Përfaqësuesit e padenjë
Shkruar nga Gani Qarri
Përfaqësimi i padenjë dhe mjerimi i thellë në delegim, u pa së fundi edhe në një debat të pa-rëndomtë dhe më tepër konfliktual se sa politik,ku deputetët e “hurit dhe të “konopit” pas ofendimeve të pareshtura, dialogun grotesk në emision të drejtpërdrejtë televiziv e kthyen në kacafytje fizike me goditje të disa hershme grushtash e sharjesh nga më banalet,pamje nga të cilat medoemos duhet të kursehen fëmijët.
Sado që Milaim Zeka, qysh moti njihet për fyerje dhe fjalorë denigrues e tejet të vrazhdë publik, ai megjithatë çuditërisht si kandidat i NISMA-s,arriti të marrë vota të mjaftueshme njëjtë si Frashër Krasniqi,për tu bërë edhe deputet i kuvendit të Kosovës.
Pas ngjarjes së fundit, secili duhet ta marrë me mend se çfarë debati të kulturuar e të sinqertë mund të zhvillojnë nesër ata edhe në parlament, ç`delegim të denjë do të ofrojnë dhe ç`interesa “madhore” mund të mbrojnë në rast nevoje për këtë vend, ç`pasqyrim nacional dhe sa përfaqësim real i bëjnë këta popullit të vet, me votën e të cilit u ngritën në “deputet” dhe shkuan në kuvend.
Madje, zanatin e vjetër Milaimi as në pozitën e deputetit të popullit nuk e harroi dhe që në bashkëtakimet e para me të deleguarit rival në hollin e sallës së parlamentit, shau më nënë të gjithë deputetët e LDK-s.
Delegimi i personave të tillë në emër të popullit,është mjerim kombëtar,varfëri intelektuale, degjenerim përfaqësimi dhe devijim nga misioni i shenjtë i deputetit nacional.
Gjuha ofenduese e sharjeve që Milaim Zeka rëndom para të gjithëve përdor duke mos përjashtuar nga to as gra e nëna të moshuara, është fyerje për të gjithë shqiptarët.
Pushteti për njerëz si ai dhe të dy autorët e ngjarjes së lartcekur para kamerave televizive, është ofendim për popullin si dhe barrë e rëndë dhe e pabartshme për ta.
Mbingarkimi i njerëzve të tillë me pushtet po dëshmon katërçipërisht se pozitat ekzekutive po migrojnë në adresa të gabuara dhe besohen lehtë e pa vëmendje të mjaftueshme njerëzve jo të duhur dhe të papërshtatshëm për to.
Në këtë rast nuk kam ndërmend të komentoj cilësitë (e munguara) profesionale të tyre si deputet, por sinqerisht, ata vet me sjelljet e tyre po bindin votuesit, opinionin publik dhe të gjithë shqiptarët kudo, se ende janë të papjekur për përfaqësim të popullit dhe bartje postesh kaq të larta shtetërore.
Para disa kohësh Milaim Zeka u ekspozua me nervozitet të shtuar edhe kundër Isa Mustafës duke ia përmendur atij sa here e kishte lënë Rugovën pa ia paguar shpenzimet e hotelit, biletat për vizitat që ai i bënte Evropës, e deri te shkëputjet e telefonit të Presdidentit historik dhe QIK-ut, nga Isa Mustafa e Bujar Bukoshi.
Përderisa në vitin 2015, Milaimi nuk ngurroi ta ofendonte hapur edhe Mero Bazen, duke e quajtur atë edhe të sëmurë mental, vitin e kaluar, përveç Gëzim Kelmendit të cilin e stolisi me epitetin e jashtëtokësorit, ai edhe kandidatin për Kryetar të Drenasit,Ramiz Lladrovcin e quajti toalet në të cilin kryejnë nevojat Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.
Shqiptarëve ka kohë që u mungon përfaqësimi i denjë dhe i njëmendët e real, që do të pasqyronte gjendjen në mënyrë objektive, pa ngjyrime politike dhe vetëm në një vijë me interesat kombëtare e shtetërore të vendit.
Megjithatë, për fat jo gjithherë të mirë, votuesit po ndikohen lehtë dhe shpejtë nga fushatat pompoze paraelektorale, ndaj pa u thelluar sa duhet në biografitë e kandidatëve dhe të mundur nga euforia momentale,po ua falin votat njerëzve të pamerituar, të ngjiten në pozitat të cilat po shihet se jo me të drejtë i mbajnë.
Asnjë udhëheqës evropian nuk vepron ngjashëm me politikanët shqiptarë të cilët pa fije turpi, gjatë gjithë mandateve udhëheqin, duke i mashtruar votuesit në vend dhe bashkëkombësit kudo.
E vetmja gjë nga e cila pushtetar dhe politikan të të gjitha partive, druajnë dhe ndihen të frikësuar, është mbetja e tyre pa pushtet dhe futja eventuale e Reformave Gjyqësore apo VETTINGU-t, në vend.
Delegimi i personave të ngjashëm në institucionin më të lartë vendimmarrës të shtetit, është devijim i pandreqshëm i misionit të shenjtë të përfaqësuesit të popullit dhe denigrim i pafalshëm i besimit të votuesit.
Pas grushtimit të fundit gjatë debatit televiziv në Klan Kosova,Milaim Zeka në një reagim të ashpër, akuzon edhe Albin Kurtin e Rexhep Selimin, të cilët i quan edhe organizator të incidentit në fjalë.
Mveshja e njerëzve të tillë me pushtet, është shterpje e veprimit intelektual dhe ngecje e prosperitetit në vend.
Përkundër të gjithave sa kanë ndodhë e po ndodhin në vend, siç dihet botërisht, sfidë e vërtetë për drejtësinë në Kosovë, nuk është mungesa e akteve të përshtatshme ligjore për veprim, por mungesa e njerëzve që do ta zbatonin atë.
Kështu që ende edhe sot e kësaj dite krijohet hapësirë që në poste kaq me rëndësi të vijnë njerëz të cilët jo vetëm se nuk janë në gjendje të ofrojnë asgjë, madje as debat të njëmendët e të denjë për shikuesin, por që në ballafaqimin e parë fillojnë me fyerje dhe përfundojnë me grushta e sharje gjithfarë.
Ndaj është momenti i fundit që edhe tek ne të ndodhë Reforma në Drejtësi, përmes të cilës do të pastrohej përfundimisht edhe skena politike kosovare.
Tanimë ka kaluar koha që pikërisht nga ata të cilët nuk kanë për të thënë asgjë, pa ndërprerë, të bëhet vetëm zhurmë dhe kastës së inkriminuar politike ti lejohet në vijimësi të pjellë debate shterpe e shpikë argumente boshe për të mbajtur njerëzit e saj,sa më gjatë në pushtet.
Për të gjithë ata që duan të kandidojnë në pozita jetike shtetërore, shteti duhet që sa më parë dhe pa vonuar, të vendosë kritere të akredituara ligjore, të cilat përcaktojnë qartë kushtet e kandidimit për secilin, para se emrat e tyre të pranohen dhe hidhen në votim.
Siç duket është bërë mjaft për të gjithë, ndaj dhe nuk duhet lejuar më, që në poste me kaq rëndësi, të ngjiten vazhdimisht njerëz që denigrojnë dhe në vend që të lartësojnë, ulin prestigjin e institucionit më të lart vendimmarrës e shtetëror, siç është parlamenti.
Kurse drejtësia vendore, jo vetëm se nuk duhet të heshtë, por të nxitojë dhe vihet sa më parë në veprim, ngase moszbatimi i ligjit atje ku duhet dhe si duhet, ka blloku çdo gjë dhe nuk po e lë vendin as të ecë përpara.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë vënë para një sfide të madhe gjyqësorin e lodhur vendor, ndaj si në çdo vend tjetër edhe në vendin tonë, duhet të ndodhë një Reformë e mirëfilltë dhe rrënjësore , pa të cilën të inkriminuarit dhe të korruptuarit e panumërt, si dhe udhërrëfyesit e krimit të organizuar ,nuk mund të pastrohen as postohen atje ku e kanë vendin, prapa grilave, të cilat sikur ka kohë që qajnë për ta.