Për fat të keq të avokatëve të bixhozit, efekti i ndalimit të lojërave të fatit është pozitiv
Shkruar nga Arbnor Bajraliu
Përderisa ky debat ka arritur deri në atë pikë sa ka njerëz që mundohen ta paraqesin ndalimin e lojërave të fatit si diçka autoritare, praktikë mesjetare, apo veprim që shkakton ngecje ekonomike, më poshtë do të rendisim disa prej dëmeve sociale dhe ekonomike që shkakton kjo veprimtari dhe qasjen që vendet e zhvilluara e kanë ndaj bixhozit.
Kostoja ekonomike
Hulumtimet e shumta tregojnë se efekti i bixhozit në shoqëri është tepër negativ kur krahasohet me disa dobi që shpesh herë përmenden, si përfitimi nga taksat, apo disa vende të punës.
1. Me ndaljen ose pengimin e kësaj veprimtarie krijohet nxitje për investim në sektorë me përfitim real ekonomik.
Kapitali financiar i cili investohej në këtë industri tani me shumë gjasë do të kalojë në sektorë tjerë të cilët kanë efekt real pozitiv në zhvillim ekonomik duke krijuar incentiva për investime në biznese etike.
Kosova ka një numër të madh të të papunëve të cilët do të mund të angazhoheshin nëse në vend të investimit në bizneset e lojërave të fatit do të investohej në biznese prodhuese apo shërbyese, efekti i të cilave do të multiplikonte dobitë e këtyre investimeve.
2. Lojërat e fatit tek shumë njerëz krijojnë ves dhe shndërrohen në sëmundje patologjike.
Shumë individë e humbin gjithë kohën e tyre në këto vende, duke e humbur motivin për punë apo për përfitimin e shkathtësive të nevojshme për punë (shkollim, trajnime, edukim). Kur e kemi parasysh se kapitali njerëzor është një prej tre faktorëve kryesorë të prodhimit, e kuptojmë se sa më e madhe të jetë varësia e njerëzve ndaj lojërave të fatit aq më joproduktiv bëhet kapitali njerëzor dhe Kosova rrezikon të humb faktorin kryesor për zhvillimin e vendit, njeriun.
3. Lojërat e fatit shkaktojnë disbalancë në shpërndarjen e pasurisë. Sa më të përhapura këto lojëra në vendin tonë, aq më shumë pasuri do të grumbullohet tek pronarët e kazinove dhe aq më të varfër do të jenë pjesa tjetër që luajnë këto lojëra.
Disa njerëz të rrallë arrijnë të përfitojnë nga këto lojëra, mirëpo shumica e tyre e humbin pasurinë e familjes.
Sipas një artikulli të publikuar nga TheGuardian, njerëzit e intervistuar deklarojnë se gjatë kohës së varësisë ndaj bastit, kanë kryer më shumë krime, duke përfshirë vjedhje dhe kanë kaluar shumë kohë në burg.
Kostoja sociale
Rritja e nivelit të krimit siç u dëshmua në dy rastet e fundit të vrasjeve në Kosovë, e shumë raste tjera në të kaluarën.
Në çdo vlerësim ekonomik të lojërave të fatit duhet patjetër të konsiderohet edhe kostoja sociale.
Dhe këtu e kanë më së vështiri avokatët e këtyre lojërave, për shkak se faktet që e dëshmojnë ndërlidhjen mes krimit dhe bixhozit janë të shumta dhe të vërtetuara.
Studimet tregojnë se individët të zhytur në këto lojëra tregojnë performancë me të dobët në shkolla, kanë shkallë më të lartë të përdorimit të drogave, zgjedhin rrugë ilegale të përfitimit të pasurisë me qëllim të financimit të lojërave të fatit, madje kanë edhe shkallë më të lartë të divorcit.
Sipas një tjetër studimi të Medical Science Monitor që pati për qëllim matjen e relacionit mes të të varurve nga lojërat e fatit dhe nivelit të krimit, del se ata që ishin të varur nga këto lojëra treguan shkallë të lartë të kriminalitetit, çrregullim të personalitetit, varësi nga alkooli etj.
Ndalimi dhe kufizimi i bixhozit, praktikë e shteteve të konsoliduara
Ata që mendojnë se ndalimi i lojërave të fatit është praktikë vetëm e vendeve konservatore, le të bëjnë një kërkim të thjeshtë në internet për shtetet Amerikane si Utah apo Havai, ose shtete tjera të zhvilluara ose në zhvillim si Japonia, Singapori, Islanda, Kina, Brazili, Izraeli, Koreja Jugore, Polonia, Rusia, Gjermania, Tajlanda, Turqia, Ukraina, pa përmendur shumicën e vendeve afrikane dhe vendeve tjera jo edhe aq të zhvilluara, të cilat në një formë ose tjetrën e ndalojnë ose e pengojnë bixhozin përmes ligjeve strikte.
Britania e Madhe dhe Irlanda kanë vendosur rregulla strikte drejt ndalimit të reklamimit të bixhozit.
Këtë vit ndalesës ndaj marketingut të lojërave të fatit iu bashkuan edhe Italia e Belgjika.
Franca ka vendosur ligje strikte dhe norma të larta taksimi ndaj kompanive të bastit sa shumë prej tyre kanë zgjedhur të largohen nga vendi për shkak të vështirësisë për të operuar.
Shtetet të ndryshme e ndalojnë këtë veprimtari në përgjithësi, ose në pamundësi të ndalimit të plotë, vendosin rregulla strikte për parandalimin sa më të madh të këtyre lojërave. Por rrallëkund gjen si në Kosovë, të organizohen debate për të diskutuar në favor të bixhozit.
Argumenti se bastet kanë ekzistuar pothuajse në çdo kohë dhe është e vështirë të ndalohen, nuk është arsye që kjo dukuri me efekt negativ social dhe ekonomik për shoqërinë të mos pengohet.
Ngase një gjë që nuk mund të ndalohet plotësisht nuk e arsyeton lejimin e atij fenomeni deri në masë të pakontrolluar, duke na dërguar kështu në krime çfarë i shohim çdo ditë në shoqërinë tonë dhe krime të cilat janë vërtetuar edhe me shumë hulumtime.