25 Dhjetor 2024

Përdorimi i një të keqeje për të larguar të keqen tjetër

Shkruar nga Bajram Gecaj

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por edhe Presidenti Hashim Thaçi vet personalisht, kishin bashkëpunuar me deputetë të Listës Serbe për të marrë përkrahjen e tyre për rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

Askush, përpos ne, disa zërave të vetmuar, nuk kishin folur shumë për këtë, posaçërisht kur kjo përbënte një shkelje kushtetuese të presidentit. Madje as mediat, shoqëria civile, por as edhe analistët e opinionistët.

Po të bashkëpunonte LDK me Listën Serbe për të rrezuar cilëndo qeveri, jam më se i sigurt se do të “çoheshin peshë”, siç thotë populli, jo vetëm subjektet politike, por edhe mediat, shoqëria civile, e në veçanti disa analistë që vihen në lëvizje me fishkëllima të çastit!

Tani qytetarët, LDK dhe besoj edhe pjesa tjetër e opozitës nuk kanë fare dilemë se a duhet apo jo të largohet kjo qeveri e sekserëve dhe e matrapazëve.

Megjithatë, ekziston një dilemë e ndjeshme se a do të duhej lejuar apo jo që kjo qeveri të rrëzohet në bashkëpunim me Listën Serbe dhe, kështu, në një mënyrë, ta shndërrojmë këtë listë pak a shumë në një forcë përcaktuese të momenteve kyçe të skenës politike kosovare, posaçërisht në rastin në fjalë (edhe pse, ky konstelacion qeverisës e kishte bërë mu këtë)!

Besoj se këtë temë do të duhej ta shtjellojnë në detaje këtyre ditëve jo vetëm subjektet politike, por edhe mediat, shoqëria civile, si dhe analistët profesionistë!

Unë për veten time mund të deklarohem ekskluzivisht në emrin tim personal, dhe të përfundojë se kjo qeveri duhet të largohet gjithsesi, ndërsa çështje është vetëm koha se kurë dhe si do të ndodhë kjo - sa më parë aq më mirë!

 Po të ishin pjesëtarët e këtij konstelacioni qeverisës në vendin tonë, jam absolutisht i sigurt se, ashtu si më parë, nuk do të hezitonin as një minutë ta bënin këtë gjë.

Unë besoj fuqishëm se duhet ta rrëzojmë këtë qeveri, edhe nëse kjo bëhet me votat shtesë të kësaj liste. Pse jo?

Edha ata janë deputetë të zgjedhur të Republikës së Kosovës dhe nuk ka asnjë të keqe këtu, në veçanti nëse kjo bëhet pa ndonjë kushtëzim nga ana e tyre.

Kjo është kështu sepse një gjë e tillë përbën një interes ekskluzivisht për të mirën e vendit dhe interesit të tij nacional.

Kjo qeveri është, për të përdor fjalët e popullit, “dreqi vet”, prandaj bashkëpunimi me një “të keqe” për ta mposhtur dhe larguar “të keqen” tjetër, besoje unë, është krejt në rregull.

U muar vesh, gjithnjë nëse në një rast të tillë nuk i nënshtrohemi as njërës e as tjetrës “së keqe”!

Kjo, pasi që, në këtë mënyrë, njërën “të keqe” po arrijmë ta instrumentalizojmë për të përmbysur "të keqen" tjetër!

Dhe krejt në fund, nuk guxojmë assesi  të lejojmë që rrëzimi i qeverisë Haradinaj të len prapa ndonjë “dreq” të ri, por duhet të ndërtojmë një qeverisje vërtetë demokratike, evropiane dhe krejtësisht transparente ndaj qytetarëve të vet. 
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)