Për një reformë akademike kuptimplote në Kosovë
Shkruar nga Ridvan Peshkopia
Demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës (UP) dhe dorëheqja e rektorit të UP-së kanë krijuar një situatë jashtëzakonisht të favorshme për reformë në sistemin akademik të cilën shoqëria kosovare nuk duhet ta humbë kurrësesi.
Shënja e parë e qartë e humbjes së këtij momenti do të ishte thjesht emërimi i një rektori të ri pa prekur aspak ose duke arnuar një sistem të diskretituar anembanë botës si edhe tek ne: modelin e universitetit shtetëror.
Tani, mendoj unë, është çasti për të hapur debatin jo për zëvendësimin e rektorit apo për disa arnime në funksionimin e UP-së por për një reformë të thellë në të gjithë sistemin akademik në Kosovë gjithmonë duke pasur parasysh se çfarë lloj shoqërie do të duam të ndërtojmë në të ardhmen.
Siç do të shpjegoj edhe më poshtë, modeli akademik që ne do të zgjedhnim në Kosovë do të mund të kishte shumë ndikim në të ardhmen në ndryshimin e marrëdhënieve mes individid dhe strukturave shoqërore në vendin tonë dhe me krijimin më në fund të individid si një kategori shoqërore në një vend thellësisht të sunduar nga një kulturë mbytëse komunitariane.
Kësisoj, unë propozoj që e gjithë reforma akademike të kryhet në funksion të krijimit të konceptit të lirisë dhe përgjegjësisë personale të individid për formim e tij akademik.
Kjo reformë do të reduktonte në maksimum çfarëdolloj roli të shtetit në jetën akademike dhe do ta bënte universitetin një entitet që funksionon brenda sferës publike por jashtë sferës shtetërore.
Reforma qe unë propozoj ka këta elementë:
1. Një pavarësi e plotë administrative, akademike dhe financiare e universiteteve nga cilado strukturë shtetërore;
2. Liria e cilitdo universitet për të ndjekur atë model akademik që preferon;
3. Shndërimi i universiteteve në entitete ndërmarrësore jofitimprurëse;
4. Eliminimi i rolit të Agjensisë së Akreditimit të Kosovës si një polici akademike, shdërimi i procesit të akreditimit në një çertifikim publik dhe heqja e çdo lloj monopoli mbi akreditimin.
Le ti diskutojmë me rradhë këto çështje.
1. Një pavarësi e plotë administrative do të thotë që universiteti vendos vetë se cilin model strukturor do të ndjekë, vendos për mënyrën e zgjedhjes apo të përzgjedhjes së organeve drejtuese të tij, për rolin që seicila prej strukturave të universitetit ka në jetën e tij dhe se si e para kujt ajo strukturë përgjigjet.
Në këtë pikë, modeli ekzistues ka dështuar sepse, duke qenë se atë e ka vendosur ligji i arsimit të lartë, UP-ja nuk ka mundësi manovrimi.
Propozimi im është që, duke u lidhur edhe me pikën e tretë të propozimit tim, universitetet tona ta zëvendësojnë pozicionin e rektorit, një pozicion kryesisht akademik, me atë të presidentit të universitetit, një poizicion kryesisht manaxherial.
Ky president nuk do të zgjidhej fshatçe por do të përzgjidhej mes shumë kandidaturash nga Bordi i të Besuarve, një strukturë mbikqyrëse që përmbledh përfaqësues të aktorëve më të rëndësishëm në vend të cilët janë drejtpërdrejt të interesuar për suksesin e universitetit, përfshi donator të fuqishëm, ish-të diplomuat të shquar, përfaqësues të komunitetit, grupimeve të fuqishme sociale, etj. Po ashtu, ky Bord i të Besuarve përzgjedh edhe provostët dhe dekanët.
Presidenti është një manaxher i cili është vazhdimisht në kërkim të fondeve, projekteve, përfshirjeve ndërmarrësore që do të sillnin të ardhura në universitet më shumë se sa pagesat vjetore të të gjithë studentëve të marra së bashku.
Presidenti i një universiteti të tillë nuk ka nevojë të jetë shkencëtar dhe nuk është e domosdoshme të ketë doktoraturë (kështu shpëtojmë edhe nga botimet e rrejshme).
Po ashtu, ky model e zhvendos Senatin e Universitetit në një rol tipik parlamentar të përqëndruar kryesisht në ndërtimin e rregulloreve të funksionimit të strukturave administrative dhe akademike, por e zhvesh atë nga funksione të tilla populiste si zgjedhja e individëve.
Pavarësia akademike do të thotë që universitetet përzgjedhin vetë sistemin universitar që duan të zhvillojnë, krijojnë programe të reja, lidhin marrëveshje akademike dhe, mbi të gjitha, përzgjedhin vetë kriteret për promovim akademik.
Hapja akademike ndaj botës do të ndodhë kryesisht me rekrutimin pa kufizime të pedagogëve nga cilido vend i botës, bazuar vetëm në nevojat e departamenteve. Ky rekrutim bëhet në nivel departamenti.
Pavarësia financiare do të thotë që universiteti krijon të ardhurat e veta, këto të ardhura nuk çohen në buxhetin e shtetit dhe, gradualisht, qeveria fillon ta reduktojë grantin vjetor për universitetin deri në zero.
Në këtë pikë, universitetet janë shndëruar jo vetëm në entitete që sigurojnë vetë ekzistencën e tyre por edhe prodhues për shoqërinë. Universitete të tilla ndërtojnë spitale universitare, stadiume, teatro, opera dhe biblioteka me të ardhurat e tyre dhe për qëllimet e tyre por nga të cilat përfiton e gjithë shoqëria.
2. Në Kosovë, Sistemi i Bolonjës në universitetet publike është imponuar me ligj por pa iu nënshtruar asnjë debati akademik.
Ky sistem ka qenë një përpjekje e paqëlluar e qeverive europiane për të arnuar sistemet akademike europiane në krizë të thellë.
Duke u përqëndruar më shumë tek përpjekjet për të krijuar një identitet të ri akademik, atë europian, në vend që të përqëndroheshin tek evidenca e qartë se kriza e akademisë europiane qëndronte tek modeli universitar, financimi tij nga shteti dhe vartësia e tij nga qeveria, disa qeveri europiano-perëndimore e gjetën fajin tek ciklet studimore dhe mënyra e shpërndarjes së kredive.
Abuzimet me këtë të fundit mbeten flagrante; duke e llogaritur kreditin sipas një hamendësimi magjik të kohës që i duhet studentit për tu përgatitur për një lëndë (pa marrë parasysh aftësitë e ndryshme të studentëve të ndryshëm) ky sistem ka minuar në mënyrë fatale të vetmin kriter të matshëm saktësisht: kohën e takimit në klasë të pedagogut dhe studentëve.
Kësisoj, kur për një klasë standarte në ShBA studentët rrijnë në klasë 45 orë për semestër, në universitetet europiane dhe tek ne në Kosovë, kjo kohë është reduktuar deri në 24 orë për semestër.
Këto marifete bejnë që universitetet të kursejnë paratë që do tu paguanin pedagogëve por në fakt sabotojnë themelin e pedagogjisë që kemi pranuar: universiteti është vendi ku takohen pedagogët dhe studentët.
Rezultati është i qartë; studenteve u kërkohet të paguajnë që të studiojnë më shumë të pavarur nga pedagogët të cilët paguhen pikërisht për tu ligjëruar këtyre studentëve (çfarë paradoksi!).
Kësisoj, bashkë me pavarësinë akademike duket të vijë edhe e drejta e universitetit për ta zgjedhur vetë sistemin akademik të tij dhe propozimi im për universitetet e Kosovës do të ishte përqafimi i modelit amerikan, një model që zbatohet me shumë sukses edhe në perandori akademike në rritje siç janë India dhe Kina.
3. Shteti mund të luajë një rol pozitiv në të ndihmuarin që universitetet tona të kthehen në entitete jofitimprurëse. Jo se shteti duhet të ndalojë me ligj universitetet private fitimprurëse por se, me logjikë ekonomike, këta lloj universitetesh duhet të paguajnë taksa. Këto janë biznese dhe duhen trajtuar si të tilla.
Ndërkojë, universitetet jofitimprurëse nuk duhet të taksohen. Qeveria qëndrore dhe qeveritë vendore mund të fillojnë të çlirojnë vetveten nga shumë shërbime që i bëjnë keq dhe ato ti paraqesin në formë projektesh për të cilat universitetet, ashtu siç edhe çdokush tjetër, të konkurojnë.
Konkurenca për këto projekte do të bëjë që ata të zhvillohen më mirë dhe më lirë se sa në rastin kur institucionët shtetërore do të kishin monopolin e tyre.
Por qeveria nuk duhet më kurrësesi të mbajë universitetet me taksat e qytetarëve. Në këto kushte, universitetet mbajnë vetveten, krijojnë, inovojnë, rrisin efiçiencën e tyre dhe bëhen aktorë të rëndësishëm ekonomik dhe social.
Universitetet krijojnë programe të reja dhe nxisin zhvillimin e sektorëve ekonomikë ku të diplomuarit e tyre mund të punësohen.
Ky model e bën tashmë të paimagjinueshëm ndërhyrjen e politikës në universitete. Këta lloj universitetesh nuk i kanë asgjë borxh politikës dhe nuk kanë pse ta paguajnë atë me bindje dhe nënshtrim.
4. Agjensia e Akreditimit e Kosovës (AAK) sillet si një polici akademike. Ajo vendos se cilat universitete do të funksionojnë, cilat programe do të hapen dhe cilat do të mbyllen. Sipas logjikës së ligjit dhe praktikave të kësaj agjensie, qytetarët e Kosovës janë pa tru, ata nuk dijnë të zgjedhin të mirën e tyre dhe se këtë ua servir vetëm kjo agjensi.
Sipas kësaj agjensie, studentët e Kosovës duhet të zgjedhin vetëm atë që vendos kjo agjensi. Asgjë jashtë preferencave të saj nuk mund të ekzistojë dhe se vetëm ajo e ka mënçurinë iluministe të përcaktojë se çfarë i duhet Kosovës nga pikëpamja akademike.
Ajo ka marrë përsipër, madje edhe përtej ligjit, monopolin e liçensimit akademik në Kosovë. Ky monopol është antikushtetues dhe çdo ditë e funksionimit të AAK-së është shkelje e parimit kushtetues antimonopol.
Në të kundërt, universitetet duhet ta zgjedhin vetë agjensinë nga e cila do të akreditohen dhe AAK-ja mund të jetë një prej tyre por jo e vetmja.
Ndërkohë, AKK-ja dhe çdo agjensi tjeter duhet të jenë në rolin e natyrshëm çertifikues të vërtetësisë së ofertave të universiteteve dhe asnjë prej tyre të mos jetë operatori i vetëm në këtë fuksion.
Roli i AAK-së dhe i seicilës prej këtyre agjensive është informimi i qytetarëve për cilësinë e universiteteve në vend por pastaj është përgjegjësia e qytetarit të zgjedhë çtë dojë.
E rëndësishme është që zgjedhja e tij të jetë e informuar. E thënë troç: qytetari i lirë dhe i përgjegjshëm i Kosovës studion në atë universitet ku i do qejfi, i akredituar apo jo, dhe këtë nuk ka të drejtë tia kufizojë as qeveria e as AAK-ja.
Kjo e fundit vetëm i tregon atij për cilësinë e këtyre universiteteve por pastaj është përgjegjësia e individid të studiojë ku të dojë. Vlerën e diplomës së tij e vendos tregu dhe AAK-ja është një xhuxhmaxhuxh përpara aftësisë seleksionuese të tregut.
Disa vende në rajon, tani së fudmi edhe Shqipëria, kanë vendosur të ftojnë agjensi ndërkombëtare për të bërë akreditimin. Unë mendoj se këtë duhet të bëjë edhe Kosova. Jeta akademike, pavarësisht se në Kosovë padrejtësisht konsiderohet si një aktivitet kombëtar, është në fakt një aktivitet ndërkombëtar.
Me këtë unë nuk jam që AAK-ja të mbyllet por se ajo mund të jetë njeri nga opsionet që universitetet mund të zgjedhin për akreditim (sepse edhe e drejta për të zgjedhur se me cilën agjensi do të akreditohet duhet ti përkasë universitetit).
Por sigurisht, një akreditim ndërkombëtar do të ishte më objektiv në botën tonë të vogël Ballkanike plot me mërira, xhelozira, rreshtime klanore apo politike nga të gjitha anët.
Në fillim të kësaj eseje premtova se do të ofroja zgjidhje që vendosin në qëndër të tyre individin dhe ndihmojnë për ndërtimin e një jete universitare e cila në një përiudhë afatgjatë do të ndihmojë në krijimin e individidi të lirë dhe të përgjegjshëm si kategori shoqërore në diktaturën tonë komunitariane.
Së pari, propozimi im lidhet me çlirimin e universitetit nga qeveria dhe kësisoj ky propozim kontribuon në përpjekjen liberale për zvogëlimin e qeverisë, tkurrjen e funksioneve të saj dhe rrëmbimin nga individët dhe shoqëria civile të shumë nga funksionet e sotme të qeverisë, në rastin konkret të sundimit të saj mbi jetën akademike.
Në këto rrethana, studenti pavarësohet nga vartësia ekonomike nga shteti dhe nuk studion më me paratë e taksapaguesit por me paratë e veta.
Një student i tillë është i fuqishëm dhe nuk rrihet nga policia kur kërkon dorëheqjen e rektorit. Fuqia e një studenti të tillë në universitetin e vet vjen nga fakti që ai paguan dhe policia nuk ka me kurrfarë roli në universitet përveçse të mbrojë jetën, pronën dhe sigurinë e individit.
Së dyti, unë propozoj që individët të cilët mblidhen së bashku në një universitet e zgjedhin vetë modelin akademik që duan të ndjekin dhe nuk ua zgjedh shteti me ligj.
Propozimi im e vendos universitetin jashtë sferës shtetërore; ai kështu u përket njerëzve të vet dhe jo dikujt që është jashtë tij, e aq më pak qeverisë.
Këta individë e zgjedhin atë model akademik në mënyrë racionale, pasi diskutojnë të mirat dhe të këqijat dhe jo si rrjedhojë e koniukturave të brendëshme apo të jashtme. Këto koniuktura mund të jenë afatshkurtra; modeli akademik është afatgjatë.
Së treti, unë propozova kthimin e universitetit në një entitet ndërmarrësor. Ky entitet pavarësohet ekonomikisht nga shteti dhe roli i individëve në të rritet.
E gjitha kjo sjell vetvetiu një pavarësim të këtyre individëve nga shteti si nga pikëpamja praktike, ashtu edhe nga pikëpamja e ndërtimit të një kulture qytetare që e vendos individin jashtë shtetit dhe këtë të fundit në funksion të individit.
Një universitet ndërmarrësor ngulit tek pedagogët e studentët një kulturë pune ndërmarrësore, të pavarur nga shteti dhe ky i fundit mbetet vetëm një strukturë që mundëson jetën kolektive por nuk mund të ndikojë në zgjedhjet dhe fatet e njerëzve.
Së katërti, ky model i jep mundësi individid të gjykojë vetë për universitetet, të bëjë zgjedhjet e tij dhe jo të mbetet në duar të strukturave shtetërore apo gjysëmshtetërore për këto zgjedhje.
Modeli liberaldemokrat institucional që ka zgjedhur Kosova funksionon vetëm kur në themel të shoqërisë është individi i lirë dhe i përgjegjshëm.
Por, nën reminishencat e së kaluarës, shteti ynë ua ka rrëmbyer individëve të drejtën për të zgjedhur dhe mundësinë për të qënë të përgjegjshëm.
Monopolizimi i akreditimit të universiteteve dhe praktikisht liçensimi i tyre nga AAK-ja tregon se shteti i Kosovës nuk respekton të drejtën e individid për të zgjedhur shkollën që do ai por vetëm atë që ka akredituar/liçensuar AAK-ja.
Në parim, akreditimi i universitetit, sherbimeve apo mallrave është vetëm një informim për konsumatorin mbi cilësinë e universitetit, shërbimeve apo mallrave dhe jo një legjitimim i kufizimit të zgjedhjes së këtij konsumatori.
Askush nuk mund ta kufizojë zgjedhjen e tij sepse ai është i lirë të zgjedhë çtë dojë: ai është individi i lirë, sovran, i zoti i vetes, përmbi shtetin dhe shteti është vetëm një shërbëtor e jo zotëruesi i tij.
Së fundmi, kjo reformë i zhduk konceptet universitet publik e universitet privat por mban konceptet universitet jofitimprurës dhe universitet fitimprurës.
Detyrimet për të paguar taksa dhe pamundësia për të marrë pjesë në projektet qeveritare do të bëjë shumë të pamundur vazhdimin e ekzistencës së universiteteve fitimprurëse por ato nuk duhet të ndalohen me ligj; vetëm qytetari i lirë e i përgjegjshëm ka të drejtë të gjykojë mbi to.
Është shumë e mundur që tregu, gjykatësi i pagabueshëm i zgjedhjeve tona, ti eliminojë ato universitete që nuk shndërrohen në jofitimprurës.
Por ama tregu, jo qeveria. E thamë qysh në fillim: synimi i kësaj reforme duhet të jetë nxjerrja e plotë e jetës akademike nga sfera shtetërore dhe mbajtja e saj në sferën publike, paralel me shtetin e jo në vartësi të tij.