23 Dhjetor 2024

Paradë shpresëdhënëse

Shkruar nga Zejdush Kastrati  

Emocionet që vëreheshin, por edhe shpreheshin nga shumë të pranishëm që përcollën paradën e parakalimeve të njësive elite të Forcës së Sigurisë, por edhe të Policisë së Kosovës, më 17 shkurt, me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë, në sheshin “Nëna Terezë”, mund të përshkruhen si mjaft mbresëlënëse por edhe shpresëdhënëse.

Komentet që jepeshin aty për aty, edhe në kohën kur kalonin pjesëtarët e këtyre skuadrave, me veshje shumë profesionale ushtarake sipas modeleve të NATO-s, me një moshë po ashtu të pranueshme, në veçanti të ushtarëve të Forcës së Sigurisë, pastaj me një radhitje e marshim që vështirë është të shihet edhe te shumë ushtri të rajonit, e në veçanti ajo që krijoi një ambient shumë relaksues e emocinal, ishte prakalimi i tyre me armatim edhe pse të lehtë, por me modele që mbajnë pjesëtarët e ushtrisë gjermane, amerikane… por edhe njësitë e motorizuara e të blinduara.

Edhe pas përmbylljes së kësaj parade, komentet dhe vlerësimet e shumicës që këtë ditë të bukur dimri e vazhduan edhe nëpër lokale e sheshe të Prishtinës, sa i përket këtij parakalimi e defilimi folën e dhanë vlersime shumë pozitive, duke shtuar e vlerësuar se ky parakalim simbolizon nismën e funksionimit të një shteti të njëmendët, i cili reflekton në radhë të parë besim te popullata dhe te të gjithë ata që e kanë dashur dhe e duan këtë shtet e këtë vend dhe në anën tjetër është edhe një mesazh i qartë te të gjithë ata, të cilët edhe më herët, por edhe pas këtyre 5 viteve të pavarësisë, jo vetëm që hezitojnë të na njohin e të mbështesin, por në vazhdimësi po na çojnë selame e mesazhe se jo vetëm që nuk do të na njohin kurrë, por do të vijë koha që do të na zhbëjnë.

Emocione edhe më të mëdha kosovarët kanë përjetuar edhe në parakalime të mëhershme, jo vetëm në Prishtinë kur nën emblemën e UÇK-së, në numër shumë më të madh bëheshin parakalime, dhe siç dihet aty pos atyre që vërtet kishin luftar “u futën“ dhe u promovuan edhe shumë sish, me uniforma të “Bit Pazarit”, apo shumë sish që ishin strehuar në Stankovec, Shqipëri, por edhe nëpër “gropa të kompirave” në Kosovë.

Megjithatë, koha në vazhdimësi tani e 14 vjet pas luftës dhe largimit të forcave serbe, tregoi fytyrën e vërtetë, jo vetëm të atyre që u futën nën uniformën e UÇK-së si “klandestinë”, por fatkeqësisht edhe të disa komandantëve që bënë luftën, por gjatë kësaj periudhe, pas lufte shumë shpejt i verboi lakmia, pasurimi i shpejtë e disa edhe pushteti, dhe kuptohet, edhe ku popull, si çdo popull tjetër arriti të ndryshojë mendimin dhe herë- herë edhe publikisht të distancohet nga këto veprime të shumicës së atyre që dëmin më të madh ia bënë jo vetëm vendit, por edhe vetvetes.

Andaj, parakalimi dhe defilimi i gjithë këtyre strukturave ushtarake dhe policore më 17 shkurt, ka një peshë të veçantë, sepse këtë ditë për herë të parë është prezentuar ajo që është jo vetëm pasqyra, por edhe bazamenti i një shteti të njëmendtë, i cili kudo në botë identifikohet me ushtri e polici profesionale, si dy segmente kyçe, për funksionim edhe të sferave tjera të një shteti modern.

Kur ia shtojmë këtij parakalimi edhe prezencën, por edhe diskutimin e përfaqësueses së sponzoruesit kryesor, i cili na bëri jo vetëm luftën, por edhe paqen, dhe njëherësh është garant edhe i zhvillimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës, atëherë kjo paradë është një sinjal e porosi e mirë, se është koha e fundit që të shohim veten “në pasqyrë” dhe të korrigjohemi.

Edhe deklarata e kryemnistrit Thaçi, (si njëshi në Kosovë), në këtë paradë, ku pos tjerash ka shtuar se: ”ajo për të cilën, jam i sigurt, si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është se përkushtimi ynë për të zhvilluar vendin tonë dhe të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe secilin përvjetor të Republikës së Kosovës, do ta përcjellim me të arritura edhe më të mëdha...” është mirë, bile pjesërisht të jetësohet dhe të bëhet realitet.

Se kryeministri e ka apo jo seriozisht edhe këtë deklaratë mund ta dëshmojë shumë lehtë dhe shumë shpejt. Fuqizimin më të madh për shtetin e Kosovës, por edhe për vetë personalisht z. Thaçi do ta dëshmonte sikur të pengonte me të gjitha mjetet moskriminalizimin e mëtutjeshëm të institucioneve të Kosovës, e që fatkeqësisht gjatë gjithë kësaj periudhe pas lufte ka shënuar vetëm rritje.

Edhe çka tjetër duhet të ndodhë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Arsimit, Shëndetësisë, Zhvillimit Ekonomik, por edhe disa ministri e dikastere të tjera, ku aferat korruptive e skandalet finaciare janë bërë përditshmëri, pastaj nëpër kompani publike, universitet... dhe njerëzit e përfolur, pa kurrfarë marre, thonë: ”Ne i japim përgjegjësi vetëm Hashim Thaçit dhe vetëm ai mund të na ndërrojë...”

Pra ,”topi” është tek Ju, z. kryeministër, andaj nëse doni ta mbani edhe këtë premtim të dhënë më 17 shkurt, veproni sepse besimi është luhatur shumë dhe afër vetes mbani, pos të përfolur për korrupsion e afera tjera, edhe të tillë, që kanë punuar dhe janë deklaruar kundër kësaj pavarësie e kësaj Kosove, por edhe që kane qenë në taborrin tjetër e që janë angazhuar me mish e me shpirt, kundër kësaj Kosove dhe këtij vendi.

Nëse duam që për paradën e ardhshme, por edhe për ngjarje e manifestime tjera të shumta, me të cilat edhe dallohet Kosova, të kthejmë besimin e zbehur ndaj këtyre institucioneve dhe këtij vendi, atëherë të luftojmë krimin dhe korrupsionin që ka kohë që është identifikuar, si më e keqja e këtij vendi dhe të investojmë dhe hargjojmë aty ku rezultatet shihen e duken dhe ku edhe ai që nuk është shumë i pasur e ndien veten mirë, dhe nuk ankohet.

Më 17 shkurt të këtij viti, sa i përket kësaj parade mund të themi se edhe kosovari e pa dhe e preku fuqinë e njëmendtë të funksionimit të shtetit.

Me fat...

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)