Për satirën e Charlie Hedbo-s dhe terrorizmin
Shkruar nga Faton Abdullahu
Ata që sulmuan dhe vranë mizorisht gazetarë të një redaksie në mes të Parisit me pretekstin se po e mbrojnë një fe, një profet, një mënyrë të jetesës, në një vend jo mysliman, në Francë, duke u thirrur në parime që nuk e obligojnë këtë vend, duket se përfaqësojnë më së miri ambicien e pakuptimtë që mund të synohet sot vetëm me terrorizëm e nuk mund të jetësohet me asgjë.
1
Drejtësia si koncept si mendësi si vlerë mund të lëviz, të ndërroj vend, të zhvendoset varësisht nga rrethanat, veprimet, njerëzit etj. Drejtësia dhe e drejta mund të lëvizin prej një njeriu te tjetri prej një pale tek pala tjetër.
Nëse dikush më godet me shuplakë drejtësia kalon në anën time sepse unë kam të drejtë të reagoj të mbrohem të ankohem etj. Nëse unë ndaj këtij grushti përgjigjem me revole duke e vrarë goditësin drejtësia kalon në anën e tjetrit. Unë e kam tepruar me mbrojtjen time në shpërpjesëtim banal me të keqen që më është bërë.
Drejtësia sot është në anën e revistës satirike franceze, Charlie Hedbo plotësisht. Ne duhet ta mbrojmë Francën, lirinë, lirinë e shprehjes, revistën dhe jo vetëm kaq.
Mund ta marr me mend se ajo redaksi edhe e ka tepruar me satirën e vet, ndonjëherë edhe mund të ketë ofenduar ndjenjat fetare islame (ata këtë e bëjnë edhe me fetë dhe me pernsalitetet e me profet të tjerë) kjo mund të ketë qenë shuplakë satirike, por ja që tek disa në botën arabo-islame duket se është kualifikuar si terrorizëm anti-islam dhe përgjigja ka qenë vrasja makabre e njerëzve në vendin e tyre të punës.
Këtu kemi të bëjmë me koncepte dalluese mbi lirinë përgjithësisht, mbi lirinë e fjalës veçanërisht, mbi kufijtë e cenimit të kësaj lirie dhe shumë çka tjetër. Por kjo nuk është e tëra.
2
Më e keqja që mund ti ndodh Francës dhe jo vetëm asaj por të gjitha vendeve demokratike nuk është ky akt terrorist ndaj anëtarëve të redaksisë apo ndonjë tjetër akt i ngjashëm.
E keqja më e madhe mund ti ndodh Francës vetëm nëse ajo institucionalisht dhe qytetarët e saj në forma e me metoda të ndryshme tash e tutje kundër këtij lloj terrorizmi përgjigjet me aso lloj veprimesh apo mosveprimesh të cilat mund të jenë, ndalesa apo diskriminime të ndryshme sidomos ndaj miliona afrikano-veriorve mysliman të cilët sot jetojnë në këtë shtet e të cilët nuk janë të pakët në numër. Kjo do të ishte përgjigja më e keqe dhe më e gabueshme e Francës.
Duke e luftuar një të keqe të bëjë edhe vetë keq. Mbase sulmet terroriste pos tjerash e kanë edhe këtë qëllim kur sulmojnë kaq paskrupullt si në Francë. Kështu do të rrezikohej demokracia e këtij vendi dhe drejtësia mund të filloj të zhvendoset.
Por historia është dëshmitare se Franca ka dhënë provime edhe më të vështira se kjo dhe terrorizmi si ky i fundit mund të vras njerëz, qytetarë të Francës, gazetarë, por jo edhe demokracinë e pasur e të vjetër franceze.
3
Për dallim nga ideologjia fetare dihet se nacionalizmi bëhet i rrezikshëm kur përpiqet ta shtrijë shtetin e kombit që përfaqëson më shumë se deri atje ku shumica janë kombas të tij.
Kjo është faza më e rrezikshme e nacionalizmit. Përkundër kësaj nacionalizmi pozitiv ka kufij dhe si rezultat i këtyre kufijve kemi shumë shtete.
Ku janë kufijtë e një mendësie të re që sot ngreh koncepte politike, kulturore dhe shtetërore, duke u përpjekur të bazohet në fenë islame. Cili është kufiri hapësinor i këtij koncepti ?
Ku fillon dhe ku përfundon ai si rregullim juridiko- politik, si shtet, si kulturë, si mënyrë jetese ?
Cili është synimi ? A konsiderohet nga kjo mendësi që krejt toka pra i gjithë Planeti Toka është i Allahut, është e krijuar prej tij, prandaj mënyra islame e jetesës (ashtu sikundër interpretohet nga ata feja islame) duhet të mbretërojë gjithkund dhe të vlejë për gjithkënd. A do të thotë kjo se ky koncept nuk ka kufij në hapësirë bile as në kohë.
A do të thotë kjo se edhe në Elysee Palace në Francë edhe në Shtëpinë e Bardhë në SHBA edhe në 10 Downing Street në Britani, edhe në Kinë, edhe në Rusi, edhe në Islandë, edhe në Brazil, duhet të vlejë e njëjta gjë, sepse kjo jo vetëm që është mënyra më e mirë e të jetuarit por është edhe obligative që kjo mënyrë të praktikohet dhe përhapet gjithandej pa kufij.
Ata që sulmuan dhe vranë mizorisht gazetarë të një redaksie në mes të Parisit me pretekstin se po e mbrojnë një fe, një profet, një mënyrë të jetesës, në një vend jo mysliman, në Francë, duke u thirrur në parime që nuk e obligojnë këtë vend, duket se përfaqësojnë më së miri ambicien e pakuptimtë që mund të synohet sot vetëm me terrorizëm e nuk mund të jetësohet me asgjë.
4
Nga akti i paskrupullt terrorist në Parisë mund të kuptohet se konflikti ndërmjet dy koncepteve politike, kulturore e të tjera nuk po ndodhë ndërmjet Francës në njërën anë si shtet evro-perëndimor, dhe ta zëmë Iranit, Arabisë Saudite apo Afganistanit në tjetrën.
Kjo ndeshje në forma të ndryshme është bartur edhe përbrenda Francës, sepse një pjesë e qytetarëve francez me shtetësi të këtij shteti janë të përkatësisë fetare islame dhe shumica janë nga Arika Veriore. Por Franca është e madhe. E madhe në kuptimin më të mirë të fjalës.
E madhe me territor, me popullsi, me pasuri natyrore, me trashëgimi politike e kulturore dhe sidomos me trashëgimi demokratike.
Por ka edhe diçka tjetër te Franca shumë e rëndësishme për atë që po flasim. Franca është e madhe për nga identiteti francezë i çimentuar fortë dhe gjatë, i pa lëkundur tash sa shekuj.
Ky identitet në rast nevoje ripërtërihet, ringjallet, aktivizohet, kthehet në unitet të fortë dhe aktet e tilla terroriste vetëm se mund ta bëjnë atë edhe më të fortë.
Për fatin tonë më të keq, si shqiptarë ky nuk është rasti tek ne. Ajo që po ndodhë si formë konflikti në përmasa planetare ndërmjet shteteve me përkatësi të ndryshme fetare përkatësisht qytetëruese apo brenda shteteve ndërmjet disave që i përkasin një komuniteti ardhacak mysliman dhe vendësve të krishterë tek ne po ndodh jo vetëm përbrenda shtetit tonë Kosovës por edhe përbrenda kombit tonë pra përbrenda shqiptarëve.
Dhe ne nuk e kemi as forcën, as madhësinë as pasurinë e Francës që të përballemi me këtë konflikt suksesshëm. Çka është më e keqja ne nuk e kemi as qëndrueshmërinë e identitetit për të qenë të suksesshëm në këtë sfidë.
Ajo që po ndodhë si formë konflikti në përmasa planetare ndërmjet shteteve me përkatësi të ndryshme fetare, përkatësisht qytetëruese, apo brenda shteteve ndërmjet disave që i përkasin një komuniteti ardhacak mysliman dhe vendasve të krishterë, tek ne po ndodh jo vetëm përbrenda shtetit tonë Kosovës, por edhe përbrenda kombit tonë pra përbrenda shqiptarëve.
Dhe ne nuk e kemi as forcën, as madhësinë, as pasurinë e Francës, që të përballemi me këtë konflikt suksesshëm.
Çka është më e keqja ne nuk e kemi as qëndrueshmërinë e identitetit për të qenë të suksesshëm në këtë sfidë.