22 Dhjetor 2024

Pacolli duhet të bëhet pjesë e institucioneve

Shkruar nga Rexhep Meidani

Në fillim të mandatit si kryetar shteti, në një nga sheshet e spitalit \"Zonja e Këshillit të Mirë\", u organizua një koncert sensibilizimi e bamirësie, me praninë e këngëtares italiane me origjinë shqiptare, Ana Oksa (Hoxha-Oxa). Aty, së bashku me Anën, në një transmetim të drejtpërdrejtë, iu drejtuam opinionit publik italian dhe donatorëve të ndryshëm, për mbështetjen dhe përfundimin e projektit të spitalit, të nxitur edhe nga vetë Nënë Tereza. Por, dhe ky projekt, si mjaft të tjerë, u paralizua përkohësisht pas ngjarjeve të 14 shtatorit dhe luftës së Kosovës.

Në fakt, në atë veprimtari unë kam qëndruar pranë Anës dhe nga ana tjetër e saj ishte vajza ime, Adea. Aty duhet të jem përshëndetur me Behgjet Pacollin. Por, prania e tij në atë ngjarje është e fiksuar plotësisht në librin e tij autobiografik \"...nga sfida në sfidë, jeta, Behgjet Pacolli\".

Sidoqoftë, pa qenë shumë i sigurt, diçka më është thënë për martesën e pritshme të saj me një biznesmen shqiptar tepër të suksesshëm të Kosovës, me banim në Zvicër. Madje, pak më vonë kam mësuar dhe realizimin e kësaj lidhjeje martesore (1999-2002), që pengesë jo të vogël kishte edhe kohën e angazhimin e secilit.

Po ashtu, aty nga fundi i asaj periudhe, kam lexuar rastësisht dhe një intervistë të dhënë prej Behgjetit, ose në shtypin zviceran ose diku tjetër, për mosfunksionimin e martesës së tij me Anën. Ishte një intervistë me të vërtetë dinjitoze e qytetare, me thellësi të dukshme shpirtërore dhe përkujdesje të veçantë njerëzore.

Madje, ajo, me linjën e saj tepër njerëzore, më bëri të ndryshojë mendjen për këtë person të veçantë të botës shqiptare. Ai në sytë e mi po shihej ndryshe, të paktën në finesën e tij etike dhe estetike.

Por le të kthehem tek perceptimi i sajuar kundër B. Pacollit. Në fakt, edhe media e kishte bërë punën e saj. \"Kremlingate\" i skenuar i Del Pontes (Carla del Ponte), si kryeprokurore e Zvicrës e kishte lënë gjurmën e pakëndshme edhe midis nesh. Ndoshta, në radhë të parë, edhe shtypi italian, i ushqyer ose jo prej saj, me \"Corriere della Sera\"në krye.

Madje, në fundverën e vitit 1999, sulmi mediatik arriti kulmin me përfshirjen e Behgjet Pacollit në një aferë, ku ishin përfshirë personalitete të tilla të larta si presidenti rus Jelcin, zëvendëspresidenti amerikan Al Gore apo presidenti i Bankës Botërore Camdesy!

.Del Ponte, me emërimin e saj si Kryeprokurore e gjykatës për krime lufte në ish-Jugosllavi (ICTY), ia kaloi dosjen e \"Kremlingate\"-it për finalizim zëvendësuesit të saj. Kjo edhe pse ajo dosje ishte e mbushur me kontradikta, sajesa apo \"evidenca\" propagandistike-mediatike, pjesë të \"hobit fantazist\" të ish-prokurores, të shfaqur akoma më dukshëm në librin \"Gjuetia – unë dhe kriminelët e luftës\", të bllokuar në promovim nga vetë Ministria e Jashtme e Zvicrës.

Për këtë, jo pa të drejtë, B. Pacolli shpreh në libër dhe dyshimet e tij: \"Mund të kenë qenë të shumta motivet që e nxitën Del Ponten të bëhej promotore e kësaj afere, por gjithsesi do të mbetet të sqarohen në të ardhmen më mirë shumë rrethana, përfshirë edhe ato që në ndonjë pikë të largët mund të lidhen me Kosovën dhe çështjen e saj, me Serbinë dhe luftën e saj në Kosovë, me Rusinë dhe me oligarkët e saj, me Italinë dhe me interesat e saj ekonomike\".

Edhe, unë, si shumë shqiptarë të tjerë që kanë pasur kontakte zyrtare me Del Ponten, kam shfaqur pakënaqësitë e mia për të, të pasqyruara në shtypin shqiptar apo në panele ndërkombëtare.

Sidoqoftë, ndryshe prej saj, pas 3 vjet hetimesh intensive, Bertosa (Bernard Bertossa), Prokurori i Përgjithshëm i Konfederatës Zvicerane, që zëvendësoi Del Ponten, më 6 mars 2002, e mbylli zyrtarisht procesin, në favor të plotë të Behgjet Pacollit, presidentit të Mabetex Grup, kompani konstruksioni dhe inxhinierie civile, me qendër në Lugano-Zvicër.

Në përgjithësi, nisur nga kjo ngjarje apo raste të ngjashme, krahas argumenteve të karakterit politik dhe gjeostrategjik të vetë B. Pacollit, nuk mund të harrohet se, në fund të fundit, edhe suksesi në këtë botë ka \"pagesën\" e vet; ai sjell shpërthimin e xhelozisë dhe të smirës, fut në funksion ekstrem armën e shpifjes, ndyrësisë e pseudoakuzës. Në këtë kuptim, suksesi ka qenë dhe mbetet për fat të keq një bashkëqytetar i lakmisë dhe zilisë së të paaftit, të pazotit, të përtacit.

Kush e arrin këtë sukses ndjehet jo rrallë i zhgënjyer nga kjo dobësi e ulët njerëzore, por, ama, ai që i reziston asaj me anë të punës, gatishmërisë, përfshirjes e humanizmit apo kapërcimit të pakënaqësive të vogla, kalon në një stad akoma më të lartë personaliteti, force shpirtërore e energjie njerëzore!

Para disa vjetësh, gjatë një vizite të shkurtër në Kosovë, e kam takuar për herë të parë B. Pacollin (me rezervën e vitit 1998!) në shtëpinë e Ramush Haradinajt. E kishim lënë të pinim një kafe me Ramushin dhe pastaj të shkonim së bashku në Akademinë përkujtimore kushtuar Luanit, vëllait të tij të vrarë nga serbët, në maj të vitit 1997, jo larg kufirit me Shqipërinë.

Në atë kohë, Ramushi ishte ende në arrest shtëpie, por që nga marsi 2006 Dhoma e Apelit e ICTY i kishte dhënë atij të drejtën e pjesëmarrjes në veprimtari politike publike, me autorizimin konkret të UNMIK-ut (d. m. th. dhe \"skortën policore\" të tij). Sidoqoftë, në momentin që hyra në shtëpinë e tij, Ramushi, me zgjuarsinë e tij natyrore, ndjeu ndonjë stepje apo hezitim timin dhe ma prezantoi menjëherë bashkëbiseduesin.

\"Është Behgjet Pacolli, një mik imi. Besoj se bëra mirë që i shpreha kërkesën dhe dëshirën për të qëndruar dhe biseduar së bashku\"- tha ai me dinamizmin dhe thjeshtësinë e tij \"rebele\". Në fakt, kishte bërë shumë mirë! Aty bisedova gjatë me Behgjetin, bile aq sa duhej për të ndërtuar një lexim të drejtpërdrejtë, krejt tjetër, por dhe shumë më të ndryshëm nga ai i krijuar nga thashethemnajat politike e mediatike.

Sidomos duke pasur parasysh dhe momentin e vendimmarrjes së tij për të hyrë më konkretisht e gjerësisht në politikën kosovare fillimisht si lëvizje dhe pak më vonë si president i një partie kosovare të quajtur Aleanca Kosova e Re (AKR). Të njëjtin shikim pozitiv e bashkëkohor, të njëjtin konceptim pozitiv, etikë qytetare dhe estetikë intelektuale i kam ndeshur tek ai dhe në emisionin \"Déjà-vu\" të Mustafa Nanos në Top Channel...

Sidoqoftë, duke qenë jo aq i lidhur sa më parë me politikën kosovare të ditës, e kuptova nga libri se marrëdhëniet e Behgjetin me Ramushin nuk ishin më si më parë. Unë vetë do të dëshiroja dhe uroja të kundërtën.

Kjo, aq më tepër, se B. Pacolli për detyrat kryesore të politikës kosovare mendon pak a shumë si unë, në mënyrë më konkrete, më të fokusuar për çështjen fondamentale të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në OKB! Të paktën këtë dëshmon ky libër.

Nuk ka shumë ditë, në kthim nga Parisi, në sallën VIP të aeroportit të Tiranës \"Nënë Tereza\", takova papritur dhe B. Pacollin. Ky ishte një takim tjetër yni. Por, ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte fakti që ai aty po i bënte shoqëri ministrit të Jashtëm të Maldiveve, z. Ahmed Shaheed. Më erdhi shumë mirë për këtë sjellje miqësore e \"detyrë\" diplomatike të Behgjetit aq më tepër që aty nuk m’u duk se kishte ndonjë përfaqësues të protokollit tonë të shtetit, ndoshta dhe nuk i njihja, sepse edhe kanë ndryshuar, për arsye moshe, karriere apo \"politike-partiake\".

Kjo sidomos, duke pasur parasysh kontributin e këtij ministri në njohjen e Republikës së Kosovës, që më 19 shkurt 2009. Madje, këto dy vende me shtysën e tij firmosën me shpejtësi marrëdhëniet diplomatike më 16 prill 2009. Dhe pjesë kryesore e këtij procesi sa të shpejtë, po aq të domosdoshëm ishte dhe vetë Pacolli, si patriot, politikan e biznesmen. ...

Pacolli, nuk e ka shfrytëzuar dhe nuk e shfrytëzon politikën si \"kalë beteje\". Ai është luajal në idetë dhe vizionin e tij, pa e fyer apo diskretituar kundërshtarin, duke kritikuar në mënyrë qytetare, por dhe duke pranuar ose vlerësuar atë që, sipas tij, duhet pranuar ose vlerësuar. Kështu, ai, mbështetur në vokacionin properëndimor të shqiptarëve, jo vetëm çmon kontributin e politikës dhe të UÇK-së në këtë aspekt, por dhe kritikon në mënyrë paralele gabimet e bëra. ...

Problemi i vetëm mbetet përfshirja e tij dhe e partisë së tij në qeverisje. Atëherë mund të vërtetohet, ashtu si më parë në veprimtarinë ekonomike private, edhe suksesi i tij, por tani në një veprimtari publike. Bile, shumë shpesh, flitet se angazhimi në këtë veprimtari të fundit, praktika konkrete qeverisëse të jep dhe notën reale.

Dhe Pacolli me përvojën e tij të jashtëzakonshme duhet të bëhet pjesë e saj, për të shpalosur dhe ndikuar me pragmatizmin e tij. Por, ama, duke hedhur poshtë dictum-in e zakonshëm elektoral: \"Fushatën e bëjmë në poezi, qeverisjen e bëjmë në prozë\" (\"We campaign in poetry, and we govern in prose\"), që diku i atribuohet dhe Mario Cuomo-s.

Para se të komentoj \"thembrën e Akilit\" apo shpirtin ekonomik të B. Pacollit, të prekur dhe në libër, më duhet të theksoj se më është dukur interesant pohimi i tij (pas shpalosjes së variantit të Ban Ki Mun-it) për Mitrovicën apo zonën veriore të Kosovës. Kështu, sipas autorit të librit, Ban Ki Mun-i \"ishte i bindur se e vetmja zgjidhje për Veriun e Kosovës ishte ajo e përmirësimit të gjendjes ekonomike. Unë i fola për një zonë të lirë ekonomike atje, një ide që e përsëris shpesh dhe jam i bindur në dobinë e saj\".

Nuk mund të mohohet se përmirësimi i gjendjes ekonomike është një kusht i nevojshëm, megjithatë ai nuk është i mjaftueshëm. Këtë e kanë dëshmuar shumë shembuj të tjerë në botë, përfshirë dhe atë të Irlandës së Veriut për dekada të tëra. Akoma më keq është, kur krahas të tjerave, edhe gjendja ekonomike e popullsisë është tepër shqetësuese, siç rasti i Palestinës.

Në gjykimin tim, krahas zhvillimit ekonomik, paralelisht duhet investuar në rrafshin njerëzor. Pra, akoma më thjesht, duhet ndërtuar kohezioni social, kapitali social apo ai projekt ekonomik-politik dhe social-kulturor që sot tipizohet apo \"zbukurohet\" me togfjalëshin në anglisht: \"shared society\". Parë me këtë sy, më duket shumë më e mundshme, pse jo dhe kohezive \"zona e lirë ekonomike\", që thekson me bindje B. Pacolli. Sidoqoftë, kjo është forca ekonomike e gjykimit politik të tij, të cilën politikanë të tjerë, qoftë dhe të kalibrit të lartë të Ban Ki Mun-it, mund të mos e arrijnë dot. Është eksperiencë e një të vogli që rritet e bëhet i madh, një përvojë jetësore, një \"dixhestion politik me ushqim ekonomik\". ...

....Unë, pas leximit të librit dhe analizës së tij, pavarësisht aty-këtu pozicionimeve personale për ndonjë çështje të veçantë, ndoshta dhe për ndonjë shfaqje pragmatizmi të \"induktuar\", ai pasqyron, në bindjen time, një shembull, një mision, një mundësi, një realitet.

Madje, në thelb, dërgimi i këtij mesazhi të librit tek lexuesi e bën shumë më të drejtpërdrejtë detyrën e tij, si në rrafshin intelektual individual-qytetar, ashtu dhe atë shoqëror - politik.

Ai jo vetëm mund të nxisë suksesin dhe të frymëzojë karrierën, sakrificën e përpjekjen në gjeneratën e re, dëshirën për shkollim e punë, por dhe mundëson nëpërmjet jetës e veprës, përpjekjeve e angazhimit të vetë autorit, prekjen dhe përjetimin realist të botës individuale e shoqërore për rreth, ashtu siç është, me të mirat dhe të këqijat e saj, me hallet e gëzimet, me dobësitë e fuqitë, me gabimet e përkujdesjet, me rastësitë e domosdoshmëritë, me hapësirat e pafundme e kufijtë e saj.

Për më tepër, po e përsëris, shembulli i B. Pacollit, i pasqyruar në këtë libër autobiografik e mishëron më së miri një gjë të tillë.

(Autori eshte Ish President i Shqipërisë 1997-2002)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)