Pakti me djallin
Shkruar nga Ramiz Bojaj
Bashkimi Evropian, duhet të zbatojë në parim rregullin unik, si standard për integrime evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit, e jo të veprojë me dy barometra: karotën për Serbinë dhe shkopin për Kosovën.
Ndërkaq, vijat e kuqe për Serbinë, të proklamuara zëshëm nga lidershipi ynë politik, nuk janë asgjë tjeter, përveçse retorikë e harxhuar për tregun e brendshëm. Serbia vazhdon ti shkelë pacipërisht, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, dhe këtë 24 orë në ditë.
Nisma e Bashkimit Evropian, për fillimin e një agjende të pafund bisedimesh (pa strategji dhe kritere të qarta) Kosovë-Serbi, por të proklamuara nën tutelën e pacenueshmërisë së interesave të asnjërës palë, dëshmon qasjen jo parimore të vetë BE-së, përballë realitetit ballkanik.
Kjo do të thotë, matje me dy kute të drejtësisë: E para pacënueshmëria e interesave të Serbisë në Kosovë (çasja ndaj veriut) dhe e dyta: kërkesë për pranim të statuskuosë në Mitrovicën veriore nga ana e institucioneve legjitimetë shtetit të ri.
Kushtet e disfavorshme të Kosovës, e cila është në rangun e fundit për integrime evropiane (pa liberalizim vizash dhe pa agjendë integrimesh), përballë Serbisë (të përkëdhëlur nga BE-ja dhe e future në liberalizim vizash, pavarësisht të palarave të saj), kanë hapur dilemma reale rreth nismës së kësaj agjende bisedimesh.
Në fakt kjo nismë më shumë tingëllon si dialog në mes të vet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, për përfshirjen e kësaj të fundit në radhën e bashkimit të kombeve perëndimore, përderisa Kosova është vetëm palë e tretë, e shtypur dhe e ndrydhur nga interesat e të tjerëve.
Kosova, duke u përballur me presion të madh për të pranuar konsensus që do ti kënaqte të gjithë, (përpos shqiptarëve), të cilët në mënyrë të drejtëpërdrejtë janë privuar nga rrugëtimi integrues (liberalizmi i vizave, qarkullimi i lirë i mallrave etj.).
Nën imazhin e parimeve elastike, (Serbinë e përfshirë në liberalizim dhe Kosovën e privuar nga vlerat evropiane), Bashkimi Evropian, ka ulur në një pakt (me kushte të barabarta) engjëllin (Kosovën) me djallin (Serbinë ish pushtuese), edhe pse kjo e fundit vazhdon të krijojë turbulenca në qenien e një krijese të porsalindur, siç është shteti i ri i Kosovës.
Serbia është futur në agjendën e bisedimeve integruese me një kushtetutë hegjemoniste, që kërcënon, gjithnjë; paqen dhe stabilitetin në rajon, qe për Kosovën do të thotë kërcënim i hapur me tendenca ekspansioniste.
Ndërkaq, Kosova edhe pse me vetëm tre vjet shtet, (e udhëhequr dhe monitoruar nga OKB-BE), vazhdon të jetë vend i shpërfillshëm në stadin e integrimeve, lirinë e levizjes qytetare dhe me bllokadë totale ekonomike.
Republika e Kosovës, vazhdon ti ketë përkufizimet e veta për shkak të përqarjeve në BE, por qytetarët shqiptarë nuk janë fajtorë për këtë dhe nuk dëshirojnë të mitizojnë profilin europian si një panteon vlerash demokratike e moderne. Shqiptarët janë dëshmuar si komb me vlera dhe vizione euroatlantike, ndaj të cilëve vazhdojnë të jenë të aplikueshme praktikat më diskriminuese.
Në këtë kontekst, Drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, thekson se Kosova është e izoluar dhe sfida më e madhe e Bashkimin Evropian qëndron në gjetjen e mënyrës për tia ofruar Kosovës udhërrëfyesin për viza dhe integrimin tregtar me Evropën.
Ndërkaq, Drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Marko Prelec, duke nënvizuar problemin për veriun e Kosovës thekson se veriut të Kosovës mund t`i jepet një status i veçantë e që do të ishte një autonomi më e gjerë, ose ndarja e Kosovës me shkëmbim territoresh me Luginën e Preshevës. Ide të tilla janë të njohura, por të paktën mos të forcohen edhe nga politikëbërësit tanë të cilët janë të thirrur të qeverisin dhe ti mbrojnë interesat tona shtetërore e nacionale.
Standardi i dydyfishtë, i rrezikshëm
BE-ja duhet dhënë fund standardeve të dyfishta për Ballkanin Perëndimor. Kosova, edhe pse e menaxhuar për vite me radhë nga OKB-ja, BE-ja dhe NATO-ja, është penalizuar padrejtësisht në liberalizimin e vizave, ndërsa Serbia shkaktare e tri luftërave ballkanike, mbetet e përkëdhelura e BE-së. Serbia jo vetëm se nuk është ndëshkuar fare për të palarat e saja, por është futur lehtësisht në liberalizim vizash, dhe taktikisht po procedohet edhe për anëtarësim në BE.
Dhe, çka është krejt absurde, BE-ja vazhdon ti përgjërohet Serbisë, qe kjo e fundit të futet domosdoshmërisht, në bashkësinë e kombeve perëndimore, nën pretekstin absurd: kthimi kah perëndimi dhe largimi nga Moska, duke harruar se Serbia është në aleancë të hekurt me Rusinë, ndërsa perëndimin e sheh si një strategji përfitimi, lëvizshmërie e levërdie ekonomike.
Loja politike e kokave të prera nga ana e Serbisë duket të ketë patur efekt: Me prerjen koke të kryekasapit të Ballkanit, (dorëzimin në Hagë të Millosheviqit), Serbia u amnestua, për krimet e bëra në luftërat e fundit; me kokën e Karaxhiqit, fitoi liberalizimin e vizave, ndërkaq, siç duket kriminelin Mlladiq e ruan si kurban për anëtarësimin e vet në BE. Bashkimi Evropian, duhet të zbatojë në parim rregullin unik, si standard për integrime evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit, e jo të veprojë me dy barometra: karotën për Serbinë dhe shkopin për Kosovën.
Nëse BE-ja kërkon nga palët në bisedime që të privohen nga problemet esenciale, do të thotë pajtim me realitetin ekzistencial: Ruajtja e kushtettutes hegjemoniste të Serbisë dhe praninë e kësaj të fundit në shtetin e Kosovës. Në fakt duket dialogu është një shabllon i përgatitur, epilogu i të cilit është të kënaqen të gjithë.
Kjo do të thotë se në bisedimet e para politike, Kosovë-Serbi, mbajtur në Bruksel, nga këndi realpolitik, nuk ka ndodhur asgjë. Asgjë nuk është biseduar, asgjë nuk është arritur, por ka ndodhur vetëm një cakërrimë gotash. Kaq.
Pikërisht për asgjënë, mund të flitët çfarëdo e sido, por jo edhe për gjëra konkrete, siç vazhdon të proklamohet zëshëm në qendrat më të mëdha mediatike. Ndryshe, vijat e kuqe për Serbinë, të proklamuara shumë zëshëm nga lidershipi ynë politik, nuk janë asgjë tjeter perveçse, retorikë, dedikuar tregut të brendshëm medial-politik.
Vijat e kuqe të proklamuara nga institucionet e Kosovës (mbi të cilat nuk mund të shkelen e as të bisedohet) janë vetëm retorika boshe të diplomacisë sonë, ngase integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës, de fakto, vazhdojnë të shkelen 24-orë në ditë, nga ana e Serbisë. Edhe pse de jure, ekziston autoritet unik në tërë territorin e Kosovës (aktet juridike-kushtetutshmëria).
Parimi i reciprocitetit, i dëmshëm për Kosovën
Parimi i reciprocitetit me Serbinë është e pamundur. Për të arritur këtu, paraprakisht dy shtetet të përfshira në dialog duhet të njihen si të pavarura. Ndryshe autoritetet e Serbisë(presidenti e kryeministri) mund të bisedojnë me kryeministrin tonë Hashim Thaçi dhe me presidentin Pacolli, por pa e njohur legjitimitetin e tyre si kryeministër ose president të një shtetit të pavarur, për faktin se Serbia udhëheqësit tanë, vazhdon ti trajtojë si përfaqësues të shqiptarëve, ndërsa Kosovën e quan si krahinë jugore të saj, të cilën e ka të përfshirë edhe në kushtetutën e vet.
Gjithashtu, ideja për shkëmbim territoresh është sindrom tepër i rrezikshëm për faktin se kjo tingëllon sikur ne (shqiptarët) jemi të interesuar ti falim territore Serbisë. Kosova(edhe gjatë bisedimeve) duhet të kërkojë më shumë të drejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke aluduar në autonomi substanciale, ashtu siç e kanë edhe vet serbët në Kosovë, (sipas planit të Ahtisaarit për decentralizimin), e jo të ndërlidhemi me veriun, territor të cilin me ose pa vetëdije po e penalizojmë si një segment i ndarë nga pjesët tjera të shtetit tonë.
Intersat tona mund të mbrohen vetëm mbi bazat e uniformitetit, ndryshe lëkundjet në veprim dhe qëndrim të sovranit mund të kenë pasoja dramatike, jo vetëm për projektin evropian të Ballkanit (anëtarësimi në BE), por mund të krijojnë rrethana të paparashikueshme, edhe me levizje kufijsh.
Nocioni i proklamuar nga shumë qendra politikëbërëse, se çfarëdo përfitimesh që mund të marrin serbët e veriut të Kosovës nga këto bisedime, të njëjtën gjë do të duhej ta përfitonin edhe shqiptarët e Luginës.
Elita jonë politike duke u bazuar edhe në parime etike, mund të kërkojë për bashkëkombasit tanë në Luginë, atë qe e kanë serbët në Kosovë, ndryshe veriu i Kosovës është territor kompakt, por politikisht i ndërtuar si etnitet serb, pas të cilës fishihen aspirate hegjemoniste.
Kur flasim për luginën, gjithashtu është territor historik, etnik e demokrafik shqiptar, por padrejtësitë historike kanë bërë qe ne sot të jemi të ndarë e të shpërfillshëm nga qendrat vendim-marrëse në shkallë botërore.
Retorikat për tregun e brendshëm
Duket paksa i quditshëm fakti se politikëbërësit tanë, edhe gjatë kohës së qeverisjes, bëjnë fushatë për vete dhe opinionin e gjerë. E një natyre të tillë duket të tingëllojnë edhe vizitat e liderëve tanë në veriun e Mitrovicës. Vizita e fundit e presidentit Pacolli në veri, është cilësuar si një hap i guximshëm pasi presidenti shkeli një pjesë tjetër të shtetit të vet. I mbështetur nga uniformat blu, kreu i shtetit garantoi luftimin e bandave kriminale, të cilat po e pengojnë jetën normale në veri.
"Të gjitha bandat kriminale që e pengojnë jetën normale në këtë anë, ne do ti luftojmë me vendosmeri. Ju jeni pjesë e Kosovës dhe jeni të mbështetur me përkushtim nga institucionet e Kosovës".
Në parim kjo tingëllon bukur, por në fakt nuk mjafton vetëm apostrofimi për bandat. Nëse kësaj retorike, ose nisme, (e cila është për tu përshëndetur), nuk i shtohen edhe mekanizmat veprues nuk do të ketë efekt.
Ndryshe, vizita e lirë e qytetarëve shqiptarë në veri, kthimi dhe rehabilitimi i tyre në pronat e veta (kthimi në shtëpitë e tyre të djegura ose të uzurpuara nga serbët), mbetet barometri më i saktë i ndjeshmërisë së autoritetit të shtetit (sigurisë qytetare dhe investimeve ekonmike) edhe në këtë pjesë të Kosovës. Pothuajse nuk ka lider (kryeministër a president), që nuk janë rrëfyer për veriun, por më shumë se disa spektakleve mediale nuk kanë ndodhur.
Kryeministri Thaçi ka forcuar bindjen se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm. Kosova është një, unike dhe për rregullimin tonë të brendshëm vendosim ne në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona. Dhe krejt në fund thotë se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pa precizuar mënyrën dhe periudhën kohore. Çka nëse ky dialog mund të vazhdojë me vite e dekada.
Ne nuk mund të presim e të jetojmë përgjithmonë me ëndrrat për europerëndimoret. Shqiptarët duan të jetojnë me rregullat universale të demokracisë si një komb me vlera europerëndimore, e jo të jetojmë të penalizuar si pre e pazareve të të tjerëve në dëm tonin.
Në bisedimet e para politike, Kosovë-Serbi, mbajtur në Bruksel, nga këndi realpolitik, nuk ka ndodhur asgjë, përveçse një cakërrim gotash. Ndryshe, vijat e kuqe për Serbinë, të proklamuara zëshëm nga lidershipi ynë politik , nuk është asgjë tjeter perveçse, retorikë boshe, dedikuar tregut të brendshëm media-politik dhe qytetarisë.
(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).