Përfitimet e Serbisë në Kosovë nga ftohja e marrëdhënieve SHBA-Turqi
Shkruar nga Gurakuç Kuçi
Ndryshimi i gjeopolitikave të fuqive të mëdha në arenën ndërkombëtare sot pashmangshmërisht ka ndikime globale dhe gjitha strategjitë krijohen si komplementare pa shmangur ndonjë rajon.
Që nga 1941 SHBA-ja ka filluar që të krijoj strategji të nivelit global për çështjen e politikave të mëdha, mirëpo Evropa është treguar e pafuqishme që ta ndjek edhe sot e kësaj dite SHBA-në.
Qasja e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, Turqisë dhe Ballkanit Evropian vetëm sa ka favorizuar armiqtë e Perëndimit dhe kjo ka ndodhur jo për dëshirën e gjitha vendeve të BE-së por nga mungesa e unitetit dhe sistemi i funksionimit.
Marrëdhëniet e ftohta të Turqisë me Perëndimin në përgjithësi vijnë me faktorin ndoshta kryesorë nga BE-ja. Turqia tani ndjek në politikë plotësisht të pavarur nga BE-ja dhe shfrytëzon armikun e përhershëm të Perëndimit e që është Rusia.
Këtë ftohje të Turqisë me Perëndimin e sidomos me SHBA-në është duke e shfrytëzuar Serbia për përfitime territoriale e deri në de-shtetëzimin e Kosovës.
Serbia vazhdon ta luaj rolin e dy karrigeve, edhe me Perëndimin edhe me Rusinë.
Një lobing i fuqishëm serb po bëhet në Uashington duke pretenduar në marrëdhëniet historike të SHBA-së me Serbinë që para 150 vjetësh, pra që nga koha e Nikolla Tesllës të cilin e përdorin edhe si qëllim diplomatik.
Një gjë e tillë tani është futur edhe në punimet shkencore të disa amerikanëve kur flasim për marrëdhëniet amerikano-serbe, përveç lobingut mbi dështimin e shtetit të Kosovës, si faktorë që Uashingtoni të zbatoj planet serbe.
Në këtë kuadër Serbia pretendon edhe ndarjen e Kosovës ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, dhe një gjë e tillë nuk është larg-mendsh.
Vijat gjeopolitike të fuqive të mëdha nuk kanë ndonjë problem nëse bëjnë ndonjë lëvizje kilometrike por që nuk e ndryshojnë status quo-në territoriale, sepse jo çdo ndryshim territoresh nënkupton ndryshim të status quo-së.
Duke qenë se Kosova nuk ka dëshmuar që është e aftë të mbaj shtet e aq më pak të bëhet pjesë e ujërave që i lëvizin fuqitë e mëdha, atëherë edhe mund të gjendet ndarja gjeopolitike dhe ulja e tensioneve ndërkombëtare me shpërbërjen e shtetit të Kosovës.
Duke qenë se në Ballkanin Perëndimor ka pretendime edhe Turqia e cila ka ftohur marrëdhëniet me Perëndimin atëherë kjo lejon që Serbia me marrëdhënie të drejtpërdrejta me Turqinë dhe indirekte nëpërmjet Rusisë të kërkoj dhe imponoj ndarjen e Kosovës sidomos tani pasi është arritur marrëveshja për krahun jugor të shpërndarjes energjetike ndërmjet Rusisë dhe Turqisë.
Një gjë e tillë mund të jetë menduar edhe me mini-shengenin ballkanik si pikë fillestare e cila është një nismë sllavo-ortodokse dhe e izolon Kosovën.
Pra mendimi i një përkrahje për ndarjen e Kosovës nga Turqia, Rusia dhe Kina, mund ta bëjë një situatë pro edhe në SHBA.
Një gjë e tillë nuk shihet aspak që është në dëshirën e sponsorizuesve të shtetësisë së Kosovës, por gjeopolitikat e fuqive të mëdha kanë shpërbërë edhe shtete shumë më të fuqishme se Kosova, si në rastin e Polonisë dhe Gjermanisë në Luftën e Ftohtë por edhe shkëputje si Krimea, Osetia Jugore apo Abkhazia për interesa gjeopolitike ose rasti i Çeçenisë apo Palestinës.
Një plan i tillë mund të merret në konsideratë nga sponsorizuesit e shtetit të Kosovës për shkak se ne kemi dështuar të dëshmojmë se e meritojmë të jemi shtet.
Klasa politike e papërgjegjshme duke e rentierizuar shtetin e ka bërë plotësisht të paaftë Kosovën që të mbrojë dhe zhvillojë shtetësinë e saj. Korruptimi dhe punësimi pa merita në tërë institucionet shtetërore nga partitë politike të militantëve të tyre ka krijuar departamente krejtësisht të paafta të krijojnë politika nga ato lokale e deri të ato ndërkombëtare në të mirë të vendit.
Klasa politike duke kapur shumë media, duke imponuar një klasë analistësh dhe një klasë intelektualësh fallco, ka bërë që mendimi dhe krijimi i opinionit në Kosovë të jetë larg të vërtetës dhe interesave të mirëfillta të Kosovës.
E gjitha është bërë më vetëdije e madje edhe shkatërrimi i arsimit në Kosovë, ku sa më shumë të kesh një popull të paarsimuar apo keq-arsimuar, sundimi bëhet më i lehtë dhe politikanët duken më të mençur.
Në këtë katrahurë Kosova u tregua krejtësisht e paaftë që të krijoj planin e saj diplomatik ndërkombëtar dhe të imponohet në politikat e fuqive të mëdha për të ruajtur shtetësinë dhe interesat e saj.
Shtetet e vogla si Kosova dhe Serbia nuk mund të ndryshojnë politikat e fuqive të mëdha por brenda atyre politikave mund të imponojnë interesat e tyre dhe këtë e bëri e po e bën Serbia, por jo edhe Kosova.
Gjithçka çka është ndërtuar në shtetësinë e Kosovës është meritë e Perëndimit e veçanërisht SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, dhe kur këta të fundit kanë pritur nga Kosova seriozitet në shtet-formim, shtet-ndërtim dhe që ne të jemi aleat të tyre, në fakt i dëshpëruam tërësisht dhe këtë po e bëjmë çdo ditë.
Projekti i shtetit të Kosovës me këtë qasje të Kosovës mund të shkoj drejt zhbërjes dhe Kosova është në situatën ku gati sa nuk është bërë vonë për çdo intervenim në ndryshimin e rrjedhave së brendshmi për të ndikuar dhe jashtë.
Nëse ndryshimi nuk bëhet shpejt, atëherë shpresojmë që politika e SHBA-së në kuadër të gjeopolitikës së saj mos të lëviz vijat e gjeopolitike në forma territoriale kilometrike sepse Kosova e humb ekzistencën e saj.
Një gjë është e sigurt status quo-ja ndërkombëtare do ndryshoj së shpejti e ne jemi pjesë e këtyre ndryshimeve.