23 Dhjetor 2024

Pak moral, pak moral, o shok, o vëlla, o mik

Shkruar nga Xhevat Bislimi


Po të jetonte në kohën tonë poeti ynë i madh, Migjeni, kështu do ta titullonte poezinë e tij. Koha që ne jetojmë përgjithësisht e ka realizuar ëndrrën dhe kërkesën e Migjenit për “pak dritë”.

Në kohën tonë edhe nata është bërë ditë. Por, koha jonë, shoqëria jonë, pra edhe Partia Demokratike e Kosovës ka nevojë, e ka të domosdoshme të ketë pak moral.

Nuk them të moralizohet politika, sepse nuk do të ishte më politikë e suksesshme. Por, mungesa e plotë e moralit në politikë e kthen politikën në matrapazllëk, xhambazllëk, maskarallëk, mashtrim, rrenë...

Pra, e kthen politikën në antipolitikë, në të kundërtën e saj. Prandaj, duhet, duhet dhe duhet pak moral në politikë.

Sot mora “ftesën” për të shkuar në një ceremoni solemne në Hotelin “Emerald”. Në orën 14, më thoshte zëri nga ana tjetër e telefonit, të vini në ceremoninë e organizuar për nder të ardhjes (anëtarsimit) të Agim Çekut në PDK!

Ceremoni, solemnitet, aheng, mendova me vete pak i habitun! Në kohën që Agim Çekun AAK-ja e bëri Kryeministër, duke ia dhënë një librezë të AAK-së fët e fët, unë isha deputet në Kuvendin e Kosovës.

Partia, ku jam edhe sot, PDK-ja, sidomos paria e saj, u hidhërua dhe indinjua keq. Në përballjen e parë me deputetët Agim Çeku u “bombardua” keq nga shumë deputetë të PDK-së. Dhe ç’të “bombarduar” se? Kolegët e mi deputetë nuk lanë gjë pa thënë për personin e Agim Çekut, familjen dhe jetën e tij private.

Ndoshta edhe ata nuk kishin faj. Ndoshta! Kështu i kishin marrë porositë nga lartë! Të njëjtit, e njëjta Parti, sot organizon ceremoni solemne për Agim Çekun, në të cilën ky i shari dhe i anatemuari i djeshëm do të lavdërohet, do të ngrihet në qiell! “...dje shante e sot lavdon...”!

Po t’i kishim mediat të pavarura, e që nuk i kemi, sonte në ekranet e TV-ve tona do të shikonim ato fjalimet (të sharat) e deputetëve (të PDK-së) për Agim Çekun dhe lëvdatat e sotme, po të PDK-së, për Agim Çekun!

Kështu edhe qytetari ynë do të “informohej” drejtë dhe saktë për moralin e kësaj klase politike dhe të politikës në Kosovë përgjithësisht.

   Në politikën e Kosovës dha atë shqiptare pa përjashtim morali ka kohë që nuk është i pranishëm. Ka kohë që morali është përjashtuar nga politika dhe politikanët. Nuk do të ndalem te morali i Agim Çekut.

Ky gjeneral, që u bë i nderuar dhe me emër vetëm kur u angazhua në Luftën e UÇK-së dhe të popullit të tij shqiptar për çlirimin e Kosovës, po më duket se nuk do të lë parti pa e provuar, e ka nda mendjen!

Punë e tij, zgjedhje e tij. Uroj që me PDK-në të lidhet edhe me kurorë, të mos e ketë vetëm si lidhje të përkohshme, dashuri jashtëmartesore!

   Nejse, e kam më shumë me Partinë, ku jam anëtar që nga themelimi dhe njëri nga themeluesit e saj, me Partinë për të cilën anëtarët dhe veprimtarët e saj kanë derdh shumë përpjekje e mund për të ardhur kjo Parti në pushtet. Dhe, kush po qeverisë sot me Kosovën dhe si po qeverisë?

A është kjo PDK-ja jonë, a janë këto vlerat e saj kombëtare, njerëzore, demokratike, politike, kulturore..., a është ky morali i asaj PDK-je që kishim themeluar dhe për të cilën u rropatëm vite të tëra?
                                                                                                
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)