Paradoksi i errët i rritjes ekonomike shqiptare
Shkruar nga Gjergj Buxhuku
Paradoks i vërtetë! Kjo do të ishte përmbledhja e asaj cka po ndodh me ekonominë shqiptare sot nëse, do të vlerësohej nga këndvështrimi i teorive të zhvillimit ekonomik normal. Cdo ekspert i huaj do të ngrinte supet i cuditur.
Ai nuk mund të kuptojë sesi është e mundur, që një vend të ketë rritje ekonomie, në kushtet kur kreditimi bankar nga bizneset për vite me rradhë, është në nivelet më të ulta historike dhe rënie nga viti në vit.
Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë, se në vitin 2017 kreditimi i biznesit ishte në nivelin më të ulët, që pas vitit 2008 dhe per tremujorin e dytë të 2018 kredia për investime ka rënë me 30% kundrejt paraardhësit.
Ndërkohë, rritja ekonomike për 2018 zyrtarisht parashikohet mbi 4% të PPB!? Ku gjenden dhe cilat janë ato burime të financimit jashtë sistemit bankar, që mbështesin rritjen ekonomike shqiptare?
Nëse pranojmë, se rritja ekonomike është reale, atëhere mbetet të pranojmë, se burimet e financimit jashtë bankave, duhet të jenë në sasi mjaft të mëdha.
Rritja me shumë herë e kërkesave për leje ndërtimi, hotele, rezidenca banimi,etj. sidomos në qytetet e mëdha me Tiranën në krye, për koncesione në HEC-e, energji diellore, transport, rrugë, banka, industrinë e bixhozit, etj., shkurt në sektorët e parapëlqyer për pastrim parash të zeza si dhe rënia e pandalshme e monedhës euro dhe valutave të huaja në përgjithësi kundrejt Lek-ut, shtimi i pranisë së kompanive të regjistruara në “parajsa fiskale”, provojnë, se kapitale të mëdha me origjinë të paqartë dhe jashtë bankave, janë në qarkullim në Shqipëri.
Kapja nga policia e sasive të mëdha të parave cash të padeklaruara në kufi, në xhepat e individëve dhe shtimi në rritje i rasteve të shkatërrimit të grupeve të trafiqeve ndërkombëtare e shtojnë edhe më shumë dyshimin, se janë pikërisht burimet informale financiare, që po sigurojnë në masë të madhe rritjen ekonomike të vendit. Por, ka edhe një dukuri tjetër të rëndësishme. Koha.
Koha kur shënohet rritja e fortë e financimeve jashtë bankare të kreditimit të ekonomisë shqiptare përputhet me fillimin e procesit të vetting-ut në sistemin e drejtësisë nga trysnia e fortë ndërkombëtare.Vettingu ishte detonatori i shpërthimit, që përcaktoi ndryshimin e kahut dhe natyrës së burimit të financimit të ekonomisë shqiptare.
Ndryshim, që po ndikon drejtpërdrejtë edhe në vetë thelbin e ndërtimit të politikave dhe strukturës së ekonomisë shqiptare.
Hyrja e detyruar nga jashtë e parave të fshehura në parajsa fiskale dhe nevoja për të pastruar paratë e korrupsionit dhe trafiqeve, po kushtëzojnë gjithë zhvillimin e sotëm politik dhe ekonomik të vendit.
Ka një garë me kohën për të shpëtuar cfarë mundet. Flitet jo zyrtarisht në media për mbi 30 miliardë US dollarë të nxjerra jashtë vendit në mënyra të paligjshme dhe shumë të tjera me origjinë të paqartë, që prodhohen cdo vit brenda dhe jashtë vendit.
Vetëm kështu mund të shpjegohet paradoksi i ekonomisë shqiptare. Pa harruar edhe prokurimin e sotëm të buxheteve shumëvjecare të brezave dhe qeverive të ardhshme me programin 1 miliard euro dhe PPP e shumta.
Të gjitha burimet e mesipërme të financimit bashkë pa dyshim mund të prodhojnë rritje ekonomike ne afatshkurtër pa patur nevojë për sistem bankar.
Se cfarë do të thotë mënyra e zgjedhur e sotme e përdorimit të burimeve financiare të të gjitha origjinave për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, demokracinë dhe mirëqënien e shqiptarëve në afatgjatë dhe cfarë do të ndodhi kur këto burime të pakësohen, është tjetër cështje.
Të paktën eksperti i huaj ka disa shpjegime, që nesër të mos cuditet dhe aq më shumë të mos entuziazmohet nga paradoksi ekonomik shqiptar i sotëm!