Përçmimi i frikshëm i klasës politike
Shkruar nga Kadri Veseli
Vërtet, është koha të kuptojmë të gjithë se zgjedhja dhe zgjidhja e pushtetit nuk është problemi i Kosovës, pavarësisht se si është duke u synuar ai.
Fillim i një shkrimi me një konstatim të tillë, do të mund të dëshmonte që në fillim shpërfytyrimin e një autori deri në një moskujdesjeje të tij ndaj trajtimit të tekstit në fjalë.
Ndoshta, për ata që mund të ligjërojnë mbi akademinë e shkrimit, në këtë rast, thënë me figurë, mund të zbërthejnë dhe ta shkërmoqin edhe në këtë mënyrë: mospërfillja stilistike që përmban në vete diskursin e një kërkesë për partneritet, për një dialogim të mundshëm; mbase për të paralajmëruar a shpërfillur vetminë që ka pllakosur mbi të.
Nisur nga premisat e mësipërme me kujdes dhe vëmendje të përqendruar mund të thuhet se vërtetë tash është koha e përshtatshme për spektrin politik të vendit të përfaqësuar në Kuvend, që të ngritët përtej filozofisë së meskinitetëve, për ta mirëkuvenduar qeverisjen e ardhshme, e cila, në vetvete, do të kishte një formësim të ri me standard ekskluzivisht euroatlantik.
Pak më tej sesa konstatimet e prera të një pjese të opozitës, fjala është për atë
pjesë të përfaqësuar brenda inicialeve LAN, jam i pirur të besoj se në politikë gjithmonë ka hapësirë për ta ofruar qoftë edhe vetëm një mendim mbi politikën dhe proceset e saj edhe në rastet dhe veçmas, në çastet e një ngërçi, që përtashësisht duket se është kapur në Kosovë.
Në mbështetje të një fryme të tillë mund të them që në fillim se qeverisja e ardhshme e Kosovës do të duhej ti përgjigjej sfidave dhe rrethanave të reja të krijuara edhe prej detyrimeve ndërkombëtare, që do të thotë, jo vetëm prej atyre të prekshme, që tashmë shteti i Kosovës i ka marrë si obligime kushtetuese, por shumë më tej sesa kaq.
Vetë pranimi dhe shtetndërtimi i Republikës sonë në kuadër të Familjes së Shteteve të Botës, qoftë në kuptimin e drejtpërdrejtë, qoftë në atë metaforik, është një rrugëtim dhe përgjegjësi e përbashkët me Familjen e Shteteve Euroatlantike.
Prandaj, në këtë drejtim, mund të thuhet pa ngurrim se nuk është me peshë vetëm stabiliteti i numrave në Kuvendin e Republikës prej komunitetit shumicë. Jo. Por gatishmëria e përgjegjësive për vendimmarrje prej përfaqësuesve të komunitetit shumicë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës e, veçmas, në të mirë të komuniteteve joshumicë dhe të perspektivës së vendit në përgjithësi.
Siç dihet komunitetet joshumicë në Republikë tonë kanë perspektivë të garantuar kushtetuese larg më të mirë sesa përfaqësimi i komuniteteve të tyre në shtetet rajonale ku ata janë shumicë.
Kjo është veçantia e Republikës sonë, sui generis-i i saj shtetëror, që sublimon vlerat, të drejtat dhe liritë e garantuara për komunitetet joshumicë deri në statuse të privilegjuara.
Por ky dimension në mënyrë të mbërthyer e përmason edhe dinjitetin e shumicës, e cila e formëson filozofin kushtetuese të vetvetes, duke qenë avangardë e lirisë së tjetrit, përpara lirisë së shumicës, rrjedhimisht përpara lirisë së vetvetes.
Qeverisja e ardhshme e Kosovës, në pajtime me rezultatin zgjedhor 2014 dhe në pajtim të plotë me rendin demokratik kjo filozofi universale e demokracisë, do të duhej të reflektonte dhe rrezonte garancinë në vetvete, para faktorit vendor si dhe para atij ndërkombëtar, përballë sfidave që janë duke e pritur Republikën dhe qytetarin e saj.
Në anën tjetër, duhet mirëkuptuar dhe respektuar edhe Marrëveshjet politike ndërmjet subjekteve të caktuara politike, të cilat janë të drejta të garantuara kushtetuese. Ato janë të saktësuara edhe kur ato bëhen e edhe si bëhen dhe sa vlejnë në kuadër të një shtetit demokratik.
Por, në emër të kësaj të drejte demokratike e politike, nuk duhet të mohohet thelbi i garës demokratike dhe politike në një shtet demokratik.
Në të kundërtën, mund të lind pyetja: përse duhet të ekzistonte një garë demokratike, rrjedhimisht zgjedhjet kur gjithçka mund të arrihet me marrëveshje politike!?
Përse Partia Demokratike e Kosovës e ka emëruar për kryeministër, Hashim Thaçin, fjala vjen!? Përse Lidhja Demokratike e Kosovës e ka emëruar për kryeministër Isa Mustafën!? Përse Vetëvendosje e ka emëruar për kryeministër Albin Kurtin!? Përse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka emëruar për kryeministër Ramush Haradinajn!? Më në fund, përse shumica prej tyre premtonin se në zgjedhjet do të dilnin partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit!?
Përse ka ndodhur kështu në qoftë se, pas zgjedhjeve, qenka e mundur loja e gjahut të numrave, duke i thyer procedurat demokratike, rendin kushtetues dhe kuptimin e garës demokratike në mënyrë brutale, rrjedhimisht karakterin e zgjedhjeve demokratike!?
Për fat të keq, gjërat dhe proceset shkuan aq larg, saqë mund të parafrazojë z. A. Muhaxheri, një analist me një gjykim brilant, për mendimin tim, kur thoshte në një nga televizionet e vendit se nuk mund të mbahej një kuvend konstituiv nën frikën e moslëshimit të karriges prej kryesueses së kuvendit, as për të shkuar në tualet, nga frika se ende pa u kthyer mund të ndodhë që vendi i saj do të jetë i zënë prej dikujt tjetër.
E çfarë mund të jetë konstituimi i një kuvend parlamentar me marifete të tilla parlamentar!? Përafrimi i përshkrimit dhe i krahasimit do të na detyronte të përdornim fjalë dhe shprehje në kontekste shumë negative, prandaj nuk po lëshohemi më tej.
Më në fund, mund të respektohet tërësisht edhe një përvojë e tillë e edhe gjahu i numrave, por jo me tendencën e rrënimit të rendit kushtetues, me tendencën e rrënimit të rendit demokratik dhe me tendencën e rrënimit të procedurave demokratike e kushtetuese.
Në qoftë se nuk mund të ketë parti fituese apo koalicion fitues të dalë prej zgjedhjeve, atëherë çfarë kuptimi ka gara e zgjedhjeve demokratike, kur pas garës mund të humbë tërësisht kuptimi i saj, për tu zëvendësuar gjithçka nëpërmjet improvizimeve dhe përzierjeve të trishta, të them me figurë!?
Nuk mund të besoj se niveli politikë ka rënë aq poshtë sa agjenda politike e bashkimit të disa subjekteve politike mund të jetë: inati, lëçitja dhe qëndrimi totalitar ndaj një subjekti a koalicioni që ka fituar garën zgjedhore demokratike!?
Fundja, dallimet në demokraci janë vlera e jo diferencime ideopolitike, siç ishin dikur në shoqëritë diktatoriale e totalitare. Ato, si të tilla, duhet ta ruajnë autonominë. Në të kundërtën përse do të ekzistonin subjektet politike dhe zgjedhjet demokratike në kuadër të një shteti demokratik!?
Dhe, meqë në thelbin e arsyetimit të opozitës së përtashme është edhe argumenti i çështjes së numrave, nuk mund të kuptohet apo vështirë të kuptohet prej nga gjithë ajo nguti e saj kur ajo i paska numrat, për të bërë shkelje të rënda të procedurave demokratike e kushtetuese!?
Nga ky pikëvështrim, nuk mund të lihet anash aspak as ndonje lojë e garantimit të numrave edhe prej ndonjë përfaqësuesi të Partisë Demokratike të Kosovës ku unë jam zëvendëskryetar, si reaksion i njejte i asaj mendesie te gares se numrave.
Kjo mendësi e papëlqyer e lojës me numra, nuk ka nivel për ti takuar një shoqërie demokratike. Është një mendësi e tejkaluar, pavarësisht se as subjekti im nuk qëndron deri më tash më mirë sesa subjektet tjera politike dhe pavarësisht nga fakti, a i ka fituar a jo zgjedhjet nacionale ky subjekt.
Personalisht nuk jam ithtar i besimit se numrat janë zgjedhja dhe zgjidhja e problemeve dhe e ngërçit politikë ku përtashësisht ndodhet vendi, ashtu siç nuk e konsideroj fitimin e një gare demokratike vetëm si çështje të numrave. Po të ishte kështu, atëherë do ti përgjigjesha kësaj çështje me një konstatim që mbase në mënyrë të pavetëdijshme vjen nga tabori i opozitës kur përfaqësues të lartë të saj thonë se Partia Demokratike e Kosovës paskësha qeverisur me më pak se 61 deputetë...
Në qoftë se është kështu e vërteta, atëherë pyetja tjetër do të ishte: e kush paskësha lejuar që të ndodhë një gjë e tillë në Kuvendin e Republikës dhe a meritojnë të tillët të vijnë sot në pushtet pasi që paskan lejuar të funksionojë një kuvend dhe një qeveri me më pak se 61 vota!? Thënë me modesti ky është edhe një argument praktik përse nuk jam ithtar i numrave.
Unë jam ithtar i njerëzve, ideve dhe i projekteve, rrjedhimisht i detyrimeve dhe përgjegjësive që kanë ata, duke respektuar pozicionet e pozitës dhe të opozitës njëkohësisht në pajtim me ligjet dhe kushtetutën e Republikës. Ashti siç nuk mund të besoj në perspektiven e një mazhorance, çfarëdo qoftë ajo, e cila botërisht e shpallë moskomunkimin e saj, thënë në mënyrë hipotetike ose edhe jo, me opozitën e ardhshme, fjala vjen.
Konsideroj se prej një mendësi të tilla ekstreme dhe totalitare mjaft shumë ka vuajtur vendi ynë. Prandaj është koha, tash edhe më e arrirë sesa dje, që të mësohemi ndërmjet veti që të jemi më tolerant, më të mirëkuptuar; të ballafaqohemi pa paragjykime dhe pa përjashtime; të komunikojmë me njëri tjetrin edhe atëherë kur fare nuk do të pajtohemi ndërmjet veti; të pimë kafe pune dhe të kemi gjithmonë kurajë për ti thënë njëri tjetrit në sy se u morëm vesh për të qenë kështu apo për të mos qenë ashtu në rrugëtimin e ardhshëm politik...
Sa serioz mund të jetë një subjekt politik, rrjedhimisht përfaqësuesit e saj, në qoftë se ata deklarojnë botërisht se nuk duan të pinë as kafe pune me subjektin tjetër politik, vajzat dhe djemtë e të cilit, deri tash kanë qenë bashkëkryesues e bashkëdrejtues me të tjerë në luftë kundër pushtuesit të vendit tonë, kanë qenë, së paku, me të tjerë bashkëkryesues e bashkëdrejtues të realizimit të Lirisë së vendit, kanë qenë më të tjerë bashkëkryesues e bashkëdrejtues të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, bashkëkryesues e bashkëdrejtues me të tjerë në formësimin dhe shtetndërtimin e Republikës, kanë qenë me të tjerë bashkëkryesues e bashkëdrejtues në partneritet me Bashkësinë Ndërkombëtare, në dialogim me Republikën e Serbisë mirënjohje kjo e veçantë prej Bashkësisë Ndërkombëtare për shtetin dhe popullin e Kosovës etj.
Në skajimin e kësaj logjika të disa prej përfaqësuesve të opozitës është dëgjuar një gjuhë dhe një kulturë politik, e cila nuk mund të arsyetohet as me teorinë makiaveliste, në thelbin e së cilës qëndron arritja e qëllimit me çdo mjet, me çdo rrethanë e më çdo kusht!? Ashtu siç nuk ka munguar ky komunikim i ulët dhe i pa dinjitet as prej disa përfaqësuesve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës. E përse e gjithë kjo!? Vetëm e vetëm për ta marrë pushtetin!?
Jam i pafuqishëm të besoj në këtë rrugëtim të politikës. Sepse, besoj fuqishëm se, në rrethana të tilla, në të vërtetë, për një kohë fare të shkurtër, opozita do të ishte pushteti real i Republikës, e cila do të mund ti provokonte zgjedhjet e ardhshme në çdo çast që do ti voliste interesit të saj. Dhe gjërat do të ktheheshin sërish në pikën zero, ndërkohë që është duke ndodhur një devalvim vrastar, një përçmim i frikshëm ndaj klasën politike të Kosovës përgjithësisht.
Nuk është aq e ndërlikuar për të mos e kuptuar se zgjedhjet nacionale 2014 nuk kanë prodhuar kohë dhe hapësirë për të qeverisur me shumicë të thjeshtë.
Ky realitet është i qëndrueshëm edhe sikur të mos kishte ndodhur Marrëveshja politike e një pjese të opozitës që humbi në zgjedhjet e 8 qershorit. Ata që janë duke e shpërfillur këtë realitet politik janë duke rrezikuar që ti shkaktojnë dëme të mëdha kolektivitetit dhe individit, institucioneve dhe shtetit të Kosovës, brenda dhe jashtë saj.
Një fillim i ri me vizion e njerëz të rinj, nën standardizimin europian të një qeverisjeje të qëndrueshme, më mbështetje të një vendimmarrje prej dy të tretave të komunitetit shumicë, do të ishte garancia e perspektives dhe garancia e luftës së pakompromis kundër krimet, korrupsionit e dukurive tjera negative në radhë të parë.
Skena politike e vendit nuk ka përse tu ofrojë individëve të pasuksesshëm vazhdimisht shanse për të qeverisur vendin. Kjo praktikë duhet të nisë të pushojë duke filluar së pari nga Partia Demokratike e Kosovës dhe të vazhdojë tutje.
Në të kundërtën, nuk mund të ketë sukses sundimi i rendit dhe i ligjit, proceset integruese euroatlantike, reforma zgjedhore dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese e, mbi të gjitha, perspektiva e zhvillimit ekonomik do të zëvendësohej me nevojën e meskinitetëve të disa individëve në kuadër të Republikës. Dhe gjithçka do të behej edhe më keq.
Krejt në fund kujtoj se komuniteti shumicë i Republikës i ka borxh jo vetëm qytetarëve të saj, por, mbi të gjitha, i ka borxh investimit të madh të Qytetërimit Perëndimor, i cili investim e shpëtoi popullin tonë nga zhbërja.
E klasa politike e vendit duhet të dëshmojë, sot jo nesër, se di ta bëjë dhe ta menaxhojë shtetin e Kosovës në mënyrë demokratike e ligjore me vlera, transparencë dhe emancipim Perëndimor, ashtu siç është edhe përkatësia e saj natyrore. Ndoshta, asgjë më shumë sesa kaq.
PDK është opsioni real i qeverisjes së ardhshme të vendit brenda legjitimitetit dhe ligjshmërisë demokratike e kushtetuese të vendit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve që kanë vendosur me 8 qershor. Por PDK ka dëshmuar edhe dinjitet të lartë opozitar. Ajo nuk ekzaltohet nga pushteti, por as nuk frikësohet nga opozita.
/Autori është Zëvendës kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës/