Osman Osmani zgjidhet në Drejtori të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës
Shkruar nga Hilmi Gashi
Në kuvendin e përgjithshëm të socialdemokratëve migrantë të Zvicrës, të mbajtur në Bernë në mesin e muajit shkurt u bënë edhe zgjedhjet për Delegatë në organet më të larta të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.
Padyshim se lajmi më i mirë këtë ditë ishte zgjedhja e Osman Osmanit në Drejtorinë e Partisë Socialdemokrate, ku ai së bashku me Françoise Bassand, do ti përfaqësoj interesat e migrantëve në strukturën udhëheqëse të partisë. Konkurrenca për këtë vend me rëndësi ishte e konsiderueshme.
Delegatët ia dhanë besimin Osman Osmanit në raundin e parë të zgjedhjeve dhe kjo flet shumë për punën, angazhimin dhe profilin politik të tij. Në mesin e të zgjedhurve në organet e ndryshme partiake janë edhe shumë shqiptarë, të cilët fituan besimin e delegatëve për ti prezantuar Migrantët në organet e larta të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.
Ervin Sheu nga Kantoni Vaud dhe Urim Deva dhe Kosta Papa, të dy pa pasaportë zvicërane- nga Kantoni i Bazelit u zgjodhën delegatë për Kongresin e PS. Florim Kadriu nga Kantoni i Aargaut do ti përfaqësoj interesat e migrantëve në Kuvendin e delegatëve.
Fuqizimi i migrantëve brenda dhe jashtë Partisë Socialdemokrate
Për shkak të angazhimit të saj social dhe qëndrimit progresiv në temat shoqërore dhe për të drejtat e të huajve, Partia Socialdemokrate (PS) ka një imazh të mirë dhe për këte arsye edhe shumë simaptizues dhe anëtarë nga radhët e migrantëve në Zvicër.
Përkundër numrit të madh të anëtarëve, përfaqësimi i migrantëve në strukturat dhe organet e Partisë ka qenë i pamjaftueshëm. Me projektin e nisur në vitin 2012 për formimin e grupit të migrantëve socialdemokrat SP-MigrantInnen/ PS Migrant-e-s është ndërmarr një hap i rëndësishëm në fuqizimin e migrantëve brenda Partisë dhe në nxitjen e bashkëpunimit me strukturat ekzistuese në Parti.
Themelimit të kësaj strukture i ka parapri puna mbi njëvjeçare në pilot-projektin e iniciuar dhe udhëhequr nga deputeti i parë me prejardhje shqiptare në Zvicër në parlamentin e Kantonit Schaffhausen, Osman Osmani. Sipas tij ai ka gëzuar edhe mbështetjen e fortë nga Peter Hug, sekretar për marrëdhënie ndërkombëtare i PS.
Njohja e kësaj strukture u bë në dhjetor të vitit 2016 në Kongresi i PS. Me këtë edhe është hapur udha për përfaqësimin e kësaj strukture në organet strategjike dhe ekzekutive të Partisë Socialdemokrate.
Të flasësh aty, ku sillen vendimet e rëndësishme
Drejtoria e partisë, e përbërë prej 24 përfaqësuesve të kryesisë, grupeve statutore dhe atyre të interesit është organ qeverisës. Drejtoria udhëheqëse takohet një herë në muaj dhe trajton temat aktuale politike dhe merr qëndrime për to. Pra ka një rol shumë të madh në sjelljen e vendimeve konkrete politike.
Të flasësh aty, ku sillen vendime të rëndësishme është përgjegjësi dhe obligim dhe në të njëjtën kohë edhe fuqizim i migrantëve, është i bindur Osmani. Një prej sfidave të tij dhe koleges së Osmanit, Françoise Bassand pa dyshim është futja e politikanëve me sfond të migracionit nëpër lista zgjedhore për parlament dhe poste qeverisëse. Shpresat më të mëdha nga komuniteti shqiptar Osmani i ka te Arbër Bullakaj, deputet në qytetin e Wil të Sankt Gallenit.
Arbër Bullakaj në zgjedhjet e fundit nacionale ka arritur rezultatin më të mirë nga të gjithë kandidatët shqiptarë, jo vetëm në listë të PS por në përgjithësi. Përveç punës si biznesmen i pavarur, Arbër Bullakaj është zëvendëskryetar i Partisë Socialdemokrate tё Kantonit St. Gallen dhe gjithashtu edhe iniciuesi dhe themeluesi i seksionit të socialdemokratëve migrantë për Kantonin St. Gallen.
Marrje përgjegjësie dhe përfaqësim interesash
Edhe migrantët duhet të marrin pjesën e përgjegjësisë që u takon mbi vete dhe ta japin kontributin e tyre politik, është i bindur Osman Osmani. Sipas tij, popullata e ardhur në Zvicër është në një gjendje specifike, me preokupime dhe nevoja të veçanta. Migrantët duhet të angazhohen vetë më fuqishëm për çështjet që u përkasin atyre, thotë ai.
Formimi i strukturës së migrantëve brenda Partisë socialdemokrate ka lindur edhe nga përvoja e fituar në strukturat e partisë, sidomos nga përfaqësimi i fortë i grupeve të interesit të grave, të rinjve dhe pensionistëve në Parti. Osman Osmani kurrë nuk pushon duke thënë, se nëse ne preokupimet dhe nevojat e veçanta të migrantëve duam ti marrim seriozisht dhe të punojmë politikisht, na nevojiten struktura analoge sikur tek të rinjtë, gratë dhe pensionistët. Pesha politike e grupit nuk varet vetëm nga idetë dhe projektet konkrete, por edhe nga numri i njerëzve të organizuar dhe aktiv në politikë dhe në zhvillimin e demokracisë brenda partisë dhe në shoqëri. Andaj, sipas Osmanit, hapat ardhshëm do të jetë informimi i drejtë i migrantëve mbi mundësitë të cilat i kanë ata në proceset vendimprurës në të gjitha nivelet.
Ne do tu japim kurajë atyre dhe do ti përgatisim të angazhohen në organizata dhe shoqata jashtë Partisë, qoftë kjo në shoqatë lagjeje apo ndonjë trup këshillëdhënës, për të cilat nuk ka nevojë të posedohet e drejta e votës.
Urë lidhëse me partitë e vendeve të prejardhjes
Një synim tjetër me rëndësi i këtij angazhimi është edhe luajtja e rolit të një ure lidhëse mes Zvicrës dhe vendeve të prejardhjes së migrantëve mes bashkëpunimit me partitë simotra nga vendet e prejardhjes së migrantëve. Unë konsideroj të rëndësishme mundësimin e transferimin dhe shkëmbimit të njohurive mes vendin amë të shumë migrantëve të këtushëm dhe të Zvicrës. Ne kemi mësuar aq shumë gjëra për institucionet demokratike, gjë që duam ta ndërmjetësojmë më tej. Dhe unë jam i bindur se ka gjëra, të cilat zviceranët mund ti mësojnë nga njerëzit e vendeve tjera.
Procesi i të mësuarit është atëherë i mirë, kur është i ndërsjellët dhe kur mundësohet shkëmbimi i gjallë mes të gjithë të përfshirëve në proces shprehet optimist Osman Osmani. Elani dhe qëndrimi i tij parimor dhe së fundi edhe zgjedhja e tij në Organin më të lartë të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës i jep të drejtë.
/Autori është Koordinator i Komitetit mbipartiak shqiptaro-zviceranë/