PDK dhe AAK - PSD duhet ta votojnë qeverinë Kurti pa asnjë kusht
Shkruar nga Behxhet Sh Shala - Bajgora
Kaluan ethet zgjedhore: Zgjedhjet e 6 tetorit përfunduan si më mirë, pa probleme dhe duke u respektuar vullneti i votuesit – qytetarit.
Ishin do befasi por të cilat, me një analizë jo fort të thellë do të konsideroheshin si përfundim normal dhe real e jo befasi.
Në shkrimin për gazetën Epoka e Re të datës 5 tetor 2019 kam dhënë dy parashikime të rezultateve e që i kam ndërlidhur me përqindjen e atyre që do të votojnë ; 1 ) nëse në këto zgjedhje do të dilnin 35 ose pak më shumë se kjo shifër, PDK do të ishte fitues, LDK e dyta kurse LVV e treta.
Nëse në zgjedhje do të dilnin 42% e më shumë, fituese e padiskutueshme do të jetë LVV, e dyta LDK kurse në vendin e tretë do të ishte PDK-ë. Ashtu edhe doli.
Gjithashtu kam parashikuar se Nisma pa AKR e kalon pragun pa asnjë problem kurse Nisma me AKR, nuk e kalon.
Në momentin kur doli se në zgjedhje kanë votuar mbi 44 %, nuk kam pasur dilema për fituesin, për të dytin dhe të tretin.
Kur u bënë publike 15% të votave nga KQZ –ë e kam uruar Albulena Haxhiun dhe Glaukun për fitore kurse Albinin jo sepse nuk kam pasur numër të telefonin në ndërkohë që nuk kam fare faqe në rrjetet sociale.
Pas zgjedhjeve është thuaja normale që të gjithë deklarohen si fitues andaj e kuptoj Abelardin .
Kadri Veseli bëri mirë që menjëherë i pranoi rezultatet dhe u deklarua se do të kalojë në opozitë, besoj shumë opozitë konstruktive, Mendoj se të gjithë liderët e partive politike është dashur ta urojnë Albin Kurtin për fitore dhe ky është testi më i mirë i demokracisë.
Për më keq, edhe pas fitores, disa media u munduan ta njollosin Albin Kurtin duke e ndërlidhur me Rusinë dhe Serbinë dhe duke e vënë në pozitë se qenka kundër perëndimit.
Unë me Albinin një kohë të gjatë nuk kam pasur ndonjë afri politike mirëpo asnjëherë nuk e kam mohuar patriotizmin, trimërinë, intelektualizmin dhe njohuritë politike dhe, në asnjë rast nuk e kam vënë në dyshim gatishmërinë e tij për sakrificë.
Pse fitoi LVV dhe pse nuk fituan LDK-ë, PDK, AAK – PSD dhe Nisma – AKR :
Lëvizja Vetëvendosje: LVV ishte shumë këmbëngulëse në realizimin e qëllimeve dhe me mjeshtëri e materializoi çdo gabim të kundërshtarëve politikë.
Fitorja e LVV mund të konsiderohet si fitore personale e Albin Kurtit i cili, që nga rezistenca studentore kundër Serbisë, si sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së që udhëhiqej nga Baca Adem Demaçi, burgjeve në Serbi, përmes protestave ndaj UNMIK-ut, EULEX-it dhe partive kosovare në pozitë, më shumë e kaloi kohën duke u ketrajtuar nga policia dhe politika sikur edhe në burgje, se që kaloi me familjen dhe familjarët.
Fillimisht e kundërshtoi procesin e decentralizimit, demarkacionit, Gjykatën Speciale, bisedimet pa kushte me Serbinë.
Albin Kurti, duke ofruar tema sociale e në kushte të një papunësie ekstreme, kryesisht të të rinjve dhe bashkimin kombëtar, fitoi përkrahjen e të rinjve sikur edhe patriotëve që ishin sakrifikuar për bashkim kombëtar.
Pasuesit e Albin Kurtit ishin fanatikë, të gatshëm për sakrificë dhe të gatshëm të punojnë si vullnetarë, në çdo kohë dhe në të gjitha kushtet.
Albini e preku dellin e duhur duke punuar me diasporën në kohën kur askush nga liderët tjerë nuk u takua me diasporën.
Dhe, për dallim nga të tjerët Albin Kurti kishte një oratori të jashtëzakonshme krahasuar me të tjerët e që e bënte të dominojë thuaja në të gjitha debatet .
Kur Hashim Thaçi, në vend të kafes së mëngjesit na servonte ndryshimin e kufinjve dhe këmbim të territoreve me Serbinë Albini dhe LVV por edhe AAK ishin të pakompromis, pa lënë, për dallim nga të tjerët, asnjë mëdyshje.
Albin Kurti dhe LVV e dëshmuan se kanë kapacitet të jashtëzakonshëm organizativ e sidomos regjenerativ kur u larguan 12 deputetë që tashmë e blenë partinë nga Kaçusha Jasharit. Të gjithë menduan se e pati puna e Albinit dhe LVV por doli e kundërta, LVV u forcua edhe më shumë.
Po të mos ishin bisedimet me Serbinë dhe kushtëzimi që iu bëhet nga ndërkombëtarët, fitorja e LVV do të ishte e madhe, në rastin e rrethanave ekzistuese llogaritet si fitore e Pirros .
Sido që të jetë, me Albin Kurtin mund edhe të mos pajtoheni por duhet ta respektoni për faktin se ai ka kurriz dhe nuk iu nënshtrohet presioneve që e dëmtojnë interesin e kombit dhe të shtetit, në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht. Është i pazëvendësueshëm në bisedime me Serbinë !
Lidhja Demokratike e Kosovës: Asgjë nuk i bashkon me LVV dhe Albin Kurtin ; as e kaluara kombëtare e politike, as gatishmëria për sakrificë e as që kanë kapacitet vendimarrës, si Albini.
E vetmja çështje që i ka bashkuar dhe që e kanë arritur është, pse mos ta themi, jo mosdurim por urrejtje e hapur ndaj PDK-së.
LDK tërë fushatën zgjedhore e ka ndërtuar kundër PDK –së dhe krahut të luftës dhe tërë shpresën e ka varur te Vjosa Osmani duke menduar se, si një femër e dalluar do ta bëjë diferencën me të tjerët dhe do t’i fitojë zgjedhjet e që nuk doli të jetë ashtu.
Gabimi tjetër i LDK-së ishte se manipulonte me Ibrahim Rugovën dhe vrasjet e pasqaruara pas luftës që i konsideron politike, pa bërë asnjë hetim.
Në këtë kontekst e bëri listën shumë nepotiste. Isa Mustafa e bëri një lojë, edhe me Lutfi Hazirin dhe me Vjosa Osmanin duke ua dhënë mundësinë të cilën nuk e materializuan. LDK nuk kishte fushatë të duhur, kishte fjalorë përjashtues dhe të dhunshëm që nuk shkonte me këtë parti.
Pavrësisht se doli e dyta, LDK –ë ka pozicion të fuqishëm negociues, pa LDK –në as që mund të bëhet qeveria e as Albin Kurti kryeminister.
Po të ishte Begja në vend të Isa Mustafës, në këtë situatë do t’ia rruante LVV 70-80 % të ministrive. LDK-së ia humbi zgjedhjet Gjilani, Ferizaj dhe Mitrovica .
Kam një bindje se një numër i votuesve të LDK-së por edhe disa struktura të LDK-së ndjehen të terrorizuar nëse qeverinë e udhëheq Albin Kurti.
Por pushteti ju ndërron shumë prandaj edhe humbja është fort e dhimbshme . Koalicioni LVV – LDK, nëse merren vesh, mund të bëjë punë të mira.
Por, të mos ngutemi, le të presim.
Për LDK –ën është e rëndë se nuk e kanë fituar asnjë post kryesor ; president është Hashim Thaçi – Shima, kryeministër Albin Kurti sikur që LVV e ka edhe kryetarin e Kuvendit të cilin mund t’ia jap LDK , si dhuratë për koalicion.
Në këtë rast, ky post nuk do të ishte i fituar nga LDK por do të ishte i falur nga LVV . Albini parashikoi drejt ; Albini kryeministër, Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit .
Partia Demokratike e Kosovës: Krahasuar me zgjedhjet e fundit nuk ka rënie por rritje .
Krahasuar me disponimin kundër saj, thuaja gjeneral, del të ketë kaluar shumë mirë . Në të gjitha shkrimet e mia në dy muajt e fundit kam thënë se, po të isha në vend të Kadri Veseli, do të kaloja në opozitë, pavarësisht rezultateve.
PDK humbi zgjedhjet sepse u mishërua në pushtet dhe mendonte se është e parapaguar për pushtet.
PDK-në e ka dëmtuar shumë demarkacioni, Gjykata Speciale dhe Hashim Thaçi me idenë për korigjim të kufinjve.
PDK e kishte organizimin e mirë në terren, bëri fushatë të mirë, listat ishin mjaft të mira hiç këtu disa personave të stërshpenzuar, të korruptuar dhe kompromituar sikur edhe përpjekeve për të legalizuar trashëgimin familjare.
PDK ishte parti me dy kryetarë, Kadri Veseli me letra kurse Hashim Thaçi me forcë dhe ndikim.
PDK humbi shumë për faktin se e humbi besimin te partitë tjera, sidomos të LDK-së e që po i hakmerret.
Për mendimin tim, hiç këtu humbjen e pushtetit, edhe në mandatin e kaluar nuk kishte ndonjë pushtet, PDK është fituese strategjike shkaku se, ndonëse është shumë kontribuese për disa procese që e kanë dëmtuar dhe e dëmtojnë Kosovën, tash, si opozitë po lahet nga çdo përgjegjësi duke ua lënë LVV dhe LDK-së, nëse merren vesh për bashkqeverisje, këmbët e Hashimit .
Nuk kam dyshim se PDK do të jetë opozitë konstruktive nëse pozita sillet mirë. Nëse pozita do të përpiqet të hakmerret, atëherë qeveria nuk do të ketë jetë të gjatë për faktin se do të bllokohej nga partitë që kanë kapacitet të madh destabilizues. Shpresoj të mos ndodhë kështu.
AAK – PSD: Nuk i përmbushi pritjet e mia. Kam qenë i bindur se do të përfundojë në vendin e katërt por se do të ketë, së paku 17-18 % të votave.
Arsyet e kësaj rënie janë demarkacioni me Malin e Zi dhe koalicioni me PSD. Po të shkonte e vetme, sigurisht se do ta kalonte 15 % e votave.
Megjithatë, AAK, me taksën 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e sidomos me kundërshtimin e idesë së boshtit Vuçiq – Thaçi dhe Rama për ndryshim të kufijve, duke kundërshtuar vendosmërisht aventurierët e Brukselit, Mogerini dhe Johanes Han, ka penguar realizimin e kësaj marrëveshjeje shumë të dëmshme.
Kjo, kryekëput është meritë e Ramush Haradinajt dhe kjo nuk mund të kundërshtohet me asgjë. AAK duhet të luaj rolin e opozitës konstruktive .
Lista Serbe: është një parti fashiste që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është kanceri i Serbisë në trupin e njomë të Kosovës.
Për ta nuk votuan serbët e Kosovës por ishte vetëm një votë, ajo e Aleksandar Vuçiqit dhe e Serbisë që terrorizuan serbët e Kosovës të cilët nuk u mbrojtën as nga partitë politike kosovare e as nga autoritetet ndërkombëtare.
Tash do ta shohim se si Kurti do ta fillojë dialogun me serbët e Kosovës e jo me Beogradin, siç ka premtuar!
Nisma – AKR – PD: Gjithmonë kam theksuar se ; Nisma – AKR e kalon pragun pa asnjë problem kurse Nisma + AKR nuk e kalon pragun dhe, si duket ashtu do të bëhet .
Nëse ndodhë kështu atëherë zhduket përfundimisht mundësia e shantazhit që ua bënte AKR të tjerëve .
Shantazhimi i AKR-së, sa ishte krejtësisht i pamoralshëm, ishte edhe kriminal Kjo tash është punë e paqtë.
Përfundim: Ende nuk mund të themi se kanë mbaruar punët. Është një koalicion i projektuar më heret midis LVV – LDK-së por se tash, me forcimin e pozicionit negociues ( shantazhues ) të LDK-së, si kompromis mund të bëhet formula; LVV postin e kryeministrit dhe 30 – 35 % të ministrive kurse LDK postin e kryeparlamentarit dh 65 – 70% të ministrive.
Në çdo variant, nëse për shkak të kombinimeve të ndërkombëtarëve PDK –së i ofrohet pjesëmarrja në qeveri, në asnjë rrethanë nuk duhet ta pranojë .
LVV dhe LDK i kanë siguruar besoj 61 vota shqiptare dhe nuk varen aspak nga Lista Serbe kur duhet të votohen ligjet me një shumicë të thjeshtë kurse, aty ku duhen dy të tretat e votave, në raste shumë të rralla, PDK dhe AAK duhet të votojnë, pa asnjë kushtëzim.
Në këtë kontekst e them se, edhe PDK, edhe AAK duhet ta votojnë qeverinë Kurti pa asnjë hezitim dhe qysh tani ta bëjnë këtë përkrahje. Në rast se LVV – LDK bëjnë ndonjë veprim represiv kundër opozitës e nuk e besoj se do ta bëjnë këtë, atëherë krijohet një situatë tjetër.
Qeveria Kurti duhet të bashkëpunojë me Brukselin dhe Washingtonin por gjithnjë duke mbrojtur interesin e Kosovës duke ua bërë të ditur se nuk bisedohet për territore e as për Republika Serpska në Kosovë !
Tash, Albin Kurti, nëse bëhet kryeminister duhet të fletë edhe në emër të opozitës sepse do të jetë edhe kryeministër i tyre.
Kosovën e presin shumë probleme, ekonomike, sociale e sidomos politike. Buxheti i Kosovës është thuaja buxhet social kurse çdo infuzion financiar nga perëndimi do të kushtëzohet me lëshime dhe dëgjueshmëri politike.
Për këtë arsye shkrimin e fundit e kam titulluar: “Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 do të jetë humbësi më i madh “ . Ende nuk kam ndryshuar qëndrim ! Është ngritur shumë tym, të presim të kalojë euforia dhe të lëshohen gjërat në tokë dhe për toke.