22 Dhjetor 2024

"Oxhaqet" e (pa) tymosura rinore politike në Shqipëri

Shkruar nga Redan Bushati

I frymëzuar ndoshta edhe nga bloza, ndoshta edhe nga (pa)tymosja e saj, gjykova se së paku më takon që të flas për forumet rinore politike në Shqipëri. Kjo për arsye se kam qenë shumë pranë tyre, por edhe se kam aderuar dhe kam qenë ndër aktivistët kryesorë në drejtim të FRPD (Forumi Rinor i Partisë Demokratike) për Shkodrën.

Në përgjithësi, ne të rinjtë ndjejmë entuziasëm kur mblidhemi të gjithë bashkë, bisedojmë e festojmë, por edhe kur takojmë liderët apo deputetët e një partie. Disa më herët, por të frymëzuar nga një shok apo shoqe e ngushtë, disa të shtyrë nga radikalizmi i mendimeve të këputura në familje, disa të tërhequr zvarrë nga babai apo i afërmi që ndodhet në pushtet partiak, e disa të tjerë të ardhur më vonë por me pikësynime të qarta, kështu një ditë e shikuam të gjithë vehten të ishim pjesë e forumeve rinore politike.

Me pankarta në duar, me valëvitje flamujsh e banderolash, me duartrokitje shuplakash dhe brohoritje masive, gjithmonë të gjithë së bashku, fytyrat tona të qeshura rrezatonin një lumturi «fëminore», paçka se sfondi ynë i bukur përdorej mrekullisht mirë nga partia politike, për të cilën lumturoheshin zemrat tona!

Në Shqipëri që nga viti 90' e gjer më sot do të mbinin si kërpudhat mbas shiut, me dhjetëra partira që një Zot i madh e di se ç'na duhen dhe ç'hyjnë në punë. Gjithsesi, çdonjëra nga këto parti ka ngritur edhe forumin e vet politik, për të promovuar përmes të rinjve mbështetjen që këto të fundit kanë për subjektin e tyre.

Në vendin tonë, duke qenë se kemi dy parti kryesore rrjedhimisht kemi edhe dy forume rinore politike që dëgjohen ndonjëherë duke bërë ndonjë deklaratë, duke bërë ndonjë palë zgjedhje të brendshme etj. Këto janë FRPD (Forumi Rinor i Partisë Demokratike) dhe FRESSH (Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë). Po çfarë imazhit kanë këto dy forume kryesore politike në jetën e vendit? Çfarë vlerash kanë promovuar apo çfarë të mirash kanë transmetuar tek rinia shqiptare?

Në plot 20 vite demokraci, problemet e vendit tonë janë të shumta. Korrupsioni vazhdon të jetë një epidemi, e cila në çdo fushatë politike përdoret nga partitë tona duke dhënë secila mesazhin e një lufte të pamëshirshme ndaj saj, duke treguar se kanë gjetur diagnozën e tani janë në kërkim të ilaçit-shërues! Ky korrupsion ka prekur administratën, universitetet, konkurset në punë e shkolla etj.

Sot, Shqipëria ka mbi 120 mijë studentë. Nga një sondazh i realizuar nga KKS (Këshilli Kombëtar Studentor) do të rezultonte se 2/3 e studentëve kanë dhënë rryshfet, me një llogaritje të thjeshtë i bie që 80 mijë studentë kanë bërë dallavere. Po sa janë ato të rinj në vendin tonë, ku përmes allishverisheve abuzive hyjnë në punë?!

Sa të rinj shqiptarë diplomohen edhe pa qenë asnjë ditë të pranishëm nëpër auditore? Sa prej tyre shërbejnë si sekser-spiunë të pedagogëve? Fundja, nuk është detyrë e përfaqësive të forumeve rinore të vendit tonë që të flasin edhe për këto probleme që kanë bashkëmoshatarët e tyre?! Duke heshtur nuk zgjidhim gjë, veçse vajisim motorët e korrupsionit drejt përkeqësimit social të shoqërisë sonë.

Problemet e vendit tonë janë të shumta. Sigurisht, korrupsioni mbetet kryesorë dhe një gangrenë e shoqërisë sonë. Ai po gllabëron çdo ditë e po vërsulet si mortajë në çdo qelizë të shoqërisë, duke zhvilluar tek individi-njeri (shqiptarë/e): servilizmin, makutërinë, matrapazllëkun, hajdutllëkun e poshtërsinë, legenllëkun dhe në përgjithësi, pisllëkun social.

Të gjitha këto përbëjnë një sistem antivlerash, e për një gjë të tillë forumet rinore politike duhet të ngrihen, duke dhënë modele të reja, të cilat në thelb mbajnë vlera. Këto të rinj duke promovuar këto vlera arrijnë të dezinfektojnë disa probleme sociale, por edhe japin sinjale të qarta për politikën e vjetër shqiptare.

Kjo është një mënyrë që nga skena politike shqiptare, këto të rinj të largojnë frymën antidemokratike dhe autoritariste, duke i dhënë «fshesën» politikanëve, të cilët nuk i shërbejnë interesave të vendit, por me çdo mënyrë pasurojnë vehten e tyre dhe luajnë rolin e klaneve të huaja të cilave u shërbejnë (psh. regjistrimi i popullsisë i diktuar nga klanet greke).

Sa kohë që në forumet politike do të kemi të rinj të paarsimuar dhe larg perspektivës, të paguximshëm dhe shpirtligë, katran e symbyllur apo të komanduar nga direktivat partiake do jetë shumë e vështirë që të japim një model ndryshe, modelin e rinisë europiane.

Për sa kohë që rinia do përdoret veç në kohë fushatash për sfondin partiak dhe për brohoritje e valëvitje flamujsh, që nesër pasi të mbarojnë shkollën e lartë me ndihmën e «partisë-mëmë» do futet po nga kjo në punë (administratë), shoqëria shqiptare do mbesin në vend-numëro, në mos të bëjë hapa prapa.

Hidhni një sy nga të rinjtë që punojnë në administratë! Ju lutem mos bëni më hipokritin dhe të paditurin, pasi edhe padituria nuk është argument.

Pjesa më e madhe e këtyre të rinjve ndodhen në punë se kanë qenë pjesë aktive e forumeve rinore, nuk kanë kundërshtuar për asgjë edhe nëse kanë qenë të bindur se diçka nuk shkon apo ka qenë gabim, kanë qenë të pranishëm sa herë ka pasur aktivitete subjekti i tyre politik, kanë grumbulluar njerëz për mitingje, kanë valëvitur flamurin partiak apo kanë ndonjë foto me liderin e asaj partie politike, e kur shkojnë aplikojnë për punë nxjerrin së pari foton e pastaj (ndoshta) edhe diplomën. Kjo është një gjendje e pajustifikueshme dhe mjerane, andaj duhet veprim rinor europian.

Si përfundim, çdo vend ka nevojë për politikën e politikanët dhe për të rinjtë që i mbështesin ato. Kjo është krejt normale. Por, duhet që rinia jonë të vetëdijësohet që «jetën mos ta kthejë në karrige» e «karrigen në motiv jetese!».

«Oxhaku» duhet të tymoset, e pse jo edhe të kapet flakë, nëse ajo flakë largon të keqen dhe «mizat» e vjetra të politikës shqiptare dhe sjell një frymë të re, ku mbizotëron demokracia për fjalën e lirë, dashuria për të vërtetën, konkurrenca e ndershme dhe privilegji për të qenë pjesë e forumeve rinore politike, ku zgjedhjet nuk realizohen më nga diktimet e politikanëve në qendër, por bëhen nga të rinjtë nën dëshirën dhe sovranitetin e tyre.

Rinia jonë ka forcë, por duhet vullnet për ta demonstruar atë! Sot, ajo është kokëkulur, por duhet guxim shembullor për të arritur tymosjen e «oxhakut» dhe mbizotërimin e vlerave humane.

(Autori eshte Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës, K.S.U.SH)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)