28 Dhjetor 2024

Për një rini të shëndoshë pa abuzim me drogë

Shkruar nga Leutrim Sahiti

Konsumimi i drogave, sidomos nga të rinjtë, çdo vit po shënon rritje në shoqërinë tonë, e më shqetësues është fakti që institucionet tona po bëjnë fare pak në reduktimin e kësaj dukurie negative.

Në Kosovë mungojnë qendra të rehabilitimit të vazhdueshëm për këtë kategori, dhe nuk ka as statistika reale pasi që numri i tyre bëhet i ditur vetëm kur ata lajmërohen tek qendra e vetme e trajtimit ditor të konsumuesve të drogës e që është Qendra Labyrinth, në të cilën janë të regjistruar mbi 1000 konsumues të drogave, të cilët pas trajtimit të tyre ditor në këtë qender nuk marrin asnjë trajtim tjetër të vazhdueshëm apo përkrahje institucionale për pavarësim nga kjo dukuri.

Dje u botua lajmi që Policia e Kosovës ka gjetur drogë dhe armë të ftohtë në njërën nga shkollat e Prishtinës, dhe ky është vetëm një rast nga shumë raste tjera të tilla në shkollat e Prishtinës e   dëshmi për këtë është edhe ekzistimi i vendeve të caktuara në qendër të Prishtinës të cilat janë pikë-takime të përdoruesve të drogës. 

Policia e Kosovës i di këto vende dhe do të ishte shumë më efikase nëse do të kishte më shumë operacione policore në këto vende, kurse institucionet tona qendrore dhe Komuna e Prishtinës nuk po bëjnë asgjë në ruajtjen e shëndetit të të rinjve.

Niveli i ulët i edukimit në shoqërinë tonë, mungesa e programeve vetedijësuese për të rinjët, mungesa e perspektives, mos organizimi i jetës shoqërore në vend, niveli i lartë i papunësisë,  janë faktorët kryesor që të rinjtë konsumujnë drogë. 

Kosova njihet si vend tranzit i drogave, ku muajve të fundit është raportuar që në Kosovë kanë hyrë edhe droga të reja, si ajo e quajtur GHB (Hydroxybutyric acid) e cila është shumë e rrezikshme për shëndetin e konsumuesve, ndërsa rezultatet e operacioneve policore për arrestimin e trafikantëve janë të vogla, e dënimet që jipen po ashtu janë shumë të vogla.  

Mungesa e kontrolleve strikte dhe të sakta në kufijtë e Kosovës, sidomos atij me Shqipërinë që sipas Policisë së Kosovës shumica e marihuanës vjen nga ky shtet, mos menaxhimi i duhur i tyre dhe korrupsioni në nivel të lartë bënë që drogat të hyjnë në Kosovë  në numër shumë të madh dhe kështu bien në duar të konsumuesve të rinjë të drogave. 

Prandaj për të pasur një rini të shëndoshë, për një ardhmëri të mirë  për shoqërinë tonë, duhët që institucionet tona të ndërmarrin programe të veçanta në vetëdijesimin e të rinjve kundër konsumimit të drogave, rrezikut që ato paraqesin për shëndetin e njeriut, pastaj të këtë më shumë luftim të grupeve të trafikimit të drogave, në shkolla duhet instaluar rolin e psikologut dhe sociologut në kurrikulën shkollore në mënyrë që të bëhet më lehtë menaxhimi i jetës së të rinjve që ata të largohen  nga rruga e erret e konsumimit të drogave, të hapen qendra të trajtinimit dhe rehabilitimit të vazhdueshëm të konsumuesve të drogës dhe programe përkrahëse pas trajtimit të tyre në mënyrë që konsumuesit të mos rikthehen në konsumim të drogave e për këtë ata kanë nevojë për përkrahje institucionale  në fillimin e një jete të re, pa drogë.

Si masë tjetër preventive do të ishte dhe organizimi i jetës së të rinjve, përmes rritjes së programeve rekreative, hapjen e më shumë qendrave të aktiviteteve, kulturore e sportive etj.

(Leutrim Sahiti, Sociolog dhe politolog, Drejtor i Institutit për  hulumtime dhe  analiza sociologjike- Sociometri)
        

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)