanti jo të Albinit.
Albin Kurti po sillet si mohikani i fundit i ndershmërisë duke i akuzuar të tjerët për korrupsion dhe pandershmëri. Në këtë fushatë Albin Kurti është vet LVV ; të gjitha debatet po i bënë vet, pa bërë përzgjedhje të kundërshtarëve .
Nëse LVV i fiton zgjedhjet atëherë kjo do të jetë fitore e Albin Kurtit, fitore personale. Nëse nuk del e para atëherë do të jetë humbje e LVV dhe jo e Albinit.
Sipas vlerësimit tim Albin kurtin nuk e lënë në këtë kohë, as të udhëheq bisedimet e as ta udhëheq qeverinë kurse Albini, për sa e njoh nuk do të pranojë të bëhet zëdhënës i Vjosa Osmanit apo një lideri tjetër partiak.
E kam një mik shumë të mirë dhe shumë të mençur, Agon Shipnia nga Prizreni, prej shqiptarëve të lashtë që e ndanë këtë mendim me mua madje më tha se, hipotetikisht nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon Albinin si lider, do ta pranojë me kusht që ai të bëhet Aleksandar Vuçiq i Kosovës, të bëhet skajshmërisht i dëgjueshëm.
Vështirë për të besuar ! LVV dhe Albini kanë ndryshuar shumë, si në sjellje ashtu edhe në veshje . Më heret, po të të shihnin me kollare do t’ju përndiqnin sikur që i ndiqte Makarti komunistët në SHBA kurse tani, edhe kur flejnë, flejnë me kollare dhe ekziston rreziku të ngulfaten gjatë fjetjes. LVV i ka të gjitha gjasat të mbetet në opozitë .
Aleneanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe PSD: Nuk do të ndahen keq me vota duke falenderuar Ramush Haradinajn. Ramushi, me taksën 100%, 100% e pengoi ndarjen e Kosovës dhe këtë e përforcoi më shumë me dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Nuk i besoj aspak PSD –së ndonëse këta kanë shumë merita për margjinalizimin e Listes Serbe . Ramush Haradinaj, në asnjë rrethanë, së paku kështu besoj, nuk do ta tradhëtojë interesin kombëtar dhe shtetërorë . Pavarësisht çmimit që duhet të paguaj.
Nëse Ramushi nukl ka shkollim përkatës politik atëherë këtë e kompenson me një inteligjencë të jashtëzakonshme që e ka të lindur dhe trashëgimi. Kaq.
Nisma Socialdemokrate dhe AKR analfabete dhe burokrate: Nisma do të ndahej më mirë pa Pacollin, se me Pacollin. Nëse e kalon pragun, për mua do të ishte gjysmëbefasie.
Në këto rrethana. Mirëpo ekziston edhe një element befasia për ata që nuk janë të dashuruar në Limën, Pacollin dhe Gashin; duke mos e kaluar pragub, lirohen nga këta tre !
Pse nuk presë asgjë nga këto zgjedhje: Pas dorëheqjes së kryeministrit dhe rënies së Qeverisë si dhe shpërbërjes së Kuvendit ishin dy reagime që më sigurojnë se këto zgjedhje nuk bëhen për përmirësimin e jetës së qytetarit por për vazhdim të bisedimeve dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë :
1) Ambasadori Kosnet deklaroi se SHBA –të presin një qeveri stabile që do të vazhdojë bisedimet me Serbinë, që do e hjek taksën 100% dhe që do të ketë ide kreative për këto bisedime dhe
2) Vendet e Kuintit deklaruan se qeveria e re e Kosovës duhet ta hjek taksën, të vazhdojë bisedimet me Serbinë, të arrijë një marrëveshje me këtë shtet sikur që duhet të demonstrojë fleksibilitet në këto bisedime.
Askund nuk përmendet si prioritet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar por se prioritet mbi prioritetet është vazhdimi i dialogut, heqja e taksës, arritja e Marrëveshjes dhe demonstrimi i fleksibilitetit.
Për këto projekte nuk ka kombinim më të mirë se LDK dhe PDK + partitë e vogla dhe minoritetet . Në këto rrethana nuk ka vend për LVV.
Lehtë mund të ndodhë që duke bërë përpjekje të tregohem si fort i mençur, e huqi krejt parashikimin tim. Nëse e huqi, do të jem i gëzuar, nëse ia qëlloi, do të ndjehem i trishtuar !