21 Prill 2025

Pa - pjekuria e Edi Ramës

Shkruar nga Faton Abdullahu

Unë jam nga ata që mendoj se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është pjekur politikisht në raport me Kosovën me vonesë.

Në të vërtetë e gjithë Shqipëria për shumë kohë ka vuajtur nga kjo papjekuri politike apo më saktë vetëdije nacionale e atrofizuar që gjithsesi në rend të parë lidhet me të kaluarën komuniste të këtij vendi e cila në përpjekje për ta ndërtuar njeriun e ri socialit, degradoj njeriun shqiptarë dhe trashëgiminë e tij jo vetëm nacionale e kulturore.

Me këtë degradim Shqipëria nuk mund të kishte as raport normal, as pragmatik e lëre më vëllazëror me Kosovën.

Për shkak të komunizmit shqiptarë, Shqipëria e dal nga kjo periudhë degjeneruese, në asnjë variant dhe asnjëherë nuk ishte në nivel të detyrave të cilat do t’ia parashtronte gjendja e para dhe sidomos gjatë luftës së fundit në Kosovë.

 Edi Rama dhe as spektri i tij i majtë të cilit i takon nuk mund të lavdërohen se në raport me Kosovën e kishin tejkaluar shpejtë këtë mendësi.

Shqipëria do të rilind përbrenda kufijve, do të rilind në aspektin liberal-demokratik, antikomunist, por deformimet e vrazhda në të kaluarën, do të marrin kohë që ajo të rilind edhe kombëtarisht në raport me Kosovën.

Por shumë gjëra kanë ndryshuar, ka ndryshuar edhe Edi Rama. Në këtë drejtim ai si duket ka ndryshuar më shumë se që është pritur, me çka ka befasuar për të mirë, sidomos kosovarët.

Ai me këto ndryshime duket se ka ‘hy në territorin e të djathtëve’ të cilët në këtë raport gjithsesi ishin më para se socialistët.

Edi Rama këtë ndryshim e shpreh sepse ai ndryshim vjen si thirrje nga brenda Shqipërisë, mbase me deklaratat e tij të fundit ai edhe e tejkalon këtë shtyte.

Për dallim prej një apo dy dekadave më parë tani kemi një kombëtare futbolli që me golat dhe suksesin jo vetëm që rrëqeth dhe ngrit në këmbë gjithë shqiptarët në Ballkan, por edhe i unifikon ata më shumë se shumë takime, konferenca e deklarata.

Kemi televizionet që kanë krijuar lidhje shumëdimensionale të paimagjinueshme deri dje, në raportin Kosovë – Shqipëri. Kemi turizëm ndër shqiptarë  pa të cilën s’mund të mendohet vera.

Bile kemi edhe përpjekje serioze që të ketë programe televizive humoristike, dedikuar për të dyja shtetet tona, çka mendoj se është arritja më e lartë e komunikimit të brendshëm kulturor, përkatësisht artistik të një kombi të ndarë për kohë të gjatë.

Është jashtë çdo dyshimi se kontribut të madh në davaritjen e atrofisë nacionale në Shqipëri, konkretisht të atij segmenti që ka të bëjë me afrim dhe integrim me Kosovën e kanë dhënë vetë kosovarët, herë me shfaqjen e pakënaqësisë së tyre, herë me reagimet e tyre ndaj Tiranës zyrtare apo edhe vetë Edi Ramës e shumë shpesh me patriotizmin pa hile, që asnjëherë nuk e ka përjashtuar dhe ndarë Shqipërinë nga Kosova.

Por a kanë të drejtë ata që dyshojnë se e gjithë kjo qasje dhe deklarata e fundit e Edi Ramës rreth bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është asgjë tjetër vetëm se bëhet për konsum të brendshëm, më konkretisht për konsum në Kosovë, apo edhe për diçka tjetër, sikundër u tha në një analizë nga “Stratford” ‘qeveria shqiptare po e përdorë idenë e bashkimit me Kosovën si presion ndaj BE-së për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit.

Dorën në zemër Edi Rama është nga të rrallët në Shqipëri i cili mund të akuzohet për sajesë të tillë.

Në të vërtetë ai një qasje pro bashkimit nuk e ka pasur asnjëherë në karrierën e tij politike dhe mospërfillja ndaj kësaj teme e ambalazhuar me një lloj kosmopolizmi ka qenë qasje e tij e vazhdueshme, por së paku ishte e sinqertë.

Megjithëkëtë reagimet e shumta që u bënë ndaj deklaratës së Kryeministrit shqiptarë Ramës, japin të kuptojmë një të vërtetë vështirë të mohueshme se ai, këtë qasje të tijën, apo thënë më saktë, këtë deklaratë nuk e kishte koordinuar me askënd tjetër.

Përndryshe e vështirë të kuptohet ndryshe se si të gjithë në një ose mënyrë tjetër nuk e aprovuan atë, përkundrazi.

E demantoj në rend të parë anëtari i qeverisë së tij, ministri Bushati, duke thënë se  ‘Edi Rama i ka dhënë besën ndërkombëtarëve se nuk do të ketë ndryshime kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë’.

Ministri i Punëve të jashtme i Kosovës Thaçi, gjatë vizitës së tij në Kroaci tha se kryeministri shqiptarë është keqinterpretuar.

Më pas nga Kosova edhe kryeministri Mustafa edhe Kryetarja Jahjaga deklaruan se bashkimi Kosovë Shqipëri do të bëhet në Bashkimin Evropian.

Kurse reagimet e BE-s dhe SHBA-s nuk ishin aspak pozitive, ndërkaq zemërimi i Serbisë ishte i papërmbajtur. Por mbase gjërat në politikë shkojnë më thellë se që ato servohen për opinionin e gjerë.

Për të mos hyrë dhe spekuluar në këtë pikë, mendoj se deklarata e kryeministrit Rama pati dhe do të ketë efekte pozitive edhe për Kosovën edhe për Shqipërinë.

Duke qenë një nga ata i cili mendon se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një proces të cilin ne nuk duhet ta ndalim dhe duhet ta realizojmë përbrenda koncepteve evro-atlantike, konsideroj se në rastin më të keq edhe sikur Edi Rama ta thoshte këtë deklaratë vetëm për konsum të brendshëm, sidomos në Kosovë, edhe sikur të mos e kishte aspak seriozisht, është më mirë që është thënë se sa për te të mos flitet asnjëherë dhe ajo të jetë për zyrtarët shqiptarë një tabu temë.

Dhe në fund konsideroj se Shqipëria dhe Kosova nuk mund të presin nga BE-ja që ajo të vije me propozime, koncepte e qasje se si duhet të bashkohen Kosova e Shqipëria. Ajo nuk është e dizajnuar për gjëra të tillë.

Me mijëra administrator në Bruksel nuk paguhen për bashkimin e dy shteteve të të njëjtit komb, por për bashkimin e shteteve (kombeve) të ndryshme evropiane në një tërësi, sikundër është BE-ja.

Prandaj zgjedhja se Kosova do të bashkohet me Shqipërinë në BE nuk është zgjidhje, as e drejtë, as pragmatike.

Ajo është më shumë prolongim i një çështje që pulson gjithnjë e më shumë aktive. Ne si Shqipëri dhe Kosovë nuk mund të presim që të bashkohemi në BE aq sa do të bashkohemi me Serbinë, Malin e Zi apo Bullgarinë.

Para dhe pas anëtarësimit në BE ne kemi shumë të drejtë që të bashkohemi larg më shumë se kaq, e pse jo edhe në mënyrën klasike.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)