22 Dhjetor 2024

Pavarësia Kokëposhtë!

Shkruar nga Roland Gjoni

Vjet në vjeshtë, Kosova hyri ngutshëm në zgjedhje të parakohshme.  Shkak kryesor për prishjen e koalicionit qeverisës ishte dorëheqja e Presidentit Sejdiu për shkelje të Kushtetutës. 

Me zgjedhjet e reja, Kosova pritej të dërgonte dy mesazhe të qarta. Së pari, se shteti i ri mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.  Së dyti, se Kosova po maturohej si shtet i pavarur ku sundon Kushtetuta dhe ligji. 

Sot Kosova nuk është më kushtetuese se 6 muaj më parë, zgjedhjet u cënuan nga manipulimet mes partive dhe brenda partive.  Institucionet e reja nuk u zgjodhën sipas Kushtetutës por me “dhunë demokratike”  e mesazhe telefonike.  6 muaj më vonë, Kosova ka një qeveri të pakicës që në vend që t’i kthehej punës për ta konsoliduar pavarësinë, nisi me urgjencë bisedimet me Serbinë. 

Procesi i ri negociator do të përcaktohet nga dy dokumente themelore; e para 6 pikëshi i Ban Ki Moon-it  i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së me 26 nëntor 2008 dhe i dyti Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme së OKB-së e paraqitur nga Serbia dhe BE-ja e miratuar njëzëri me 8 shtator 2010.

6 pikëshi i Ban Ki Moon-it injoron Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe kërkon që aty ku komunitetit serb është shumicë, të gjenden zgjidhje speciale për rregullimin e kufirit, doganave, policisë, gjykatave dhe zinxhirit komandues së policisë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.  

Ndërsa Rezoluta e 8 shtatorit 2010, injoron vendimin këshillimor të GJND-së të 22 korrikut 2010 dhe bën thirrje për bisedime për të gjitha temat e hapuara mes Serbisë dhe Kosovës nën kujdesin e BE-së.

Dokumenti i parë e kthen kokëposhtë pavarësinë si shprehje e vullnetit të popullit shumicë për shkëputje përfundimtare nga Serbia. I dyti e zhbën konfirmimin e pavarësisë nga organi suprem i drejtësisë ndërkombëtare.

Bisedimet filluan me tema të lehta si targat e makinave, regjistrat kadastralë, kthimi i objekteve kulturore dhe historike të Kosovës. Serbia synon të ofrojë minimumin në temat teknike pë të marrë maksimumin në temat politike.

Pavarësisht deklaratave, Serbia kërkon që me ndihmën e BE-së t’i bindë shqiptarët për pranimin e një statusi special të veriut të Kosovës për të kaluar nga “vetëqeverisja lokale” e garantuar nga Plani i Ahtisaarit drejt autonomisë territorial.  Kjo do të mundësojë formësimin e një hapësirë juridike jashtë kontrollit të Prishtinës ku komunitetit serb të vetëqeverisë  doganat, pikat kufitare, forcën policore dhe sistemin e gjykatave. 

Ndërsa komunitetin serb që jeton në brendësi të Kosovës, Serbia synon ta nxjerrë jashtë juridiksionit të Kosovës duke avancuar statusin e Kishës Ortodokse Serbe nga njësi autonome e vetërregulluar brenda Kosovës në zonë jashtëterritoriale e kontrolluar nga Beogradi.

Serbia i ka qëllimet e qarta.    Për sa kohë bisedimet vazhdojnë, njohja ndërkombëtare e Kosovës do ngadalësohet ashtu si edhe anëtarësimi i saj në OKB.  Dobësimi i mëtejshëm i tërësisë territoriale të Kosovës i hap rrugë Serbisë për të kaluar nga ndarja faktike në ndarje juridike të veriut. 

Me përfshirjen në bisedime, Serbia mbulon problemin e saj të madh, pafuqinë për të pranuar krimet e kryera në Kosovë, mosdorëzimin e kriminelëve të luftës dhe pamundësinë vetëpastrimin dhe evropianizimin e saj.  

Serbia synon ta përdorë qasjen konstruktive gjatë diskutimit të temave të lehta si mjet për të marrë formalisht statusin e vendit kandidat të BE-së brenda vitit 2011. Përdorimi i veriut të Kosovës si mjet për të rihapur çeshtjen e statusit të përfundimtar po i jep mundësinë Serbisë dhe për ta projektuar veten para Bashkimit Evropian si lider rajonal konstruktiv.

Edhe BE-ja i ka synimet dhe pritshmëritë e qarta nga bisedimet e reja.  Bisedimet përbëjnë rastin e parë që BE-ja nga roli i pasagjerit të kalojë në rolin e shoferit përsa i përket zgjidhjes së konflikteve në Ballkan duke testuar kështu suksesin e zyrës së politikës së jashtme të BE-së.

BE-ja  kërkon të blejë kohë shtesë për të mbuluar paaftësinë e saj për unitet rreth Kosovës dhe pafuqinë e saj për ta bindur Serbinë që t’i japë fund qasjes armiqësore ndaj ekzistencës së Kosovës. Me përpjekjen për të blerë bashkëpunimin e Serbisë, BE-ja fsheh edhe dështimin e madh të misionit EULEX në veri të Kosovës  ku ende nuk pranohet nga komuniteti serb.

Ndryshe nga dy palët e tjera, Kosova as nuk i ka kërkuar, as nuk i ka merituar e askush nuk e di se si ka për t’i përfunduar këto.  Kosova nuk e di se çfarë kërkon, nuk ka unitet dhe as platformë negociuese për bisedime dhe është bërë pjesë e tyre me inerci. 

Askush nuk e mohon se pranimi i targave, pasaportave dhe vulave doganore të Kosovës nga Serbia  do sjellë përfitime për shtetasit e Kosovës.  Mirëpo, këto çeshtje do ishin zgjidhur edhe pa bisedime nëse Serbia do ta pranonte Kosovën si fqinj të pavarur. 

Problemin më të madh Serbia nuk e ka me targat e Kosovës apo me faktin se a do të shiten specat e Kosovës  në Beograd por me pavarësinë dhe tërësinë territoriale të saj.  Ndryshe nuk mund të shpjegohet se çfarë e ka penguar Serbinë të bisedojë me Kosovën për çeshtje teknike në interes të qytetarëve para GJND-së?

Në vend që të kërkojë me ngulm zbatimin e Kushtetutës në gjithë territorin, Kosova po shkon drejt lëshimit të territorit. Bisedimet nuk do të sjellin njohjen nga Serbia sepse BE-ja nuk e ka kushtëzuar integrimin e BE-së me njohjen e Kosovës dhe nuk mund ta kërkojë një gjë të tillë kur vetë BE-ja nuk e njeh Kosovën.  

Bisedimet nuk pritet të sjellin njohjet e 5 anëtarëve të BE-së pa të cilat nuk ka si të përshpejtohet integrimin i  Kosovës në BE. Në mungesë të 5 njohjeve, edhe liberalizimi i vizave vështirë se mund t’i ofrohet Kosovës si shpërblim për rikthimin në tryezën e bisedimeve.

Nëse bisedimet nuk sigurojnë njohjen nga Serbia dhe integrimin në BE për çfarë mund të shërbejnë ato?  Apo ndoshta qeveritarët e Kosovës po e kthejnë pavarësinë kokëposhtë, nga shprehje e vullnetit të popullit për shtet në mjet për të vazhduar qëndrimin në pushtet?





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)