22 Dhjetor 2024

Për ministrat në “Bansko”: Prioritetet e bujqësisë

Shkruar nga Xhevat Sopi

Në rend të parë, për orientimin e politikave apo përcaktimin e prioriteteve bujqësore, duhet përcaktuar se cili është vendi i bujqësisë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Në kushtet aktuale të Kosovës,  duke pasur parasysh resurset natyrore dhe humane, zhvillimi ekonomik duhet bazuar në masë të madhe në zhvillimin e bujqësisë dhe agrobiznesit.

Pjesa e kabinetit qeveritar që drejtpërdrejt ka të bëjë me resorët e zhvillimit ekonomik të vendit, këto ditë po qëndron në qendrën  e skijimit në Bansko të Bullgarisë, për të hartuar programin qeverisës për këtë mandat qeverisës, që nuk do të jetë i plotë.  Është e natyrshme që çdo veprim i Qeverisë, provokon kritika, komente dhe vlerësime të ndryshme.

Kështu po ndodhë edhe me shkuarje e një pjese të qeverisë në Bansko. Por a duhet vetëm të kritikohet? Mendoj se jo. Konsideroj se fokusi duhet të jetë te programi dhe aq më tepër, realizueshmëria  e tij.

Në ditën e fillimit të fushatës parazgjedhore, shkrova se programeve ekonomike të partive politike u mungonin objektivat SMART(Specific, Measurable, Achievable,  Realistic, and Timely).

Prandaj, për një program të mirë, qëndrimi në Bansko, nuk paraqet një kosto të lartë(duke pasur parasysh shumë shpenzime tjera pa asnjë rezultat). Kjo për faktin se roli i shtetit si rregullator i zhvillimit ekonomik në dimensionet kryesore të tij, është dëshmuar si shumë i rëndësishëm, për një ekonomi kombëtare.

Në fushën e bujqësisë, roli i shtetit vazhdon të jetë i një rëndësi të veçantë.
Madje, për dallim nga degë të tjera, komuniteti bujqësor kërkon në mënyrë të vazhdueshme intervenim më të madh të shtetit.

Ka plot faktor që kanë ndikuar për një situatë të tillë por një është më kryesori,  dhe i vërtetuar në shumë statistika dhe studime të ndryshme botërore: shpërblimi i punës së fermerit është më i ulët se shpërblimi i punës së fuqisë punëtore jo-fermere.

Situata e njëjtë, është edhe në Kosovë, për çka roli i shtetit është i domosdoshëm në zhvillimin e bujqësisë, kryesisht si një rregullator, orientues dhe fascilitues i proceseve në fermë dhe agrobiznes, përmes politikave bujqësore.

Është e kuptueshme se  ndërhyrja e shtetit duhet të jetë e kujdesshme dhe e studiuar mirë në mënyrë që mos të prodhoj efekte negative.

Orientimi strategjik

Në rend të parë, për orientimin e politikave apo përcaktimin e prioriteteve, duhet përcaktuar se cili është vendi i bujqësisë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Nga ajo që është parë deri më tash(afër  1% e buxhetit e ndarë për bujqësinë), bujqësia nuk ka qenë një ndër prioritet qeveritare, të cilat kanë qenë kryesisht të orientuara në infrastrukturë.

Ndonëse infrastruktura ka efektin e vet të madh edhe për zhvillimin e bujqësisë, por në kushtet aktuale të Kosovës, orientimi duhet të kthehet drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit, dhe ky zhvillim, duke pasur parasysh resurset natyrore dhe humane, duhet bazuar në masë të madhe në zhvillimin e bujqësisë dhe agrobiznesit.

Për të orientuar drejt politikat duhet pasur një evidencë të problemit që ekziston në këtë fushë. E derisa problemet në bujqësi janë të shumta, kurse burimet e kufizuara, qeveria duhet të përcaktohet në orientimet themelore të saj për sa i përket zhvillimit të bujqësisë dhe mbi këtë bazë edhe të konsideroj politikat. Ky orientim ka të bëjë me dy përcaktime themelore:

-    Mbështetja  prodhimit vendor për të rritur konkurrueshmërinë ndaj prodhimeve të importit, pra orientimi në  zëvendësimin e  importeve,
-    Mbështetja e produkteve të eksportit

Praktikat e deritashme dhe argumentet lidhur me to, nuk i japin qartë një avantazh ndonjërës nga këto orientime. Nuk argumentohet saktë  se zëvendësimi i importeve mundëson rritjen e ekonomike të vendit sikur që e e njëjta vlen edhe për eksportet.

Duket se një kombinim i këtyre strategjive mund të jetë më e suksesshme. Edhe strategjia e integruar e eksportit e UNCTAD-it i jep rëndësi të barabartë konkurrencës në tregun vendor dhe konkurrencës në tregun e jashtëm. Sipas saj duhet të bëhen lëvizje në tri drejtime:  racionalizimi dhe zëvendësimi i importit, lehtësimet në tregti, dhe promovimi i eksportit.

Një fokusim në ngritjen e kapaciteteve për të konkurruar në tregun e brendshëm, me ato prodhime ku kemi avantazhe të krahasuara,  edhe në kushtet e liberalizimit të tregtisë, do të mund të kishte një përparësi karshi eksporteve,  pasi kjo e para do të kërkonte sasi më të vogël të kapitalit financiar të angazhuar e i cili në Kosovë mungon në masë të madhe(theksojmë këtu edhe kushtet shumë të pafavorshme të kreditimit të bujqësisë). Argumentin e dytë pro këtij oreintimi, do ta konsideroja,  përparësia e “lojës në terrenin tënd”.

Ndërsa orientimin në eksport, Kosova duhet ta mendoj për një të ardhme jo të largët. Gjendja e tanishme nuk është në favor të kësaj politike, së paku në fushën e prodhimtarisë bujqësore.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk duhet filluar puna që tashti, pasi duhen shumë më shumë përgatitje dhe ngritje të performancës së kompanive vendore për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare ku elasticiteti i kërkesës është maksimal. 

Cilat duhet të jenë veprimet e politikës?

Për një afat të shkurtër, politika bujqësore në Kosovë, duhet të orientohet në zhvillimin e prodhimeve bujqësore, të cilat do të mund të konkurronin ndaj atyre të importit e për të cilat ka një potencial.

Këtu  duhet të kemi parasysh, zhvillimin dhe shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese.  Kosova përparësitë e saj në prodhimin bujqësor, sipas analizës së faktorëve të prodhimit, i ka në perimtari dhe blegtori.

Duke qenë se industria përpunuese e qumështit është ndër industritë që ka përjetuar një zhvillimi më të madh karshi të tjerave(edhe pse produktet e përpunuara vendore mbulojnë afër 30% të kërkesë), atëherë  hapa konkret në zhvillimin e saj dhe zhvillimin e blegtorisë duhet të jenë ndër prioritet kryesore të qeverisë.  Si do të bëhej kjo? 

Mbrojtja e prodhimit vendor, duke zbatuar ligjet dhe aktet nënligjore për sa i takon kushteve të importit (afati i qëndrueshmërisë, antidumpingu, kontrollimin i cilësisë, etj).

Ndihma për industrinë përmes granteve të kushtëzuara( që nënkupton grante me destinim të caktuar dhe me kusht që të realizohen vetëm sipas projektit). Ngritja e infrastrukturës së marketingut bujqësor përmes fushatave informuese, trajnimeve në fushën e marketingut për kompanitë dhe prodhuesit etj.

Ndërsa në sektorin fermer, është i domosdoshëm rishqyrtim i politikës së subvencioneve dhe granteve, pasi qëllimi duhet të jetë në orientimin e fermerëve drejt prodhimit për treg. Një subvencionim gjithëpërfshirës, me vlerë  simbolike për një krerë lope, siç ishte në këtë viti nuk është në funksion të këtij qëllimi.

Afërsisht njëjtë duhet të jetë  edhe politika për sektorin e hortikulturës. Shtimi i granteve për ngritjen e serrave dhe për industrinë përpunues, si dhe subvencionim të fidaneve nga varietete moderne me potencial më të madh prodhues.

Shërbimet e rregullta këshillimore për të gjithë fermerët që prodhojë  për treg do të kenë efekt të madh në rritjen e eficiencës-konkurrueshmërisë. Ndërsa ndryshime të politikës fiskale në kuptimin e uljes në maksimum, eventualisht heqjes së tërësishme, të TVSH-së për prodhimet bujqësore, është më se i domosdoshëm.

Një subvencionim i kamatave të kredive bujqësore, i përmendur në disa programe të partive politike gjatë fushatës, do të ishte një politikë me përparësi. Po ashtu ekzistojnë edhe shumë hapa tjerë konkret që mund dhe duhet të ndërmerren nga shteti, për zhvillimin e bujqësisë sikundër edhe përmirësimi i politikave joefektive që janë përdorur deri tash.
 
Për sa i takon, stimulimit të eksporteve,  politika bujqësore duhet të bëjë hapat e parë në këtë drejtim duke mbështetur dhe inkurajuar fillimin e ndryshimit të strukturës së kulturave bujqësore në Kosovë. Kjo do të thotë orientimi në kultura  të reja për të cilat ekzistojnë kushtet agro-klimatike, dhe për të cilat ka tregje, sidomos në vendet e rajonit dhe më gjerë. 

Duke pasur parasysh se kjo kërkon kohë më të gjatë, sepse ndërrimi i strukturës konsiston në vështirësi të shumta të bindjes së fermerëve dhe pastaj të adoptimit me këto kultura, shteti duhet të nisë që tani, të ndërmerr hapat e nevojshëm në këtë drejtim. 

Në këtë kuadër, me interes të veçantë, do të jetë kontributi i shtetit  për gjetjen e donatorëve për zhvillimin e programeve të reja, vënien e kontakteve me  kompani të huaja serioze duke ofruar garancitë e nevojshme,  dhe gjithsesi  stimulimi i iniciativave që vijnë nga fermerë dhe agrobiznesi. 

(Autori është në përfundim të studimeve master, në Departamentin e Agroekonomisë të Fakultetit të Bujqësisë në UP)




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)