Pabarazia e re në Ballkan që kërkon kundërpërgjigje
Shkruar nga Faton Abdullahu
Serbia për dallim prej shteteve tjera ballkanike që pretendojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian ka disa përparësi të cilat të tjerat nuk i kanë.
E para nëse pushtetarët e Beogradit marrin ndonjë vërejtje nga komisionarët e BE-së, nëse nuk marrin ndonjë ndihmë financiare apo kredi, nëse ju shtyhet ndonjë tjetër, nëse kritikohet ndonjë kontratë tregtare apo ju ndodhë diçka e ngjashme, ata këtë humbje pa mund të madh mund ta kompensojnë duke u kthyer kah Federata Ruse dhe atje për kompensim mund të ju vije një lëvdatë e mirë për qeverisjen, një ndihmë financiare, një kredi e mirë bile dhe një vizitë vëllazërore.
E dyta pushtetarët e Beogradit shumë vërejtje, pakënaqësi, kritika a refuzime të mundshme nga BE-ja mund ti amortizojnë me një logjikë aktive gjeopolitike, gjithsesi jo të re - nëse na refuzoni ju nga Brukseli, nëse bëheni jo sa duhet të mirëkuptueshëm me ne, nëse nuk na ndihmoni sa duhet, ju na shtrëngoni që të mbështetemi gjetiu, e ne kemi ku të mbështetemi, ne nuk jemi jetim, sikur dëgjohet tu thonë pushtetarët e Beogradit, administratorëve të Brukselit.
Kjo funksionon për aq sa është relevante ndihma ruse për Serbinë. Kjo funksionon për aq sa Brukseli nuk e dëshiron asnjë kthim përmbajtësor të Federatës Ruse në Ballkan, pra as në Serbi. Duket se deri më tani administratorët e Brukselit i kanë kuptuar mu kështu sinjalet kërcënuese të Beogradit dhe ato të Moskës.
Këtë luks jo vetëm politik, ekonomik dhe gjeostrategjik nuk e ka asnjë shtet tjetër i Ballkanit që pretendon të hyj në Bashkimin Evropian.
Kjo mundësi jo e zakonshme dualiste e bën Serbinë të jetë ekstra e relaksuar në rrugëtimin e saj drejtë BE-së, nganjëherë më pak të dëgjueshme e nganjëherë më shumë refuzuese karshi Brukselit, duke mos e penguar krejt kjo të përfitoj edhe nga Rusia edhe nga BE-ja.
A ka argumente për ta dëshmuar se kjo pozitë e Serbisë sikundër e përshkruam më sipër është e vërtetë dhe prodhon efekte të prekshme dhe se me këtë ajo po bëhet e përkëdhelura e Ballkanit, po përfiton jo ndershëm, e në anën tjetër po bëhet vend ku Rusia mund ti ankoroj interesat e veta në Ballkan, por që për këmbim nuk po distribuon paqe dhe stabilitet në rajon, përkundrazi?
Rusia në Ballkan blof apo alarm për botën demokratike
Federata ruse ka gaz me bollëk, vendeve të BE-së ju duhet shumë gazi, kurse Serbia është e preferuara e Rusisë për të qenë një nga akterët e rëndësishëm të kësaj lidhje.
Kjo pa dyshim po e nxjerr Serbinë si forcë rajonale energjetike. Kështu është duke u punuar me intensitet të lartë në projektin e njohur si Rrjedha Jugore e cila siguron edhe më shumë gaz rus për vendet e BE-së, gypat e të cilit projekt përsëri do të kalojnë nga Serbia (Rrjedha Jugore e Serbisë).
Kjo marrëveshje e re mes Gazpromit rus dhe Serbisë, kushton 2.1 miliardë euro e cila e faktorizon edhe më tej Serbinë.
Sikundër dihet, kohë më parë është ndërtuar Rrjedha Veriore e cila bart gazin nga Rusia në Gjermani e tutje në vene të BE-së e cila ka kushtuar 7.4 miliard euro, dhe është me gjatësi prej 1224 km, (rreth 400 km të saj kalojnë nëpër Serbi) me çrast dy krahina jugore gjermane kanë përfituar posaçërisht si dhe miliona familje të vendeve të BE-së gjithandej.
Por shqetësime për kontratën e re ruso-serbe Rrjedha Jugore ka ngritur sekretari i energjetikës në BE i cili ka kërkuar që Këshilli i BE-së, si organ tejet i rëndësishëm BE-së, ta marrë në shqyrtim ligjshmërinë e kësaj marrëveshje.
Sepse sipas dispozitave të BE-së një firmë nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe prodhuese edhe distributore e gazit natyror.
Por në anën tjetër shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov ditë më parë rikujtoj se Moska rregullisht merr garanci nga pushtetarët në Beograd se ata nuk do të lidhin kurrfarë marrëveshjesh me BE-n të cilat do ti dëmtonin marrëdhëniet Serbi - Rusi e që më së shumti kanë të bëjë me kërkesën e BE-së për heqjen e monopolit që Rusia e ka në tregun e gazit në Serbi. Por kjo nuk është e tëra.
Vizita e Putinit në Breograd dhe shtatë marrëveshjet, memorandumet e protokollet që janë nënshkruar, kanë të bëjnë edhe me çështje ushtarake, me kredi, dhe shkëmbime kuadrosh, etj. Përkundër të gjithave Serbia thotë se nuk e vë në dyshim rrugëtimin drejtë anëtarësimit në BE, por as raportin ekstra të mirë me Federatën Ruse, sado që tek qytetarët e Serbisë,, sipas sondazheve të fundit, disponimi për integrim të vendit të tyre në BE, ka ra nën 50 për qind.
Faktorizimi i ri për debalancet e reja
Analistë, pushtetarë e ushtarak perëndimor, janë të shqetësuar se ajo që po bën presidenti i Federatës Ruse, V.Putin kohëve të fundit në drejtim të pengimit të zgjerimit të NATO-s në njërën anë dhe zgjerimit të BE-së në tjetrën, ka fituar intenzitet të ri, por edhe karakteristika të reja që nuk i kishte më parë. Ukraina është ilustrim tipik për këtë qasje të re të Putinit.
Putini e përdorë gjithnjë e më shumë Serbinë edhe për ta përforcuar pretendimin e tij se ka shtete të cilat nuk e preferojnë NATO-n as BE-n dhe ato duhet ndihmuar në këtë rrugë të re.
Çfarë të keqe mund të ketë në gjithë këtë, a mund të ketë dikush ndonjë dëm nga krejt ky raport?
E keqja më e madhe e gjithë kësaj është se vendet e tjera të Ballkanait pretendente për në BE, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi nuk janë në pozitë të barabartë, tërthorazi janë në pozitë diskriminuese në krahasim me Serbinë.
Thënë ndryshe për aq sa Rusia ndihmon drejtëpërsëdrejti dhe shumë Serbinë, për aq këto vende ballkanike janë në pozitë jo të barabartë me Serbinë.
Apo thënë edhe pak më ndryshe, për aq sa BE-ja si rezultat i kësaj ndihme ruse Serbisë dhe interesave të mëdha jo vetëm financiare që ajo ka me Rusinë, bëhet me e mirëkuptueshme me Serbinë, për aq vendet e tjera të Ballkanit bien në pozitë jo të barabartë sidomos në rrugëtimin e tyre për në BE.
Ky është problem i ri dhe i ndieshëm jo vetëm gjeostrategjik në Ballkan i cili kërkon qasje të re, politika të reja, si nga BE-ja ashtu edhe nga SHBA-ja posaçërsisht nga kjo e dyta.
Konsideroj se qasja më pragmatike karshi këtij ndryshimi të ri jo kualitativ, është afrimi dhe integrimi më i ndieshëm jo vetëm ekonomik i katër vendeve të rajonit (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni,Malii Zi) me qëllim faktorizimi të tyre më të shpejt, për ti bërë ballë pozitës së re të Serbisë e cila, po e potencoj, vazhdon të mos jetë përquese e paqës dhe e stabilitetit në Ballkan. Si duhet të bëhet kjo?
Eh përgjigja në këtë pyetje është një temë komplekse për të cilën ballkanasit duhet të mendojnë mirë e mirë, shqiptarët me patjetër.