23 Dhjetor 2024

Pabarazia shoqërore në botë

Shkruar nga Driton Smakaj

Ekonomistët shumë flasin për pabarazinë shoqërore, e shumë prej tyre edhe nuk pajtohen rreth kësaj teme. Sidoqoftë, pabarazia shoqërore është sa historike, poaq është edhe natyrore e ngulitur thellë në psikologjinë e jetës njerëzore.

Nëse duam ta shohim nga aspekti historik, atëherë mund të themi që njerëzit kanë qenë të barabartë në aspektin material, apo mund të themi se pabarazia shoqërore ishte 0 (zero), atëherë kur askush nuk kishte asgjë. Pra të gjithë ishin të barabartë, me pak tesha në trup, para një lumi, para një liqeni apo deti dhe kush zë ndonjë peshk, ka diçka për të ngrënë, apo kush mbledh ca fruta nëpër fusha.

Pabarazia shoqërore fillon pikërisht atëherë kur njerëzit filluan të shfrytëzojnë aftësitë e tyre mendore dhe fizike për të krijuar apo prodhuar të mira materiale, rrjedhimisht duke grumbulluar pasuri. Meqë njerëzit lindin me aftësi të ndryshme si fizike poashtu edhe mendore, do të ishte absurde që të gjithë të arrinin të prodhonin apo grumbullonin pasuri të njëjta, përkatësisht të zhvilloheshin barabartësisht në aspektin material.

Me kalimin e kohës, jeta njerëzore bëhet gjithnjë e më komplekse, organizohen grupet shoqërore në forma të ndryshme, bëhen luftëra, krijohen sisteme shoqërore të avancuara, arrijmë deri tek revolucioni industrial e teknologjik, ku sot një numër të madh të punëve e kryejnë kompjuterët dhe robotika.

Në gjithë këtë cikël të progresit njerëzor në botë, në të gjitha këto mileniume histori njerëzore, nuk ka pasur asnjëherë barazi shoqërore në aspektin ekonomik. Mirëpo, ka pasur një progres të jashtëzakonshëm të zhvillimit njerëzor në terma të përgjithshëm substancial.

Tentimi për të ofruar një sistem që bën barazi shoqërore në mos pasje (apo në një varfëri relative, siç ishte tendenca e komunizmit si sistem) u faktua që ishte një gabim në esencë dhe kundër natyrës njerëzore në praktikë.

Kur njerëzit shtyhen me ideologji të sforcuara drejt një barazie ekonomike, ata nuk jetojnë më me arsyen racionale. Shembulli më i mirë është tregimi për Borisin dhe Sashën nga një fshat i thellë i Rusisë. Të dytë jetonin nga toka që e punonin dhe sëcili kishte nga dy hektarë tokë. Dallimi i vetëm ishte që Borisi e kishte edhe një Dhì. Kur e pyetën Sashën se çka do të dëshironte më shumë në jetën e tij në fshat, Sasha ishte përgjigjur:

- Dhia e Borisit me cofë.

Në vend që të kishte dëshirë me e pas edhe ai vet edhe një Dhì e të bëhet baraz me Borisin, ai dëshironte të kundërtën, barazimin në varfërinë e tij.

Nëjse, pabarazia shoqërore është një temë vërtetë e gjërë. Desha vetëm të prekë pak dimensione të saj.

Ekonomisti i famshëm francez, Thomas Piketty në analizat e tij që kanë bërë shumë 'boom' në mediat botërore sa i përket pabarazisë shoqërore në botë, ai konstaton që përqindja e të varfërve në krahasim me të pasurit është e njëjtë sikur para 100 vjetëve, bile ky dallim mes të varfërve dhe të pasurve është në rritje.

Gabimin që Thomas Piketty e bën në këtë analizë, është që analizën e bazon vetëm nga pikëpamja e të ardhurave. E jo nga pikëpamja e konsumit.

E tërë esenca ekonomike e jetës sonë, është konsumi dhe çka është në gjendje të blejë një i varfër sot dhe një i varfër para 100 vjetëve?

Çfarë sistemi shëndetësor ka pasur një i varfër para 100 vjetëve, e çfarë sistemi ka një i varfër sot?

Sa famijë kanë vdekur para moshës 5 vjeçare para 100 vjetëve? e sa fëmijë vdesin sot?

Një i pasur para 100 vjetëve ka vdekur nga një virus i thjeshtë i gripit edhe pse ka pasur mjaft pasuri. Ose një i pasur i para 100 vjetëve, ska pasur frigorifer në shtëpi, ska pasur banjo me ujë të nxehtë, ska pasur telefon, ska pasur makinë e shumë e shumë produkte që sot një i varfër i posedon në shtëpi.

Pra, pabarazia shoqrërore në terma të të ardhurave do të ekzistojë edhe në të ardhmën, por edhe pse dallimi në mes të pasurve dhe të varfërve mund të rritet, nuk përbën diçka të keqe, përderisa mundësitë e të varfërve rriten për qasje në kushte më të mira jetësore.

E gjithë kjo quhet progres njerëzor, ku sëcili avancohet në bazat e jetës.

Para 100 vjetësh, jetëgjatësia mesatare në shumë vende ka qenë rreth 35 vjet jetë. Sot mesatarja është tek të 70-tat.

Pabarazia shoqërore është shumë më komplekse se sa e shohin shumë politikanë dhe sociologë.

Sidoqoftë, sistemet politike mund të ofrojnë politika zhvillimore që dallimin mes të varfërve dhe të pasurve ta bëjnë një pasqyrë që reflekton mundësi për masat e jo një pasqyrë që reflekton sundim të masave nga të pasurit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)