Parlamenti Studentor kërkon masa ndaj profesorit Rexhep Osmani

Shkurar nga Musa Berisha
Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" është i shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në Fakultetin e Edukimit, ku profesori Rexhep Osmani ka ngacmuar studenten e tij, duke i kërkuar favore seksuale në këmbim të notës, ngjarjet e tilla janë të rënda për Universitetin, studentët dhe gjithë shoqërinë.
Ne si Parlament Studentor kërkojmë nga studentët që rastet e tilla ti raportojnë sepse ky nuk është i vetmi rast qe ka ndodhur, ka raste të tjera që studentët hezitojnë ti raportojnë ose kanë frikë nga ndëshkimi/hakmarrja e kryesve të këtyre veprave të shëmtuara të cilët mund të jenë çka do, por jo Profesor.
Parlamenti Studentor kërkon nga menaxhmenti dhe nga Rektori i Universitetit të Prishtinës z.Marjan Dema, që të merr masa ndaj profesorit në fjalë i cili ka shkelur çdo normë etike dhe profesionale, duke e dëmtuar edhe imazhin e UP-se, në të kundërtën ne së bashku me studentët e UP-së reagojmë duke përdorur çdo formë të kundërshtimit për ndaljen e këtyre dukurive dhe largimin e këtyre profesorëve nga Universiteti i Prishtinës.
Ne së bashku duhet të kujdesemi që Universiteti i Prishtinës të jetë institucion publik autonom i arsimit të lartë, që zhvillon arsimim akademik, kërkime shkencore dhe të jetë kultivues i vlerave etike e morale.
Ne jemi të bindur se shumica e profesorëve angazhohen për ketë qellim, gjë për të cilën iu jemi mirënjohës, prandaj ne nuk duhet të lejojmë që disa individ të njollosin dhe te hedhin poshtë mundin e tyre.
/Autori është Kryetar i Parlamentit Studentor/