23 Dhjetor 2024

Pavarësia

Shkruar nga Kreshnik Ahmeti

17 shkurt 2008. Kuvendi i Kosovës. Hashim Thaçi deklaron Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Realisht, kush deklaron dhe çfarë deklaron?

Hashim Thaçi, personi i cili e shiti luftën e UÇK-së në Rambuje dhe pas luftës u korruptua në masën e cila e dërgoi në negociata me Serbinë, për Kosovën,  në Vjenë, deklaronte pranimin e Pakos së Ahtisaarit kundër së cilës ishin vrarë dy protestues dhe ishin plagosur mbi 80 të tjerë në mes të Prishtinës, pasiqë ajo nuk e njihte të drejtën e popullit për vetëvendosje dhe krijonte një shtet jofunksional.

Po atë vit, i njejti Kuvend u mblodh në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe miratoi Kushtetutën e Kosovës, e cila do të ishte baza e shtetit, që do t’i mbivendosej vullnetit popullor. Kushtetuta i njihte spastrimet etnike të bëra nga serbët në disa pjesë të Kosovës dhe i njihte ato pjesë si komuna serbe.

Gjithashtu, ajo i njihte zonat e Kishave Ortodokse si zona eksterritoriale nën administrimin e Kishës Ortodokse Serbe në Beograd. Pra, 10 komuna serbe dhe 45 zona eksterritoriale u krijuan si potenciale për ndarjen e Kosovës dhe defunksionalizimin e saj .

Por, ajo nuk e njihte të drejtën e popullit për referendum. As të drejtën e popullit për tu bashkuar me Shqipërinë e as të drejtën e popullit për të pasur një ushtri. Ishte pikërisht ceremonia e votimit të kësaj Kushtetute ajo e cila po mundohej t’i verbonte qytetarët para këtyre shkeljeve të rënda që po ua bënte.

Dhe më e rënda nga të gjitha ishte që kjo Kushtetutë nuk ishte akti më i lartë juridik në vend, por ajo i subordinohej Pakos së Ahtisaarit. Kjo gjë ndryshoi vitin e kaluar kur Plani i Ahtisaarit u mishërua në realitetin tonë.Pra, ndryshoj vetëm forma, por jo edhe përmbajtja.

Duke pas një udhëheqje të korruptuar dhe rrjedhimisht të shantazhueshme, gjendja e Republikës së Kosovës po përkeqësohej si politikisht poashtu edhe ekonomikisht. Ishte viti 2009 kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, propozoi planin 6 pikësh për Kosovën. 

Ky plan përfshinte pika të cilat do ta defunksionalizonin shtetin e Kosovës, e të cilat ishin: 1)Një zinxhirë i veçantë komandues/raportues për Policinë e Kosovës në komunat serbe; 2)Një sistem i veçantë gjyqësor për serbët nëpër komunat e tyre me ligje të veçanta; 3)Negocim i pikave doganore me Serbinë; 4) Cilësimi i kufirit me Serbinë si kufi administrativ, e jo shtetëror; 5)Trashëgimia kulturore serbe; 6)Transporti dhe infrastruktura.

Pra, negocim me Serbinë për çeshtjet vitale të shtetit të Kosovës. Dhe nëse i shikoni me kujdes këto pika, atëherë e shihni se dialogu që po ndodhë sot është në shërbim të realizimit të këtij 6 pikëshi të Ban Ki Moon-it.

Viti 2010 vazhdoi me degradim të ekonomisë dhe me thirrje nga organizatat ndërkombëtare për dialog të ri mes Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Qeveria përgjigjej se zhvillimi ekonomik nuk është larg dhe se negociata me Serbinë nuk do të ketë asnjëherë. Të vërtetën tanimë e dimë të gjithë.

Por, ky vit mund të kujtohet më së shumti me zgjedhjet e përgjithshme të cilat u mbajtën me 12 dhjetor. Qeveria  e rrëzoi veten me ndihmën e AKR-së, me të cilën do të bënte koalicion pas zgjedhjeve.

Nuk ishte e rastësishme zgjedhja e dhjetorit për mbajtjen e këtij procesi. Dita ishte e shkurtë dhe sa më shumë që ulej dielli aq më shumë ngritej numri i rasteve të keqpërdorimeve nëpër vendvotime.

 Strukturat kriminale të partisë në pushtet ishin mobilizuar për të bërë presion, shantazh, kidnapime të vëzhguesve, rrahje të vëzhguesve, vjedhje dhe blerje të votave. Procesi u njoh nga të gjithë, përveç partisë në pushtet, si procesi më i keq zgjedhor në Kosovë. Organizatat ndërkombëtare në Kosovë gjithashtu e dhanë një përfundim të tillë.

Organizata e pavarur ndërkombëtare ENEMO tregoi se 38% e votave në këtë proces ishin të manipuluara. Qeveria aktuale e Kosovës u krijua nga ky proces i vjedhjes industriale të votave dhe nga pakica popullore në Kuvend.

Viti 2011 mendoj se do të mbahet në mend më së shumti për fillimin e negociatave mes Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Qeverinë e Kosovës e përfaqësonte Edita Tahiri, ndërsa atë të Serbisë Borislav Stefanoviq.

Si gjithmonë në mes është një përfaqësues i BE-së, e në këtë rast ishte Robert Cooper. Negociatat filluan duke thënë se ato janë teknike dhe se nuk do të ketë negociata politike me Serbinë. Përsëri, të vërtetën e dimë të gjithë. 

Nga negociatat që i udhëheqte znj.Tahiri dolën këto rezultate: Qeveria e Kosovës e pranoi një kufi administrativ me Serbinë; i lejoi serbëve që të mbajnë tabela të makinave pa shenjën e republikës; e hoqi Republikën dhe na e vuri fusnotën me rezolutën 1244 brenda; i pranoi kopjet e librave kadastralë duke i lënë origjinalet në Serbi; pranoi që Serbia të mos na e njoh pasaportën. Pra, këto negociata na e zhbënë edhe formalisht shtetin.

Edhe në vitin 2012 vazhduan negociatat me Serbinë duke e rritur nivelin e përfaqësimit në nivel kryeministrash, por gjatë këtij viti gjithashtu vazhdoi edhe një proces i cili kishte filluar më herët, procesi i  privatizimit të aseteve publike.

UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës, pa e pyetur popullin, iu rrekën shitjes së pronave tona pa e marrë parasysh rëndësinë e tyre për zhvillimin e vendit.

Shumica dërmuese e këtyre kompanive dështuan pas privatizimit sepse qëllimi i privatit nuk ishte zhvillimi por eksploatimi sa më i shpejtë i punëtorëve dhe resurseve.

Privatizimi vazhdoi dhe po vazhdon edhe sot pa kurrfar legjitimiteti, përderisa ai nuk u bazua në referendum por vetëm në pazare të pushtetarëve.

Sot, pjesa më e madhe e aseteve publike janë në pronë të privatëve dhe ka filluar edhe privatizimi i ndërmarrjeve më të mëdha publike si KEDS, PTK e Trepça.

Rezultati i tërë këtij procesi është deindustrializimi i vendit, varshmëria e shtetit nga importi, largimi nga puna i 76’000 punëtorëve dhe humbja e shpresës për një të ardhme me ekonomi që bazohet në prodhim.

E viti në të cilin po e “festojmë” pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë na gjen në një gjendje të rëndë. Më nuk e kemi republikën, por fusnotën ,dmth 1244-shin ku njihemi si pjesë e Serbisë. Nuk kemi kufi shtetëror me Serbinë.

Nuk e kontrollojmë 1/5 e territorit në veri të vendit dhe e kemi një kryeministër të mafias i cili pasi e bëri një intervenim qëllimisht të dështuar atje, tani po e negocion autonominë e asaj pjese.

Na është shndërruar harta shtetërore në një “lëkurë leopardi” me 10 komuna serbe dhe 45 zona eksterritoriale. Po thellohen ndarjet etnike nëpërmjet marrëveshjeve në negociata, e këto të fundit nuk po përfundojnë por po vazhdojnë në nivele kryeministrash e presidentësh.

Udhëhiqemi nga një rrjet i organizuar i krimit i cili duke e parë rrezikun nga pakënaqësia e qytetarëve, e ka rritur dhunën ndaj tyre. E kemi gjysmën e popullit të papunë dhe çdo vit atyre iu shtohen rreth 25’000 studentë të diplomuar. I kemi 45 % të popullit të varfër dhe 18 % në varfëri ekstreme. Nuk kemi zhvillim ekonomik, shëndetësi dhe arsim cilësor.

Atëherë, pavarësi nga KUSH?

Serbia kundër së cilës luftuam? Jo. Ne ende jemi të varur nga Serbia sepse vërshohemi çdo vit nga mallrat e saj në vlerë prej 400.000.000€. Ne jemi ende të varur nga Serbia sepse çdo herë që asaj i nevojitet që të duket si e moderuar para BE-së, Qeveria jonë është e gatshme të shkojë në negociata me të. Pra, për agjendën e Serbisë ndërron agjenda jonë e brendshme politike dhe shtetërore.

Ne ende jemi të varur nga Serbia sepse ajo i ka strukturat e saj kriminale në komunat serbe në Kosovë, të cilat kur t’i konvenojë, i përdorë për ta destabilizuar situatën. Ne ende jemi të varur nga Serbia sepse e kemi Kishën Ortodokse Serbe brenda Kosovës, e cila ka të drejtën e territoreve eksterritoriale dhe si gjithmonë luan rolin e saj në politikën hegjemoniste të Serbisë.

Pavarësi nga misionet ndërkombëtare? Jo. Ne ende jemi të varur nga ndërkombëtarët sepse e kemi UNMIK-un i cili vepron me fuqi ekzekutive në veri të vendit tonë. E kemi edhe misionin tjetër kolonizator të BE-së, EULEX, i cili me fuqi ekzekutive vepron në territorin e Kosovës, përveçse në veri të vendit.

E kemi KFOR-in i cili ka intervenuar dhe intervenon politikisht dhe pozitën e tij në Kosovë e ka të siguruar në bazë të marrëveshjes me Serbinë, e jo me Kosovën. Pastaj, i kemi edhe ambasadat e vendeve perendimore të cilat kanë fituar fuqi vendimmarrëse dhe ekzekutive për shumicën e çështjeve shtetërore të vendit tonë.

Apo, pavarësi për ÇKA?

Ne nuk kemi pavarësi për të vendosur për modelin tonë ekonomik, të arsimit apo shëndetësisë. Nuk kemi pavarësi për të vendosur për bashkim me Shqipërinë. Pra, ne nuk kemi pavarësi për vetëvendosje të brendshme e të jashtme.

Atëherë, pavarësi e KUJT?

 Pavarësi e pushtetit të mafias nga qytetarët, por varësi e këtij pushteti nga ndërkombëtarët, për shkak të krimit të vet, dhe rrjedhimisht varësi nga Serbia. Varësi e popullit nga forma të ndryshme të dhunës së pushtetit të mafias.

Në këtë situatë, neve na duhet pavarësi e popullit nga pushteti, në mënyrë që ai të rrëzohet dhe populli të jetë i pavarur nga krimet e pushtetarëve, rrjedhimisht të pavarur nga ndërkombëtarët dhe Serbia. Pra, në këtë 17 shkurt, pavarësinë e kujt e shënuam?

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)