Përgjigje në pamfletin e Qemajl Mustafës
Shkruar nga Ismajl Kurteshi
Ti, Mustafa, duke mos pasur përgjigje për shkeljet tuaja publike, shpëtimin e ke kërkuar në personalizimin dhe privatizimin e debatit dhe vlerësimin e familjeve dhe subjekteve politike që është karakteristikë e të papërgjegjshmëve si ti.
Ky debat nuk është as personal dhe as privat. Por është debat dhe akuzë publike për keqpërdorimin e pasurisë publike, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga ti personalisht, si bartës i funksionit publik, për qëllime dhe interesa private.
Prandaj as unë dhe as Lëvizja Vetëvendosje! nuk jemi, as të gatshëm dhe as të interesuar që ta personalizojmë, privatizojmë e banalizojmë ashtu si përpiqesh ti.
Nivelin tuaj të mjerë, si njeri dhe si zyrtar, Mustafa, më së miri e ilustron fakti që ti e quan të ligjshëm punësimin pa konkurs të bashkëshortes tuaj të pa kualifikuar. Kjo është çështje publike të cilën ne nuk duam as ta personalizojmë dhe as ta privatizojmë.
Se kjo shkelje e rëndë ligjore e morale nuk është e rastit por është mënyrë e qeverisjes tuaj, këtë e dëshmojnë edhe një varg shkeljesh të ngjashme.
Punësimi pa konkurs dhe kritere i kunatës në shkollën në Lagjen e VIII; punësimi i motrës në Konvikt; punësimin e vëllait në zyrën për riatdhesim; punësimi i dhëndrit në shkollën e Mireshit; Dhe këto janë vetëm disa nga shkeljet e shumta konkrete. Këto dhe të bëmat e tjera të paligjshme kanë bërë që qytetarët e Gjilanit ta kualifikojnë si politikanin më të keq.
Tani të gjithë e kanë të qartë, se për realizimin e qëllimeve tuaja, të ulëta je gati me shkelë mbi çdo gjë. Gjatë këtyre viteve si kryetar ke dëshmuar këtë.
Një shkelës si ti, kudo në botë ku funksionon shteti ligjor, do të ishte kaherë prapa grilave. Kurse ti, së paku gjer më tani, ke arritur ta evitosh një gjë të tillë, duke qenë vetëm nën hetime dhe me ndonjë dënim simbolik në të holla.
Ti, z.Mustafa, përveç shkeljeve në fushën e punësimit, po e keqpërdorë çdo ditë buxhetin e komunës. Ja vetëm dy shembuj: - Në fund të vitit 2010, nuk janë kthyer në thesar 31.283 euro, të mbetura në llogari të paautorizuar;
-Më 26. 11. 2010 në bazë të vendimit të Kryetarit të Komunës nr. 2030/10, të datës 24. 11. 2010 nga llogaria e Teatrit janë tërhequr 35.100 euro dhe janë bartur në llogaritë e tri kompanive private, në emër të kthimit të huas që ka marrë Komuna. Mirëpo, Auditorit të përgjithshëm nuk i është ofruar dëshmi se Komuna ka huazuar më parë para nga këto tri kompani private. (Konstatim i Auditorit të Përgjithshëm).
Po e keqpërdorni madje edhe pronën e paluajtshme të Komunës, duke përfshirë këtu edhe ndërmarrjet publike. Por, nga këto përgjegjësi kaq serioze nuk mund të liroheni duke shpifur për subjekte politike, familje ose individ të caktuar.
Duke i ikur ballafaqimit me shkeljet që po i bën në vazhdimësi, shpëtimin e ke kërkuar këtë herë te kontestimi i Lëvizjes Vetëvendosje! dhe familjes Kurteshi. Insinuatat për subjektin e tretë politik nga një gënjeshtar me dokument vetëm sa ja rrisin vlerën Lëvizjes Vetëvendosje!.
Po ashtu, duke e kontestuar familjen Kurteshi, historia e së cilës është e njohur mirë në Anamoravë e më gjerë, të cilën nuk mund ta ndërrojnë letrat tua që i shkruan sipas rastit, herë me lëvdata deri në superlativ, herë me sajesa e gënjeshtra të paskrupullta, megjithatë nuk lirohesh nga shkeljet ligjore.
Familja Kurteshi, ka investuar shumë në shkollimin e bijve dhe bijave të saj por edhe të tjerëve. Të shkolluar, kjo familje ka dhënë që nga shekulli XIX. Sa për informim të publikut, kjo familje ka nxjerrë ndër mësuesit dhe mësueset e para në regjion, si dhe një varg profesionistësh të profileve të ndryshme intelektuale, të edukuar dhe arsimuar me kualitete dhe kualifikim superior, në Kosovë dhe në vendet perëndimore.
Këto mund të vërtetohen lehtë. Prandaj, Kurteshët nuk kanë nevojë për përkrahjen time, e cila megjithatë nuk do të ju mungojë sa herë që kërkesat e tyre janë të drejta dhe të ligjshme.
Të punësuarit e Familjes Kurteshi, duke përfshi edhe djemtë e mi janë punësuar përmes konkursit, në konkurrencë të hapur me të tjerët. Asnjëri nga Kurteshët nuk është punësuar atje ku unë kam qenë vendimmarrës, as drejtpërdrejtë dhe as tërthorazi, siç po ndodh me ty.
Për punësimin e asnjë anëtari të Familjes Kurteshi unë asnjëherë nuk kam intervenuar. Çdo dëshmi dhe fakt që ke për të kundërtën publikoje. Sa tendencioz e primitiv je ti z. Mustafa, flet përmendja e Avokatit të Popullit në kontest të punësimit, edhe pse procedurat e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i dinë të gjithë.
Megjithatë, gabimi im më i madh dhe ndikimi im më efektiv ka ndodhur atëherë kur të kam përkrahur ty për kryetar të degës së PDK në Gjilan. Vërtetë pa përkrahjen dhe ndikimin tim në atë kohë, ti do të kishe mbetur një matrapaz anonim, kurse pas keqpërdorimit të asaj përkrahje je bërë një e keqe publike.
Dallimi në mes meje dhe teje z. Mustafa është thelbësor. Unë e kuptoj rëndësinë e bërjes së shtetit dhe tërë jetën kamë bërë përpjekje të kontribuoj sadopak në këtë drejtim, kurse ty të udhëheq lakmia për atë që nuk të takon.
Sa i përket Qeverisë së Përkohshme, me që ti atëherë ke qenë jashtë rrjedhave, bile edhe jashtë Kosovës, po të informoj se asnjë serb nuk ka qenë i punësuar, sepse ata nuk e kanë pranuar Qeverinë e Përkohshme. Në shumë raste ata nuk po e pranojnë as Qeverinë aktuale, përveç rrogave dhe investimeve.
Kur unë i kam hequr nga lista e pagave ata që refuzonin ti nënshkruanin kontratat e punës, ashtu si parashihet me ligj, ti jo vetëm se je angazhuar për mbajtjen në lista të atyre që nuk i kanë nënshkruar kontratat e punës, por je kujdesur edhe pak më shumë. Natyrisht, që ky kujdes tu ka kthye me vota.
Këtu nuk do të flas për kontributin tënd për decentralizimin, sepse aty vetëm i ke zbatuar urdhrat, e për këtë punë je shumë i përshtatshëm por jo edhe për udhëheqës.
Por, megjithatë ti kthehemi skandalit të shkaktuar nga ju z. Mustafa. Punësimi i bashkëshortes tuaj është i paligjshëm, sepse zonja e juaj nuk është e kualifikuar dhe është punësuar pa konkurs.
Ky punësim është edhe i pandershëm, sepse në Gjilan janë mbi 2000-3000 kuadro të kualifikuar të arsimit, që presin me vite të tëra për një vend pune. Ndërsa ti e ke punësuar bashkëshorten tënde, falë pozitës që e ke dhe çdo ditë po e keqpërdor.
Ti mund të vazhdosh me distribuimin e shpifjeve, por këto nuk do tju shpëtojnë nga përgjegjësia dhe fundosja si politikan dhe si njeri.
Ndwrsa, ne do të vazhdojmë ti prezantojmë dhe publikojmë keqpërdorimet që po i bën ti, për të cilat ne kemi fakte dhe do të kërkojmë ndëshkimin që e meriton.
/Autori është Kryetar nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan)