26 Dhjetor 2024

Për dikend tradhëtar për të tjerët shpëtimtar

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Skajshmërisht injorantë, skajshmërisht të papërgjegjshëm: Duket se zhbllokimi i procesit për formimin e institucioneve të Kosovës po përfundon, së bashku me pushimet verore.

Gjatë ngërçit institucional që kësaj here ishte më i shkurtër dhe më pak tensionues se në vitin 2014 kishim një situatë, sa komike aq edhe tragjike.

Ishte një kohë e festivalit parapolitik të fytyrave të shndërruara në pafytyra, të karaktereve pa karakter, të parimeve  pa parime, të një patosi kombëtar e që në fakt ishte nëntokë e imoralitetit antikombëtar, nga fishekzjarret për fuqizim të shtetit deri te pordhtë e ftohta për marrje të pushtetit, nga aderime të reja të pleqëve që i shërbyen çdo politike deri te abortimet e pamoralshme të dyfytërëshve politikë, te moralizimi i fortë sa ishit në shërbim të partisë deri te prostituimi i ndyrë në partinë e kojshisë, nga huqja tradicionale e “analistëve“ që e dhunuan analizën deri te analistët online që duan me çdo kusht ta sistemojnë prapanicën, nga konvertimi jologjik i ish jugosllavëve në shqiptarë si dhe ndërrimi i fesë kombëtare, për shkak të intereseve, nga shqiptarët në kosovarë dhe shumë cilësime e transformime të tjera ndërsa më shpeshti që përdorej ishte cilësimi tradhëtar.

Pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 u krijuan dy blloqe që e vazhduan armiqësinë midis shqiptarëve ; koalicioni PAN si fitues i zgjedhjeve dhe koalicioni LAA +LV me synim ta marrin pushtetin duke e dërguar PAN-in e sidomos PDK në opozitë përmes tërheqjes zvarrë rrugëve të shtruara dhe të pashtruara, deri te Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc.

Kombinimi djathtist (LAA + ai majtist LV) u përpoqën të bëjnë një bashkëdyzim të programeve krejtësisht të kundërta me të vetmin qëllim; hakmarrjen ndaj PDK-së, LDK për shkak të mocionit për mosbesim të qeverisë Mustafa që nuk e përballuan kurrë ndonëse PDK e rrëzoi edhe veten kurse LV ka një armiqësi personale me PDK e që nuk ka të bëjë fare me shtet, çështje kombëtare, zhvillim ekonomik apo parime por që, përmes marrjes ekskluzivisht të pushtetit ta realizojë hakmarrjen duke e instrumentalizuar këtu LAA ndonës këta të fundit, hiç AKR-në dhe “ partinë “ e dy gangsterëve politikë të njohur si Boni dhe Klajd, ishin shkërdhyer plotë tri vite me hamshorët e PDK-së!

Ishte një situatë kur koalicini LAA +LV betoheshin në besnikëri për të mos e tradhëtuar njëri – tjetrin në luftë kundër PAN-it. Realisht, urrejtja ndaj PAN-it ishte më e madhe se ndaj Partisë Përparimtare Serbe apo edhe Partisë Socialiste Serbe kurse Kadri  Veseli urrehej më shumë se Vuçiqi, Daçiqi dhe Shesheli që nuk më duket aspak normale dhe morale.

Ndonëse jemi mendjeshkurër në mbamendje por,  megjithatë  ,jo edhe aq sa për të harruar sjelljet ndaj Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, tash, të besosh se ata mund t’i bësh aleatë   duke e fshirë të kaluarën e afërt, përveç se është një hipokrizi që nuk gëlltitet as duke pirë edhe tërë ujin e Drinit të Zi, është edhe një mashtrim i radhës nga grykësia e madhe që me çdo kusht ta merrni pushtetin.

Të dyja koalicionet ishin shumë vardisëse ndaj Pacollit i cili kurrë nuk do të bëhet politikan por mbetet një virtuoz i cili di ta shfrytëzojë rastin e krijuar nga të tjerët.

Në njërën anë betohej në besnikëri të pafundtë ndaj LAA, flirtonte me LV por nuk i refuzonte mësitët nga PAN. Kështu nuk vepron vetëm Pacolli por çdo politikan në çdo shtet të botës kur i krijohet një mundësi e artë për të përfituar politikisht e që pastaj përcillet me sigurimin e mirëqenies materiale për partinë .

Në situatën e krijuar për Behgjet Pacollin, më shumë qonë peshë koalicioni PAN se t’i kishte peshkuar 10 peshq të artë. E njëjta gjë vlen edhe për koalicionin PAN që Begjën e konsideron më të vlefshëm se një peshkaqen apo balenë të artë. Behgjet Pacolli e ka një mbulesë fantastike nëse e thenë kurorën, jo të martesës por të bashkëjetesës  me LAA dhe LV ; ate të qenit faktor kyç për zhbllokimin e formimit të institucioneve të Kosovës. 

Behgjet Pacolli është në një   epërsi absolute ; mund të fitojë çdo gjë që e kërkon nga PAN . PAN nuk ka rrugëdalje tjetër përveç pranimit dhe dorëzimit pa kushte para Begjës ose shkuarjes në opozitë.

Ndërkaq, LAA –( AKR ) +LV ), ose duhet t’i pranojë kushtet e PAN-it ose të fluturojë në opozitë. LV, edhe ashtu opozitën e ka pasë të garantuar kurse për LDK, mbetja në opozitë prodhon shumë probleme politike dhe jo vetëm politike.

Kanë filluar që Pacollin ta quajnë tradhëtar e që nuk ka fare të bëjë me të vërtetën. Po të mbetej patericë e LDK dhe LV do të shkrihej brenda një kohe të shkurtër kurse e të bërit patericë e PAN nënkupton se bëhet patericë funksionale në shërbim të intereseve partiake e që në rrethanat e krijuara edhe shtetërore.

Në botë e në veçanti në Ballkan partitë funksionojnë në këtë mënyrë, sa para, aq muzikë ( politikë ). E pse Pacolli të sakrifikohet për LDK dhe LV kur ka mundësi të sistemojë shumë anëtarë të partisë duke i shndërruar, nga rasti social në rast me status  të rregulluar materialisht.

Në Kosovë nuk ka më çka të tradhëtohet për t’u shpallur tradhëtar  sepse kanë përfunduar thuaja të gjitha proceset ku mund të përfitoni si tradhëtar.

Tradhëtarët e dikurshëm janë bërë patriotë të vërtetë, janë sistemuar në vende më të mira të punës, janë bërë veteranë të UÇK-së, janë shpallur heronj të Kosovës si dhe janë paisur me pasaporta diplomatike të Shqipërisë.

Kurse idealistët me të kaluar kombëtare kanë mbetur në bisht të sorrës dhe sot nuk është fort për mburrje të krenoheni me të kaluarën tuaj patriotike. Nëse nuk doni që Behgjet Pacolli ta zhbllokojë ngërçin politik atëherë zhbllokojeni  ju të LDK ose të LV, pastaj punoni të shkoni në zgjedhje të parakohshme.

Si duken gjërat, Kadri Vesli do të jetë kryetar i Kuvendit sepse Kushtetuta aktuale e thotë kështu kurse Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër sepse, me Begjën do t’i ketë votat e mjaftueshme.

Prandaj, për shkak të vet juve, mos e shqiptoni me aq lehtësi cilësimin tradhëtar, as për Teuta Rugovën e as për Behgjet Pacollin para se ta kujtoni të kaluarën tuaj apo të paraardhësve tuaj biologjik dhe politikë !  Nëse e doni vendin dhe i shërbeni qytetarit atëherë bëhuni opozitë konstruktive dhe lërini inatet dhe egotë personale.

Nëse pozita nuk punon si duhet e keni lehtë t’i realizoni qëllimet politike përmes provokimit të zgjedhjeve të parakohshme.

Mos i paragjykoni proceset, ende pa filluar. Është me rëndësi të zhbllokohen proceset, pavarësisht kush i zhbllokon ato, pozita apo opozita . Realisht, do të ishte jashtëzakonisht mirë nëse opozita i zhbllokon proceset sepse në këtë mënyrë do të punonte për vet opozitën.

Çdonjëri që kontribuon në zhbllokimin e situatës, pozitë apo opozitë qoftë apo edhe individ, duhet të ketë përkrahje dhe mbrojtje morale e jo të gjykohet, linçohet publikisht apo të cilësohet si tradhëtar, cilësim ky që bëhet me një lehtësi të pakuptueshme   të papranueshme dhe të padurueshme!

Zgjedhjet lokale dhe afati kalimtar:  Kaluan do personalitete nga njëra parti në tjerën pasi përfundoi procesi i zbrazjes së grazhdit.

Disa transfere ishin antologjike si ai i Shaqir Foniqit në AAK ku e nisi karrierën kineze të politikës ( si pensionist ) pastaj një karrierë tjetër kineze e Zekë Sinanajt në LV si kandidat për kryetar të Deçanit.

Edhe ky e nisi karrierën politike kineze. Të njëjtën situatë e kemi në PDK kur Sekretari i Përgjithshëm, legjendari Basri Musmurati, me moshë si Den Sia  Pingu vazhdon të llogaritet si forcë motorike e PDK në vend se të dërgohet në Banjën “Nëna Naile“ e t’i lëshojë vendin një të riu që ka potencë fizike, organizative dhe politike.

Dikur vëllezërit Muja e tash vëllezërit Buja, të pakënaqur me gjendjen në parti e sidomos të pakënaqur me statusin personal brenda partisë, për shkaqe burimore parimore e lëshuan partinë duke kërkuar ( si hulumtues të mëdhenj që janë ) shtigje të reja, me thasë  ( me miliona euro ) në krahë .

Edhe një anëtar i PDK-së nga diaspora, i ikur nga detyrimi ligjor për të mbajtur burgun, nga largësia e sigurt moralizon me partinë duke këshilluar se çka duhet të bëjë PDK dhe Kadri Veseli.

Këto këshilla duhet t’ua thotë në selinë e partisë pasi ta ketë kryer dënimin e jo të tregojë përralla nga diaspora. Të tillët e kanë dëmtuar partinë, në rastin konkret PDK por edhe LDK, AAK, Nismën por edhe LV. Është shumë e pamoralshme ta shkërryeni partinë, të bëheni milionerë e pastaj ta shani partinë!

Partitë duhet ta bëjnë reformimin e brendshëm si kusht për demokratizim të saj. Duhet të fillojnë me dekriminalizimin konkret duke i eliminuar nga postet dhe listat zgjedhore të gjithë ata që kanë rënë në kundërshtim me ligjin, pavarësisht postit apo fuqisë politike që e kanë.

PDK, fillimisht jashtë vullnetit të saj e ka filluar këtë proces dhe nëse mendon të bëhet parti serioze duhet ta çojë deri në fund këtë proces.

Reformat kozmetike bëhen për ta fshehur përmbajtjen dhe vetëm sa e dëmtojnë partinë kurse reformat e thella janë të dhimbshme, shumë të dhimbshme por nëse bëhen deri në fund e këndellin dhe e forcojnë partinë.

PDK është në udhëkryq ; ose të bëjë reforma ose të mbijetojë si mos më keq ku ,secili mund ta shantazhojë partinë për shkak të mungesës së disiplinës partiake dhe refuzimit të bindjes ndaj programit të partisë dhe vendimeve të organeve drejtuese të partisë.

Po të ishte mbarë nuk do të vinte në gjendje PDK sikur në Drenas, Skënderaj apo edhe vende të tjera ku, më e ashpër bëhet lufta midis anëtarëve të PDK-së se partive kundërshtare. Pse PDK do të duhej të hiqte dorë nga kandidati për zgjedhje lokale në Skenderaj nëse paska konkuruar Bekim  Jashari,  si kandidat i pavarur?!

PDK duhet ta ketë një kandidat për Skenderaj, të bëjë fushatë fer dhe zgjedhje të drejta dhe, sa të fitojë le të fitojë!

PDK, për shkak të brishtësisë së krijuar për shkak të disa kopukëve partiakë, u bë shumë e lëndueshme dhe e shantazhueshme që po i kushton në vendimarrje me të tjerët.

 Është paradoks i llojit të vet që PDK që deri vonë ka qenë Autorrugë apo Rruga e Kombit Politike e Kosovës të vjen në gjendje që anëtarësia të largohet, duke kërkuar shtigje të reja.

Nuk më duket normale që dikush ta lëshojë Autorrugën e t’i hyjë shtigjeve të panjohura përveç rastit kur këtë e bënë për t’i fshehur gjurmët ! Urbanizimi politik i PDK –së është bërë kryesisht me njerëz të gabuar prandaj llogaritet si proces  i dështuar.

Në mesin e “guerilës “ urbane politike të PDK –së ka shpërdorues dhe keqbërës që shumë e kanë dëmtuar partinë! Sa më parë të lirohet nga ata, reforma do të jetë më përmbajtësore dhe më kuptimplotë!

PDK duhet të lirohet nga injorantët politikë që kanë zënë poste për një rrogë të majme dhe as që iu intereson partia për aq kohë sa marrin paga. Pikë e dobët e PDK –së janë kandidatët për zgjedhje lokale.

Partia është dashur të vlerësojë gjasat në çdo komunë dhe në përputhje me këtë duhet të vendosë nëse do të kandidojë apo jo. Nuk duhet të kandidoni vetëm sa ta përmbushni detyrimin por duhet të mendoni pak më larg. E vlerësoj pozitive kandidaten për Mitrovicë  dhe kësi shembuj është dashur të ketë më shumë. Po, në fund të fundit kjo është çështje e partisë.

LDK nuk ka vullnet të reformohet sepse i ka kandiduar të gjithë “ elefantët “ për zgjedhje lokale. Nuk ka lojtarë të rinj përveç Arban Abrashit në Prishtinë. Vazhdimësia  politike e “ elefantëve “ tregon se po bëhen përpjekje që :” edhe pas Isës, të jetë Isa “ gjë që shumë do ta dëmtojë në të ardhmën LDK.

Isa po bënë përpjekje që ta bëjë lider të partisë Avdullah Hotin e kjo do të dali investim i kotë sikur përpjekjet e Dellit për ta bërë lider Shpendin prej të cilit pastaj hoqi dorë! Avdullah Hoti është profesor shumë i mirë por kurrë nuk do të bëhet lider karizmatik.

 Avdullah Hotin, si trashigimi e imponuar politike e Isa Mustafës e konsiderojnë kundërshtar të reformave brenda LDK-së.

Patriotizmi i sforcuar i LDK –së kohëve të fundit nënkupton rënie të fuqisë dhe ndikimit politik në Kosovë.

LDK ka nevojë të ngutshme të krijojë hapësirë për veprim politik të kuadrove të reja dhe të mesme nga radhët e partisë e jo t’i afirmojë me procedurë të përshpejtuar jeniçerët që erdhën këtu vetëm për poste dhe interes personal e që nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësi.

Këta janë zogj shtegtarë që, në përputhje me klimën politike, ndërrojnë foletë por kurrë nuk kontribuojnë në ndërtimin e folesë së LDK-së.

Jetëgjatësia qeverisëse do të jetë përcaktuese për forcimin apo dobësimin e AAK-së. Sa më gjatë që të qeverisin, më shumë do të forcohen dhe e kundërta.

LV është në një ofensivë të madhe duke arritur një fitore, si subjekt politik në zgjedhjet e fundit për të cilën mendoj se nuk ka qëndrueshmëri strategjike.

LV është derivat i një pakënaqësie me subjektet tjera politike që ka përparuar në radhë të parë në saje të komunikimit dhe manipulimit me masa dhe në saje të punës në terren brenda e në veçanti me diasporën.

Për zgjedhjet lokale i ka caktuar kandidatët që kanë gjasa të fitojnë kurse aty ku kanë më pak gjasa nuk i kanë dërguar lojtarët e fortë për t’i mos djegur .

Zgjedhjet lokale do të jenë tregues për të ardhmën e LV kurse, tani mendoj se nuk kanë gjasa të qeverisin vet për shkak të rrethanave, në radhë të parë mos të them ekskluzive ndërkombëtare, që janë kundër tyre.

Tash LV duket më paqësore por lehtësisht mund t’i kthehet “luftës me mjete tjera“ nëse proceset shkojnë kundër tyre. LV nuk ka unitet të brendshëm ashtu si duket nga ambalazhimi i jashtëm, dhe ndarjet do të ndodhin sikur në partitë tjera me ç’rast, përmbajtja kombëtare do të margjinalizohet edhe më shumë kurse pjesa feriste e LV do të fuqizohet më shumë.

Disiplina partiake e LV duhet të manifestohet edhe në raport me institucionet e Kosovës të cilat duhet t’i respektojnë për qa kohë sa përfitojnë materialisht nga to.

LV tërë kapacitetin veprues për zgjedhjet lokale duhet ta përqëndrojë në Prishtinë sepse nëse e humbë Prishtinën, shumë procese do të jenë kundër LV.

Prishtina është thembra e Akilit për LV, janë flokët e Samsonit dhe dilema hamletiane:” të jeshë apo mos të jeshë, kjo është çështja (fitorja në Prishtinë)!

Koalicionet para balotazhit do të jenë infuzion shpëtimtar apo edhe shkatërrues për shumë subjekte politike ! Të shohim !
                
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)