27 Dhjetor 2024

Papunësia më e larta ne Evropë, me festen më të madhe në vend

Shkruar nga Mr. Fidan Mustafa

Dita e 1 Majit, Kosovën e gjen përsëri me të dhëna kontradiktore sa i përket numrit të papunëve në vend. Sipas statistikave zyrtare të agjencisë së statistikave të Kosovës, në Kosovë shkalla e të papunëve është 30.9%, ndërsa sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2011, nga po e njëjta agjenci rezulton se 44.9% janë të papunë.

Kosova është vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në rajone e më gjerë. Edhe përkundër statistikave zyrtare për të papunët, shifrat mendohet se janë më të larta se sa ato zyrtare, të paktën kështu mendojnë përfaqësuesit e punëtorëve në Kosovë dhe shumë organizatave të pavarura në vend.

Përfaqësuesit e punëtorëve në Kosovë mendojnë se papunësia në Kosovë arrin mbi shifrat 45%, pasi që jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat komunale të punësimit. Njëri ndër të papunët është edhe A. Mustafa i cili është 53 vjeçar, i papunë dhe nuk është regjistruar në zyrën e punësimit.

Ai ka punuar në një ndërmarrje e cila tashmë është privatizuar, dhe prej atëherë nuk ka arritur të gjej punë. “Jam i zhgënjyer me udhëheqësit e shtetit tim, sepse askush nuk ka bërë asgjë në hapjen e vendeve të punës. Ata që duhet të punojnë për këtë çështje, shikojnë vetëm interesat e veta,dhe na vizitojnë vetëm para zgjedhjeve”, thotë Mustafa.

Derisa dita e 1 Majit për shumë vende të Bashkimit Evropian, është një ditë ku punëtoret kërkojnë punë dhe të drejtat e tyre për kushte më të mira, kjo nuk ndodh edhe në Kosovë. Shumë nga mediumet publike paralajmërojnë se nuk ka protestë.

Kështu paralajmërojnë Sindikatat e Punëtorëve, duke thënë se kjo ditë shënohet si festë dhe jo si një ditë ku protestohet, përtej faktit se të papunë janë gati gjysma e popullsisë.

Përkundër faktit se papunësia në Kosovë mbetet sfidë për të ardhmen e qeverisë, problemet në sektorin e punës nuk përfundojnë me kaq.  Problematika e të drejtave të punëtorëve në vend, mbetet njëra ndër sfidat më të vështira të zbatueshmërisë së ligjit të punës nga ana e qeverisë.

Kur flitet për të drejtat e punëtorëve, kushtet e punës në sektorin publik dhe privat nuk janë në përputhshmëri me standardet dhe konventat ndërkombëtare. Kështu deklaron një hulumtim i pavarur nga Organizata Olf Palma në Kosovë.

Sipas hulumtimit, situata e punëtorëve në sektorin privat në raport me ata publik, gjendja është shumë më e rëndë. Nga rreth 400.000 punëtor në Kosovë, rreth 30% nga ta janë pjesë e ekonomisë joformale.

Sipas Trustit Pensional të Kosovës, në Kosovë janë 234 729 punëtor që paguajnë kontribute (nga dy sektorët publik dhe privat), ndërsa vlerësohet rreth 30% të cilët i takojnë ekonomisë joformale.

Një pjesë e madhe të punësuarve joformal punojnë pa kontratë pune, me orar të zgjatur, me ditë të pushimit shumë minimal, pa kompensim për punët jashtë orarit, pa pajisje mbrojtëse, pa të drejtat më elementare të cilat rrjedhin nga ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.

Sipas një raporti tjetër që ka nxjerr Qendra për Politika dhe Evokim (QPA), në Kosovë të drejtat e punëtorëve nuk respektohen as minimalisht. Edhe për faktin se ligji i punës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës me 02.11.2010, zbatueshmëria e tij mbetet sfidë për punëtorët dhe institucionet e vendit.

Në bazë të deklarimit të QPA-së, puna pa kontratë, pasiguria në punë, mos kompensimi i pushimit mjekësor, mos kompensimi i punëve jashtë orarit dhe mosdhënia e plotë e pushimit vjetor, janë disa nga të dhënat që prezantohen në këtë raport.

Fakti më shqetësues në këtë raport të QPA-së është mosnjohja e ligjit të punës nga ana e punëtorëve, ku 75% e të intervistuarve kanë thënë që e njohin ligjin vetëm pjesërisht, 13% e tyre nuk kanë informacion se ekziston një ligj i tillë dhe 12% deklarojnë se e njohin mirë ligjin.

Këto dhe shumë hulumtime të ndryshme zyrtare dhe jo zyrtare pasqyrojnë gjendjen reale në vend, në sektorin e të papunëve dhe të drejtave të punëtorëve. Përkundër faktit se në Kosovë kjo ditë nuk protestohet por festohet.  Të paktën kështu është e caktuar me ligj, që dita e 1 Majit është ditë pushimi shtetëror.

 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)