Partia Demokratike e vetmja opozitë në Viti
Shkruar nga Xhevat Bislimi
Thuani si të doni ju bashkëvendës dhe ju bashkëkombës të mi: paradoksale, e çuditshme, absurde..., por kjo është e vërteta në Komunën e Vitisë!
Partia Demokratike, që kishte fituar zgjedhjet vendore para më shumë se tri vitesh në Komunën e Vitisë është e vetmja opozitë në këtë Komunë! Dega e PDK-së në Viti shënoi fitore dhe rritje prej 22% (gjë e rrallë) edhe në zgjedhjet e përgjithshme para pak më shumë se dy vitesh.
Pra u rikonfirmua si forca e parë politike në Viti. Çe do?! Në këtë Komunë nuk vlenë vota e lirë, nuk vljenë zgjedhjet dhe ligjet.
Nexhmedin Arifi, i cili kurrë nuk e kuptoi (ska shpresë se do ta kuptojë një ditë) se Kryetar komune është N. Arifi, por Kryetari i Komunës nuk është N. Arif, sapo fitoi zgjedhjet iku nga PDK-ja dhe shkarkoi nënkryetarin e Komunës nga PDK-ja, shkarkoi drejtorët e kësaj partie dhe nisi diferencimin, denoncimin, persekutimin dhe ndëshkimin e çdo zyrtari komunal që sipas kutit të tij mund të ishte simpatizant i PDK-së!
Diçka e pa parë dhe e pa dëgjuar në Kosovë dhe në vendet normale-demokratike! Nënkryetar komune emëroi dikend nga PSDK-ja, drejtorët i mori nga LDK-ja, LDD-ja, etj.
Hoqi dorë nga programi zgjedhor dhe premtimet zgjedhore të bëra nga PDK-ja në Viti, si dhe nisi fushatën e ashpër kundër PDK-së!
Në këtë situatë të krijuar Dega e PDK-së mori vendim që edhe de jure të dalë nga koalicioni qeverisës me AAK-në dhe AKR-në.
Nuk kishim asnjë arsye të merrnim mbi vete përgjegjësit që nuk i kishim më në qeverisjen komunale dhe të paguanim faturat e N. Arifit dhe të Skënderbe Hebibit me kompani.
Po bëhen tri vite që qeverisja komunale, në aspektin legal, është ilegale. N. Arifi me AAK-në dhe me përkrahjen e plotë të LDK-së dhe LDD-së kanë uzurpuar mandatet e PDK-së dhe fitoren e saj në këtë komunë.
Jo vetëm kaq. N. Arifi me përkrahjen e AAK-së, LDK-së, AKR-së dhe LDD-së ka tri vite që po shpërdoron, shkelë dhe dhunonë ligjet e Republikës së Kosovës në këtë Komunë.
Ka tri vite që paraja publike, prona dhe pasuria komunale janë në mëshirën e tij dhe të dostave të tij.
Shpërdorimi dhe përvetësimi i parasë publike, pronës dhe pasurisë komunale me lloj-lloj marifetesh antiligjore është sistematik dhe i organizuar në këtë Komunë.
Të mos flasim për punësime pa konkurs, për nepotizëm e lloj-lloj shkeljesh tjera të ligjit.
Për këtë gjendja në Komunën e Vitisë janë përgjegjëse edhe organet qendrore të PDK-së, të cilat me heshtjen dhe oportunizmin e tyre kanë lejuar këtë kryetar komune që të rrëshqas dhe të futet thellë në korrupsion politik dhe financiar.