23 Dhjetor 2024

Pa kushte mbesim të kushtëzuar

Shkruar nga Albin Kurti

Mos kushtëzimi ndaj Serbisë para dialogut me të, sigurisht se e ka inkurajuar dhe trimëruar Serbinë. Gjermanisë e cila ia ka vënë shtatë kushte Serbisë dhe ShBA-ve që ia kanë vënë katër kushte asaj, Serbia nuk do t\'ua nxirrte para syve një këso platforme në rast të dialogut me to.

Kosovës ia bën këtë gjë pikërisht pse Kosova fare nuk e ka kushtëzuar atë. Moskushtëzimin e Kosovës Serbia e merr si dobësi të Kosovës e cila mund të shfrytëzohet dhe duhet të shfrytëzohet.

Kosova ka pakrahasimisht më shumë arsye që t\'i vë kushte Serbisë sesa Gjermania e ShBA-të. P.sh. Serbia ua dogji ndërtesat e ambasadave në Beograd këtyre dy shteteve pasi që ato e njohën pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008, porse Kosovës Serbia ia dogji ose shkatërroi 119.855 shtëpi vetëm në luftën e fundit të viteve 1998-1999 sipas shënimeve të Këshillit të Evropës.

Dikush mund të thotë që kushte vendosin vetëm të fuqishmit dhe jo ata që kanë të drejtë. Jo, nuk është ashtu: kushte vendosin ata që janë seriozë. Dhe, kushtet e kushtëzimi, më parë sesa që e pasojnë fuqinë, i paraprijnë vetë fuqizimit. Kushte vendosin ata që duan të jenë të fuqishëm, qofshin ata që tashmë janë të fuqishëm dhe duan të mbesin të tillë, por edhe ata që duan të bëhen të fuqishëm.

Me këtë Qeveri, shteti i Kosovës nuk i përket asnjërit prej këtyre dy rasteve. Sepse, me këtë Qeveri bashkëpunimi me perëndimin nuk shihet si shans për t\'u forcuar vetë Kosova si shtet. Përkundrazi, dobësia e shtetit përdoret si arsyetim për servilitetin ndaj perëndimit me ç\'rast forcohen qeveritarët kurse shteti dobësohet edhe më tej.

Dialogu politik aktual me Serbinë, duke qenë dialog pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës, bën që varësia nga dialogu dhe varësia nga Serbia të jenë e njëjta gjë. Serbia, duke pranuar marrëveshjet e veçanta me Qeverinë e Kosovës por jo edhe tërësinë e atyre marrëveshjeve në formë paketash, siguron jetëgjatësinë e dialogut ndërkohë që në Kosovën josovrane e me Qeveri të korruptuar ato marrëveshje zbatohen njëanshëm.

 Kësisoj, Serbia përherë shtiret e pakënaqur ndërkaq Kosova përherë shtiret e kënaqur, duke sajuar një vorbull koncesionesh të cilit s\'ia shohim fundin teksa ia kemi harruar fillimin.

Nga 17 janari 2013 për kur është paralajmëruar takimi i katërt Thaçi-Daçiq, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të zëvendësohet me normalizimin e platformës së Serbisë. Heshtja e rëndë ndërkombëtare për këtë platformë, që nuk u trazua me ato reagime të pakta e të buta ndërkombëtare, është shenjë e së ardhmes që na pret.

Në dialogun politik në Bruksel, Thaçi nuk mund të pretendojë më se po e takon një Serbi që shikon kah e ardhmja ku vendet tona duken të integruara në BE. Tash e tutje, kundrejt Kosovës, Serbia është Serbi e platformës së saj për Kosovën.

Fundja, platformën e saj Serbia e lansoi \"duke shpresuar që një zgjidhje afatgjate dhe e qëndrueshme për Kosovën është e arritshme përmes dialogut të sinqertë mes dy palëve\". Pra, Serbia nuk i sheh si problem marrëdhëniet me Kosovën (që tash duhen normalizuar me këtë dialogun në Bruksel) por vetë Kosovën si të tillë. E, në fakt, është Kosova ajo që do të duhej ta konsideronte Serbinë si problem.

Le të mos harrojmë që ky dialog politik u përgatit nga ideja e zëvendës-kryeministrit Kuçi për Traktat të Paqes me Serbinë. Por, njësoj, le të mos harrojmë, që edhe ish kryeministri britanik Neville Chamberlain, atë që bëri me Hitlerin në vitin 1938 në Munih kur e ndanë Çekinë, e quajti Marrëveshje të Paqes.

Pavarësia e shpallur e Kosovës e cila së shpejti i mbush pesë vjet, po del të ketë qenë pavarësi pa aspektin e saj politik, ekonomik, demokratik, territorial dhe ushtarak. Ajo paska qenë njëfarë pavarësie veçse nominale karshi Serbisë dhe veçse administrative karshi UNMIK-ut dhe faktorëve ndërkombëtarë. Asgjë më shumë se kaq. E, për më pak se kaq, dera nuk është mbyllur ende.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)