Paratë e burgut për arritjen e idealeve të të burgosurëve politikë
Shkruar Xhevat Bislimi
(Idealet e të burgosurit politik dhe të mbarë kombit do të shpërbleheshin dhe do të përmbusheshin vetëm kur të çlirohet dhe bashkohet çdo pëllëmbë e tokës shqiptare në një shtet të vetëm, në një Shqipëri)
Nuk ka patur qoftë edhe një të burgosur shqiptar për shkaqe dhe arsye atdhetare-liridashëse në Jugosllavi që ka menduar se një ditë do të shpërblehet me para për burgun që ka mbajtur, për dhunën dhe torturat që ka hequr nga pushtuesit jugoserbë.
Të paktën unë nuk kam takuar ndonjë të tillë dhe nuk kam dëgjuar që ka patur ndonjë të tillë. E gjithë veprimtaria atdhetare, si gjithmonë edhe pas LDB, e shqiptarëve të (ri) pushtuar nga Jugosllavia, i gjithë flijimi, vitet e gjata në burg, përballja me dhunën e pushtuesit, me torturat dhe me vdekjen (qoftë nga torturat, qoftë nga atentatet e shërbimeve sekrete jugoserbe) mbështetej, kërkonte, shpresonte dhe besonte pafundësisht vetëm në një shpërblim: çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe ribashkimin e tyre!
Këto ideale ishin dhe mbetën edhe ideaale të Luftës Kundërpushtuese e Çlirimtare të UÇK-së dhe të kombit shqiptar (lexo BETIMIN e UÇK-së!). Kush guxon të thotë ndryshe sot, siç po ndodhë nganjëherë në tubime të ndryshme nga disa politikanë dhe qeveritarë me prejardhje nga Lëvizja Çlirimtare, ju siguroj se mahitet (gënjen).
Mirëpo, po të kthenim kokën prapa dhe të shikonim ku ishim dhe si ishim mund të themi me të drejtë se është bërë një hap i madh përpara për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Iliri-Ballkan. Janë çliruar pothuajse tërësisht nga Serbia 10887 km katrore tokë të Shqipërisë.
Por, po të shohim përpara me të drejtë duhet të themi dhe ta pranojmë se jemi akoma larg dhe na ka mbetur shumë punë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare: çlirimin dhe ribashkimin e tokave të Shqipërisë në një shtet. Edhe në këtë pjesë të çliruar nga Serbia, në Republikën e Kosovës, ka akoma punë për të bërë deri në shkëputjen e plotë dhe përfundimtare nga Serbia.
Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për kompensimin e të burgosurëve politikë shqiptarë është pritur dhe është shpjeguar në mënyra të ndryshme. Për mendimin tim ky detyrim nuk i ka takuar dhe nuk i takon Republikës së Kosovës.
Kjo po bëhet sa për të përmbushur një standard evropian! Detyrimet e Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve tjera shtetërore ndaj të burgosurëve liridashës dhe ndaj popullit shqiptar në Kosovë janë të shumta dhe të një natyre tjetër.
E para, Republika e Kosovës me institucionet e saj do të duhej të bënte më shumë se kaq për ruajtjen dhe zgjerimin e mëtejmë të lirisë së fituar me shumë mund, përpjekje, flijime e gjak.
E dyta, kjo Qeveri dhe institucionet tjera, por edhe mbarë shoqëria shqiptare e Republikës së Kosovës, nuk do të duhej të pranonte dhe të miratonte lëshimet (koncesionet) e mëdha që i janë bërë Serbisë e që janë kërcënuese për lirinë, paqen dhe stabilitetin tonë.
E treta, kjo Qeveri dhe institucionet tjera të Republikës do të duhej të tregonin një përkujdesje ndryshe për të burgosurit dhe luftëtarët e lirisë.
Për këta njerëz mund të sigurohej një vend pune, mund të sigurohej shkollimi dhe rikualifikimi falas për ta dhe për fëmijët e tyre, përkujdesi për shëndetin e tyre, për strehimin e tyre (për ata që nuk kanë një shtëpi a banesë), etj., etj.
E katërta, Qeveria dhe institucionet tjera të Republikës, si dhe e gjithë shoqëria shqiptare në Kosovë, nuk do të duhej të lejonin që në krye të politikës dhe të institucioneve të vinin ata që përgjonin, ndiqnin, kallëzonin, arrestonin dhe torturonin këta shqiptarët liridashës që është marrë vendim me i shpërbly me pak para (me i la durt
) për sakrificën e tyre të madhe!
Kjo shoqëri dhe institucionet e Republikës nuk do të duhej të lejonin që në krye të medieve, në drejtësi, në polici, në arsim dhe në pozita tjera publike e shtetërore të vinin persekutuesit (ndonjëherë edhe xhelatët tanë), bashkëpunëtorët dhe besnikët (poverenikët) e pushtuesit, ata që përpiqeshin dhe luftonin me tërë fuqinë e tyre për ta mbajtur Kosovën dhe viset e saj nën këmbën e pushtuesve serbo-maqedono-malazezë.
Ne, të burgosurit politikë dhe luftëtarët e lirisë, nuk kemi qenë dhe nuk jemi asnjëherë për hakmarrje, por nuk kemi qenë dhe nuk pajtohemi kurrë që të tillët dhe pjella e tyre të qeverisin me popullin e Kosovës, me shtetin dhe me pasuritë e tij, sepse po dëshmohet për çdo ditë se të tillët e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë kët vend, duke bashkëpunuar me Serbinë dhe me dreqin e me të birin e tij kundër interesave të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Ne kemi qenë dhe jemi për një shtet të drejtë, ligjor, demokratik dhe social e human për popullin shqiptar në Kosovë (meqë nuk u përmbush akoma vullneti i ligjshëm i këtij populli për tu bashkuar me shtetin shqiptar-Republikën e Shqipërisë).
Me këto para të themelohet një FOND dhe një ÇMIM liridashës
Meqë, kërkesa për kompensimin e të burgosurëve ishte bërë edhe nga drejtuesit e Shoqatës së të burgosurëve politikë (liridashës) dhe meqë vendimi për këtë kompensim tashmë është marrë, mendoj se me këto para ose me një përqindje të tyre duhet të themelohet një FOND dhe një ÇMIM me karakter liridashës në shkallë kombi.
Sot, të burgosurit e dikurshëm nuk janë më në gjendje afërsisht të njëjtë ekonomike e sociale. Ka prej tyre që janë bërë të pasur, ka që kanë pozita dhe funksione të rëndësishme në shoqëri dhe në institucione, një numër i madh janë në vende të ndryshme evropiane dhe në Amerikë e vende tjera, ku kanë punuar dhe një pjesë e tyre janë edhe me pensione të kënaqshme në ato vende.
Por, një numër i mirë i të burgosurëve liridashës sot janë me gjendje të vështirë ekonomike, sociale e shëndetësore.
Prandaj, nuk duhet as ti shohim dhe as ti trajtojmë të gjithë me të njëjtin kuti. Nuk duhet tia bëjmë si njëri që bëri një deklaratë pompoze-patriotike dhe tha se unë nuk kam aplikuar, sepse nuk dua ta dëmtoj shtetin! Në fakt ai dhe ndonjë i burgosur tjetër vetëm për para nuk kanë nevojë
!
Për themelimin e një FONDI dhe të një ÇMIMI që do të jepej nga ky fond për ata shqiptarë që dallohen (shquhen) me përkushtimin, zotimin dhe veprimtarinë e tyre për zgjerimin dhe thellimin e lirisë në shoqërinë shqiptare, për (ri)bashkimin e Shqipërisë në një shtet të vetëm (posaçërisht), për ruajtjen dhe thellimin e unitetit ndërshqiptar, për demokratizimin e mëtejmë të shoqërisë shqiptare, për të drejtatë dhe liritë e njeriut, për më shumë të drejta sociale, për më shumë të drejta ekonomike (sidomos), etj.
Kjo veprimtari dhe ky angazhim mund të jetë në politikë, në ekonomi, në gazetari, në qeverisje, në kulturë, artë, letërsi dhe në të gjitha fushatë e jetës.
Çmimi që do të jepej, sipas meje, do të quhej Adem Jashari-Adem Demaçi ose Adem Demaçi-Adem Jashari (për mua kjo nuk është e rëndësishme). Janë dy emra, janë dy shqiptarë me të cilët shprehet dhe përmblidhet përpjekja, veprimtaria, qëndresa, lufta, flijimi dhe rënia për çlirimin dhe ribashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë në një shtet të vetëm.
Për këtë çështje është biseduar midis të burgosurëve politikë dhe ka një pajtueshmëri të madhe. Ka edhe mendime, si ai i Kryetarit të Kuvendit të Republikës, Jakup Krasniqit, që këto para të jepen për shkollimin e fëmijëve të varfër.
Shumë e drejtë, por mendoj që për shkollimin dhe përkrahjen e të varfërve duhet të kujdeset shteti (shteti social). Prandaj, ÇMIMI mund ti jepet edhe dikujt që zotohet, ndihmon dhe shquhet në fushën e ndërtimit të një shteti më social, më njerëzor.
Themelimi i këtij FONDI dhe ÇMIMI është domosdoshmëri për ruajtjen dhe vazhdimësinë e idealeve liridashëse, sociale dhe ekonomike, humane dhe demokratike në shoqërinë shqiptare. FONDI dhe ÇMIMI do të duhej të kishin karakter mbarëkombëtar.
Në themele të FONDIT do të duhej të ishte vullneti i secilit, por është i domosdoshëm edhe një qëndrim-vendim i Shoqatës së burgosurëve politikë. Me këtë ridëshmohen edhe njëherë idealet, përkushtimi dhe zotimi për të mirën, për lirinë, për bashkimin e kombit në një shtet-një Shqipëri dhe për përparimin e tij.
Vetëm kështu do të mbeteshim ata që ishim dhe do tu linim brezave që vijnë dhe kombit shqiptar idealet tona liridashëse dhe të paraardhësve tanë amanet
Mendoj që mendimi, qëndrimi dhe zotimi i BACË ADEM DEMAÇIT (jemi me fat që është gjallë) për këtë çështje kaq të rëndësishme është i domosdoshëm dhe vendimtar
Sigurisht që ata shokë që e kanë gjendjen e keqe (Shoqata i di cilët janë
) nuk do të ishin të detyruar të dorëzonin këto para në FOND, madje për ta Shoqata do të duhej të bënte përpjekje edhe përmes institucioneve të Republikës që të ndihmohen.