(Pa) përgjegjësia e BQK-së me IBAN-in dhe SWIFT kodin
Shkruar nga Isa Mulaj
Dhjetë vite pas themelimit dhe konsolidimit të Bankë Qendrore të Kosovës (BQK), e cila fillimisht u themelua dhe funksiononte si Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës me një shkurtesë si BPK që nuk i përgjigjej emërtimit as në shqip, e as në anglisht (Banking and Payment Authority of Kosova), në Kosovë ende shfrytëzohet IBAN-i (International Bank Account Number Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare) dhe SWIFT (Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror) kodi i Serbisë.
Zyrtarë të BQK-së, si për shembull zëdhënësi i saj, Besnik Kada, e identifikojnë problemin ose mungesën e SWIFT kodit dhe IBAN-it të veçantë me Kombet e Bashkuara rreth statusit politik të Kosovës, dhe një ekspert bankar, Flamur Keqa, disponimin e tyre e sheh si njohje ndërkombëtare të shtetit të Kosovës edhe në aspektin e transaksioneve dhe shërbimeve financiare.
Këto deklarime ndoshta janë forma për ti bishtnuar papërgjegjësisë së institucioneve të Kosovës, më konkretisht BQK-së, që vazhdon të përdor SWIFT kodin e Serbisë.
Po të ktheheni prapa, hiç më larg se para shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, shumica e raporteve dhe analizave e identifikonin çështjen e statusit politik si një ndër pengesat kryesore për ekonominë e Kosovës, pra duket se disa ende po lozin me kartën e statusit politik edhe për çështjet që duken më shumë teknike dhe do të zgjidheshin me një përkushtim të vendosur.
Nëse ka qenë e pamundur të fitohet kodi i veçantë për Kosovën, atëherë Besnik (Tradhtar!) Kada dhe Flamur Keqa (Famuri i Keq!) kanë mundur të rekomandojnë shfrytëzimin e SWIFT kodit të Shqipërisë apo të ndonjë shteti tjetër me përjashtim të Serbisë.
Çështë e vërteta, arsyetimi që jepej më herët për përdorimin e SWIFT kodit të Serbisë, ishte se Kosova nuk është shtet i pavarur, prandaj nuk kishte të drejtë në kodin e saj. Përdorimi i SWIFT kodit të Serbisë e identifikon BQK-në si bankë serbe në të gjitha transferet dhe marrëveshjet e jashtme bankare.
Mungesa e këtij kodi i kushton Kosovës dhe i sjellë përfitime Serbisë në transaksione. SWIFT kodin bankar e kanë mijëra institucione të ndryshme financiare nëpër botë, ndërsa Kosova si shtet i pavarur nuk e ka një të vetin.
Qysh në vitin 2002 kur BQK kishte status më të ultë si BPK, punëtorët kishin paralajmëruar se do ta ndërprenë punën nëse UNMIK-u, që mbikëqyrte punën e BPK-së, nuk e anulon vendimin për SWIFT kodin e Serbisë dhe Malit ë Zi.
Por, tash kur UNMIK-u nuk ka kurrfarë kompetencash ekzekutive dhe administrative, Kosova është shtet i pranuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, dhe statusi i BPK-së është avancuar në BQK, atëherë përgjegjësinë duhet kërkuar vetëm tek institucionet e Kosovës dhe papërgjegjësinë e tyre, dhe askund tjetër.
Kjo është punë e lehtë që mund ta rregulloj BQK-ja në Organizatën Ndërkombëtare për Standarde ISO. Mirëpo, duket se jo kompetenca dhe neglizhenca e menaxhmentit të BQK-së është e atillë që në marrjen e SWIFT kodit për Kosovën më shumë mund të jenë njerëzit e zakonshëm jashtë saj se të punësuarit aty.
Atyre u intereson një rrogë aty, mundësisht sa më e madhe, sikurse edhe shumicës së zyrtarëve tjerë nëpër institucionet e Kosovës, dhe të mburren se i kanë zënë, që do të thotë okupuar, ato vende të punës, dhe ti tregojnë dikujt se kush janë dhe ku punojnë, por jo edhe çfarë përgjegjësish dhe kompetencash konkrete kanë.