Parashikimet e motit për ditën e zgjedhjeve të 22 tetorit
Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
Fushatë e qetë, me premtime të vjetra: Fushata për zgjedhje të 22 tetorit 2017, që janë zgjedhje lokale por se premtimet që i kanë dhënë liderët partiakë, kandidatët për kryetarë të komunave dhe asambleistë ishin premtime që vetëm pjesërisht i takonin zgjedhjeve parlamentare ngase realisht kishin të bënin me probleme botërore apo globale e që nënkupton se ishin mashtruese për shkak të kapacitetit të vogël të realizimit të tyre, ishin të qeta dhe pa turbulenca të mëdha madje ngjanin në ninulla për t’i vënë në gjumë të vegjlit e politikës prej kënduesve të ninullave që ishin krerët e politikës kosovare.
Premtimet apo ninullat e politikës së shkuar e kishin seriozitetin e vajtojcave të Shkodrës të cilat derdhin lot krokodili për një honorar të caktuar.
Te politikanët, ky honorar ka peshën e miliona e miliona euro, dollarë, franga zvicerane, rubla ruse, dinarë të Serbisë apo denarë të Maqedonisë duke mos i refuzuar as valutat tjera.
Përrallat e zgjedhjeve të kaluara u përsëritën edhe kësaj radhe. Për ta fituar pushtetin apo për ta ruajtur monopolin për të gjitha burimet që sjellin të ardhura marramendëse.
Për dallim nga e kaluara, fushata ishte më e përqëndruar në takime me votuesin duke shkuar derë më derë, duke shërbyer kafe për kalimtarët votues, duke i larguar plehrat dhe mbeturinat, duke vizituar institucione dhe organizata për të cilat u rikthehet kujtesa vetëm në kohën e fushatës.
Me një fjalë, kanë folur dhe kanë vepruar jashtë rregullave të kohës, kur nuk ka zgjedhje. Sepse, po sa të konsolidohen në karrike të reja, premtimet dhe veprimet që i bëjnë gjatë fushatës, bëhen të tepërta madje edhe të dëmshme.
Kishte premtime që jepeshin nga krerët institucionalë për kandidatët e subjektit garues që ishin dhe janë interes i përgjithshëm dhe nuk varen nga vetëm një subjekt politik.
Subjektet politike shqiptare dhe kosovare merreshin me Kosovën kurse Lista Serbe merrej dhe merret vetëm me Serbinë dhe Kosova për ta është e pranueshme vetëm si pjesë e Serbisë që nuk ndodhë në asnjë vend normal të botës.
Ishte një ftesë nga ndërkombëtarët që politikanët e që në mënyrë automatike e përvetëson një pjesë e mendermethënë shoqërisë civile, si klientelë e tyre, që politikanët e akuzuar apo të dyshuar për vepra penale të pamundësohen të jenë pjesë e listave zgjedhore që për mua është e pranueshme posa të rregullohet me ligj mirëpo që më bëri shumë përshtypje ky standard i përshtatshmërisë dhe përjashtimit nuk vlente edhe për një lider të serbëve të Veriut që u gjykua për krime lufte dhe krime kundër popullatës civile shiptare si dhe për përndjekje me dhunë nga pronat e tyre të mbi 13,000 shqiptarë dhe joserbë, në shkurt të vitit 2000 nga pjesa e okupuar e Mitrovicës së Veriut dhe tash po garon si të ishte i lirë.
Nëse parimi i përjashtimit apo pamundësimit të marrjes pjesë në zgjedhje për shkak të aktiviteteve kriminale vlenë për shqiptarë atëherë i njëjti parim duhet të vlejë edhe për serbë. Nëse thirreni në parime dhe zbatim të ligjit për të gjithë njësojë e që nuk është cilësi e ndërkombëtarëve.
Si u zhvillua fushata: Barra kryesore ka rënë mbi liderët partiakë prapa të cilëve shkonin kandidati për kryetar, me kandidatët për asambleistë. Fjala e liderit ishte sipas parimit : “ fjala e liderit, fjala e Zotit “. Favoriti për kreyetar të Prishtinës Zog Ahmeti në këto zgjedhje dukej disi i hutuar, i mungonte siguria shkaku se kundërshtarët kishin argumente për ta sulmuar ndërsa Zogut i mungonte strategjia mbrojtëse.
Për veten time nuk shoh diçka të prekshme që e ka lënë Zogu në mandatin që iku përjashtuar kifleve, kunjave, lejeve të ndërtimit vend dhe pavend, kunjave të trotuareve që nuk u hyjnë në punë as dylberëve parkingjeve dhe garazheve të premtuara po kurrë të realizuara, platosë mbi Kurrizë apo Rozafasë së Shkodrës në Prishtinës, 24 furnizim me ujë ( e realizoni vetëm nëse furnizoheni nga bunari ) dhe shumë premtimeve tjera.
Zogun e lanë në mëshirë edhe drejtorët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë që u bënë deputetë apo shkuan në komunat tjera që të bëhen zogj të vegjël. Në çdo debat Zogu është ndarë me ndukjen e një pjese të puplave por, edhe përkundër saj mbetet favorit për ta fituar Prishtinën.
Arbani ka hyrë në garë për kryetar përkundër vullnetit dhe, ose do të bëhet kurban i LDK-së dhe shën Isait, ose do të bëhet Cezar i kryeqytetit. Liraku është aktor me profesion dhe tani po e luan rolin e kandidatit serioz për kryeparin e kryeqytetit e që realisht nuk është. Arbri po e vazhdon traditën e AAK –së për t’i siguruar 3% e votave të Besnikut.
Shiqeria dhe Rifati janë standard i numrave apo pjesë e statistikës se sa kandidatë kanë marrë pjesë në gara për kryetar të Prishtinës. Selim Pacolli do të kujtohet për elegancë dhe ka qenë i vetmi sfilatist që i ka ngjarë një modeli, jo politik por për elegancë dhe ide origjinale të qasjes ndaj votuesit.
Prizreni ka kandidatë të mirë në treshen Totaj, Baxhaku dhe Haskuka. Cili që do të fitojë, do të jetë fitore për Prizrenin. Zafa mbetet deputetë ndërsa të tjerët mbesin jashtë loje.
Në Ferizaj gjithashtu është një treshe për respekt, Aliu, Topalli dhe Sfarqa. Ka gjasa e që është kuriozitet që Topalli mund t’ua thyejë këmbët, edhe Sfarqës, edhe Aliut. Me këta të fundit ferizajasit janë provuar me Fatonin nuk janë provuar.
Gjilani i ka vetëm dy kandidatë për kryetarë të Gjilanit, Lutën që është favorit dhe Kurtashin që është favorizuar nga LV.
Peja i ka gjithashtu vetëm dy kandidatë për kryetar, Gazmendin dhe Fatmirin, të LDK-së dhe AAK-së. Të tjerët janë vetëm krushq, pa mundësi të bëhen dhëndurrë.
Gjakova nuk ka ndonjë rëndësi strategjike dhe mbetet vetëm me dy kandidatë, Mimozën dhe Ardianin.
Në Mitrovicë do të thyhen shumë shtizat për të parin e një qyteti të ndarë dhe shumë problematik. Për një politikan që ka vizion politik, Jugu i Mitrovicës do të ishte barrë e panevojshme dhe për këtë arsye angazhimi për kryetarin e saj do të ishte simbolik dhe sa për sy e faqe. Meqë, kryetari i PDK vjen nga Mitrovica, rikthimi i Mitrovicës do të ishte satisfakcion personal por jo edhe fitore politike.
Si rrallë më parë PDK e ka zgjedhur një kandidat shumë të mirë për kryetare e kjo është Valdete Idrizi sikur që edhe LV e zgjodhi Pepe Grillon e Mitrovicës, Fehmi Feratin i cili, gjithashtu është i mirë por nuk e ka arkitekturën e politikanit. Kandidati i LDK-së është gjeneratë e re por nuk më bindi se mund ta drejtojë një qytet si gjysma e Mitrovicës e që është më mirë për të.
Tregim i veçantë është Agim Bahtiri, me reputacion të bëmirësit i cili nuk e merr rrogën dhe i cili, sipas tij, është menaxher ndërkombëtar me kredenciale të pranuara nga kompanitë më të fuqishme përjashtuar Microsoftin.
Ish kryetari i Mitrovicës Jugore e që kurrë më nuk do të bëhet kryetar, është legjendar dhe lojtar që të mahnitë me taktikat dhe strategjitë politike. Merreni me mend, në zgjedhjet e fundit parlamentare, Agimi e ka luajtur një lojë të cilën as Reali nuk do ta luante ; i dribloi votuesit për të mos e votuar për deputet të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ta votojnë për kryetar të Mitrovicës.
Ostap Bender i madh është Agimi. Për të qenë më bindës në mashtrimin e vet, Agimi tha se, nëse do të detyrohet të largohet nga Mitrovica, humbës do të jenë qytetarët e Mitrovicës, ai do të jetë fitues dhe qytatarët e Mitrovicës do të qajnë për te për të mirat që ua ka bërë. Kështu nuk mendojnë nxënësit e gjimnazit afër të cilit është ndërtuar një rrokaqiell që përveç se ua zë krejtësisht rrezet e diellit, ua zë edhe frymën.
Don’t cry for me ( Agimi ) Argentiana është një hit i madh i dikurshëm por edhe Agimi u bë hit apo legjendë, pasi u bë politikan. Legjendë e politikës super tallava.
Balotazhi është përcaktues për kryetarët e komunave por edhe për Qeverinë: Në këto zgjedhje LV po garon me ekip të parë e kjo i bie sikur që lojtaret e kombëtares të luajnë për ligën e dytë.
Një politikan i mençur, në rast se e vlerëson se kandidati nuk ka gjasa të fitojë atëherë nuk i dërgon kuadrot për t’i djegur apo ata që janë demode por e dërgon një kandidat të paprovuar deri më tani në mënyrë që t’i humbë këto zgjedhje por të pregatitet për zgjedhjet tjera.
Një strateg politik në zgjedhjet lokale nuk ngarend aq shumë për postin e kryetarit të komunës sa për numrin e asambleistëve komunalë. Çfarë kuptimi ka Bekim Jashari kryetar i Skenderajt nëse mbetet pa ushtarë ( asmbleistë) që kur të duan ia dredhin si të duan.
Nëse LV e fiton Prishtinën pa balotazh atëherë LV do të kryesojë edhe në së paku 10 komuna tjera. LV e ka jashtëzakonisht të rëndësishme ta ruaj Prishtinën, me çdo kusht sepse po e humbi kryeqytetin, do të ndahet keq në komunat tjera sikur që do të provokoheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku nuk do të kishte gjasa ta ruaj epërsinë e rezultateve të 11 qershorit.
Nëse shkohet në balotazh LV dhe LDK, ka gjasa reale që Abrashi të bëhet Gjuliani i Prishtinës, me kusht të bëjë marrëveshje me partitë tjera.
PDK ka gjasa ta ruaj Prizreni dhe të rikthejë Mitrovicën dhe Ferizajin. Për qytete tjera të mëdha, Zoti e lashtë shëndoshë. Nëse e bënë këtë kthesë, është sukses dhe këtë mund ta bëjë vetëm me një marrëveshje politike me subjektet tjera hiç LV.
Në Gjilan shkojnë në balotazh Luta dhe Samiu ndërsa fitues është Luta.
Në Pejë shkojnë Gazi me Fatmirin ndërsa fitues mund të jetë Gazi.
Në Ferizaj shkojnë Fatoni dhe Agimi apo Sfarqa. Pa marrëveshje fiton Fatoni, me marrëveshje fiton Agimi ose Sfarqa.
Në Mitrovicë mund të fitojë Valdete Idrizi.
Në Prizren, nëse nuk arrihet marrëveshja fitues do të jetë Haskuka në të kundërtën do të jetë Totaj. Nuk e shoh Baxhakun si fitues.
Lista Serbe do të jetë fituese në komunat që administrohen nga Serbia.
Agim Veliu, me apo pa balotazh e fiton Besianën sikur edhe Haki Rugova Burimin.
Burimi dhe Avniu në balotazh në Fushë Kosovë. Burimi ka përparësi.
Xhafa i Kastriotit me mund të madh mund ta fitojë edhe një mandat.
PDK dhe LV në Kaçanik, PDK ka një epërsi.
Në Shtime fiton PDK, qodtë me Naimin, qoftë me Ruzhdiun.
Vitinë e fiton LDK pas balotazhit me LV
Lipjanin e fiton LDK. PDK as në balotazh
Dardana shkon në balotazh, PDK dhe LDK. PDK ka epërsi
Drenasi shkon në balotazh. Me vuajtje të Tantalit Ramizi mund të fitojë.
Vushtrinë mund ta fitojnë me marrëveshje PDK ose LDK. Në të kundërtën LV nuk është pa gjasa.
Rufki Suma e fiton Hanin e Elezit.
Malishevën e ka Nisma kurse Rahovecin Idrizi, para Smaljit
AAK do t’i fitojë komunat tradicionale
Klinën e fiton PDK para AAK –së
Afërsisht 85 % të komunave do të shkojnë në balotazh. Nëse LV e fiton Prishtinën pa balotazh, 22 tetori do të bëhet 11 qershor për LV me ç’rast do të krijohet një hartë e re politike.
Në të kundërtën, nëse LV e humbë Prishtinën, LDK do të fuqizohet shumë përmes rimarrjes së Prishtinës me ndihmën e aleatëve politikë, PDK do të ngritej nga tabuti i 11 qershorit nëse e rikthen Mitrovicën dhe Ferizajin dhe nëse e ruan Prizrenin dhe në këtë mënyrë do të krijoheshin kushtet për riformatim të kabinetit qeverisës apo shkuarje në zgjedhje të reja parlamentare.
Parashikimi i rezultateve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 nuk është rezultat i analizave qofshin ato më profesionale të mundshme sa rezultat i marrëveshjeve ndërpartiake për ta marrë apo ruajtur pushtetin dhe në këtë kontekst nuk e përjashtoj asnjë marrëveshje edhe midis subjekteve politike që kanë papajtueshmëri antologjike deri në armiqësi.