23 Dhjetor 2024

PDK dhe opozita

Shkruar nga Shkumbin Hyseni

Tashmë fjala fusnotë na është bërë me e shpeshtë se fjalët përshëndetëse. Kudo që shkojmë, çkado që bisedojmë dhe lexojmë, madje edhe çkado që mendojmë, të gjitha po fillojnë dhe përfundojnë më të famshmen fusnotë. E vënë si shpjegim për entitet, ajo ka marrë dhenë dhe tani po u vihet edhe njerëzve në bisedat e rastit qofshin shoqërore ose jo.

Dhe, konsideroj se më së shumti,”fjolla e borës” zënë vend tani për tani në Kosovë. E them ketë kur kemi parasysh se ne vendin tonë, ka nevojë që pas çdo emërtimi të kemi edhe disa shpjegime apo interpretime shtesë. Një zyrtarë komunal i një komune, pati kërkuar që edhe rregulloreve komunale të iu vej fusnotë. Kjo kërkesë është bërë që në mesin e vitit 2010. Zaten, shumë gjëra në përditshmëri kanë nevojë për shpjegime shtesë.

E sa për partitë politike dhe politikanët tonë, padyshim se kanë nevojë për fusnota. Kanë nevojë për më shumë qartësi, sepse nganjëherë me veprimet e tyre bëhen aq të çuditshëm sa që, në mungesë të një *, mund edhe të kuptohen si veprime më së paku politike, por të ngjashme me veprimet “xhungllashëve” .

Politikat ditore që po o bëjnë, një pjesë e spektrit politik kosovar, nuk janë duke na kontribuar në të mirën e vendit. Për të gjitha zhvillimet po akuzohen partitë në pushtet, dhe është e natyrshme të akuzohen ata që janë në ballë të një zhvillimi. Por, më e keqja është se po mungojnë alternativat. Kjo është pikërisht e keqja që po kanos në mënyrë permanente zhvillimin e vendit. Kemi kritika për lëshime, për dështime, për ngecje, për mungesë vizioni, etj. Por, shtrohet pyetja se kush po i bënë këto? Po i bëjnë ata që në realitet, vet janë edhe më keq dhe po ecin në rrugët që si duket nuk kanë krye.

E duke u nisur nga këto zhvillime, sigurisht se kur flasim për partitë politike, duhet vendosur edhe atyre nga një fusnotë, e cila në ketë rast, frikësohem se nuk do të mbetet e përkohshme por do jetë gjatë. E nuk do të duhej të ishte kështu. Më me dëshirë, të gjithë do të kishim para vetës më shumë ide produktive dhe prosperuese. E si rrjedhojë, edhe beteja politike të ishte më e ashpër në raport me idetë dhe vizionet. E edhe veprimet politike të ishin shumë më të kujdesshme dhe më pragmatike të pushtetarëve, përballë pozitës së fortë dhe gjithherë konkurruese. Por, si duket agonia politike dhe në momente të caktuara edhe intelektuale ka kapluar një pjesë të spektrit politik.

 Kjo më benë të mendoj edhe për vendosjen e një fusnote për politikën kosovare. Kësaj radhe, në një kontekst jo shumë pozitivë, për dallim prej fusnotës së vënë për Kosovën, e cila ka filluar të admirohet edhe nga shtetet që janë të njohura që shumë kohë më parë, por që kanë probleme ndërshtetërore.

PDK*- Partia Demokratike e Kosovës. Partia e cila ka më së shumti vota të fituara në zgjedhjet e fundit. Pra, partia që udhëheqë pushtetin. Dhe e cila, duke parë katandisjën, ngufatjen dhe mungesën e një oferte më serioze opozitare, edhe për diku 2-3 palë zgjedhjet e ardhshme nacionale,  pritet që bindshëm të jetë prijatare e pushtetit. Madje, deri në daljen eventuale në skenë të ndonjë oferte të re, vështirë se mund të ndërroj shpjegim kjo fusnotë. E për më shumë edhe Hashim Thaçit, duhet vënë një fusnotë të njëjtë: Kryeministër aktual dhe kryeministër në mandatin e ardhshëm por me premisa që pas pesë vitesh të jetë President, në mungesë të një lideri tjetër që mund të jetë sfidues.

OPOZITA*-Partitë opozitare parlamentare por edhe jo parlamentare të Kosovës: Lidhja Demokratike e Kosovës, Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Dardanisë, etj. Parti që disa e kanë pas kërkuar pushtetin por nuk kanë ditur që ta ruajnë dhe tani më po “mrizojnë” në opozitë dhe atë me ketë lloj opozitarllaku, as që do të duhej ta shohin as në ëndërr pushtetin.

Një LDK që e ka humbur në tërësi rrugën dhe mendon që duke futur nene disiplinuese në statutin e vet, e të cilat janë kopje e statuteve të partive që u ka “dal boja” (komuniste), do të fitoj dika. Aq më keq kur kjo parti që do të duhej të ishte rrezik i vazhdueshëm për PDK-en. E kjo do të ndikonte që pushteti të punoj më mirë dhe opozita të jetë produktive me ide.

Mentaliteti i përjashtimit, disiplinimit dhe i largimit nga orientimi rugovian për krijimin e miqësisë së përhershme me Amerikën dhe vendet perëndimore, është një ogur i keq jo vetëm për ketë parti. Ndërsa, Isa Mustafa*-do të mund të shpjegohej më një lider me karizëm autokrati, apo ngjasime me frymën jo demokratike (mos të themi ndryshe).

Vetëvendosja, mbetët një parti që mund të jetë edhe në zgjedhjet e radhës parlamentare. Por duke kaluar nëpër vrimën e gjilpërës. Kjo vjen si pasojë e qëndrimit të saj, se të gjithë e kanë keq në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Kjo ofertë, nuk është konkurruese, aq më pak tek qytetarët kosovar, të cilët kanë mendim më të zhvilluar politikë se sa që mendojnë disa të VV-së, e nuk janë të gatshëm të mbështesin ata që dinë të kritikojnë pa ndonjë koncept që përkon më kohën dhe rrethanat që na përshkojnë.

AAK-ja, vazhdon të luftojë për të mbajtur ato vota që ka dhe duke shpresuar që të qënurit si parti e tretë, mund ta bëj faktorë kryesor në ndërtimin e koalicioneve. E nga kjo do të mund të marrë sa më shumë nga pushteti. Kjo nuk përbënë një rrezik për partinë që mbanë primatin.

LDD-Parti e cila ka një anëtarësi, të mbetur si vogëlsirë, por si ajkë që dikujt i shërben në fushata për promocion, duke e çjerrë deri në ashtë. Asgjë më shumë nuk mund të pritet nga kjo se sa shkrirje apo vetshkrirje. Dikur, bashkimi i saj më ata të “vrasësve të demokracisë”, mund të dërgonte në një kundërshtarë politik të denjë për pushtetin, por tani me nismat e fundit bllokuese dhe barrikaduese të sfidantit të demokracisë, i mbetet për të shpresuar në mrekulli.

Si përfundim, duhet thënë se fusnota ka nevojë për vendosje në shumë raste. Por, kjo nuk na pëlqen në disa raste. Do të donim të kishim opozitë që në vazhdimësi ka gjasa reale për të marrë pushtetin e kjo do e “edukonte” pushtetin që të sjellë edhe më shumë të mira për vendin. Siç duket, gjatë kohë, do kemi një parti në pushtet të fuqishme dhe një opozitë që ngecë apo edhe vetëshkatrrohet. 

Kjo është fusnota e politikës kosovare. Pra, fusnota për Kosovën është shumë më e “ëmbël” se sa fusnota për politikën vendore.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)