26 Dhjetor 2024

Organizatat e studentëve duket qartë se janë të manipuluara

Fjalimi Lirije Kajtazi në kuvend

Universiteti i Prishtinës përgjatë dekadave ka qenë institucioni më i rëndësishëm i arsimit të lartë në Kosovë dhe burimi kryesor i dijeve në vendin tonë.

Si institucioni i parë dhe më i madh i arsimit të lartë në vend, UP-ja është prijëse në fushën e arsimit dhe të dijes, vend nga kanë dalë njerëzit e dijes së Kosovës dhe drejtuesit e fateve të vendit tonë.

Tradita e punës së UP-së është e lidhur me zhvillimet e reja sociale dhe politike në Kosovë, madje në një pjesë të mirë të tyre UP-ja e ka dhënë vulën.

Por, gjatë viteve të fundit UP-ja po kalon nëpër vështirësi të shumta të natyrës akademike, financiare, por në radhë të parë për shkak të ndërhyrjeve dhe të politizimit të skajshëm. Këto janë shoqëruar me veprime dhe pasoja të shumta.

Gjatë viteve të fundit është parë tendenca e qartë e Qeverisë për ruajtjen e qetësisë sociale përmes regjistrimit masiv në universitete, gjë që po shkakton dhe do të  shkaktojë dëme afatgjata.

Numri i madh i studentëve e bën të pamundur punën cilësore, si dhe pas disa viteve i hodhën ata në tregun e punës me diploma, por pa mundësi punësimi. Qeveria duhet që politikat e  arsimit ti formulojë bashkë me ato të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit.

Po ashtu, duhet të theksojmë se, rritja enorme e numrit të studentëve është bërë pa asnjë rritje të buxhetit për UP-në dhe për arsimin në tërësi.

Ky shtim i përnjëhershëm dhe mekanik është shumë më i lartë se sa qëe që e përballojnë kapaciteteve fizike, akademike dhe financiare të UP-së.

Regjistrimi gjatë viteve të fundit është shoqëruar me tejkalim të kuotave dhe dhe me regjistrime të paligjshme, si është dëshmuar me rastin Fakultetit të Mjekësisë.

Si ka dalë në shesh kohën e fundit, në UP ka pasur gradime në kundërshtim me procedurat të pamerituara, prandaj është e domosdoshme që të rishikohet Statuti i UP-së dhe në veçanti procedurat dhe kriteret e gradimit.

UP-së i mungojnë mjete financiare dhe të tjera për kërkime shkencore, madje mungojnë edhe revistat shkencore, të cilat do duhej të ishin dritarja e parë shkencore e këtij institucioni.

Këto dhe shkaqe të tjera kanë bërë që UP-ja të rangohet tepër ulët në ranglistën e universiteteve botërore, madje UP-ja ka humbur pozicione vit pas viti. Vetëm nga viti 2012 te viti 2013 UP-ja ka rënë me më shumë se 1000 vende.   

Edhe organizatat e studentëve duket qartë se janë të manipuluara politikisht dhe se nuk po arrijnë ta përfaqësojnë dhe ta mbrojnë interesin e studentëve të UP-së.
2.
Pasi ka ndjekur me kujdes zhvillimet në Universitetin e Prishtinës, me theks të veçantë ngjarjet e fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës, nëpërmjet Grupit parlamentar, ka kërkuar këtë debat në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se ngjarjet e fundit e kanë dëmtuar shumë imazhin e universitetit më të madh dhe më të njohur në vend dhe se ato janë pasojë e ndërhyrjeve sistematike të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Qeverisë në UP.

Nga ndërhyrjet politike dhe të kundërligjshme është dëmtuar cilësia, janë krijuar grupe joformale interesi, të cilat nuk mund t’i sjellin asnjë të mirë UP-së.

LDK-ja, me qëllimin më të mirë dhe duke pasur parasysh rëndësinë që ka universiteti më i madh publik në vend, në shumë raste ka dhënë vërejtjet e veta, sugjerimet dhe ka propozuar zgjidhje, por Qeveria nuk ka treguar vullnet që të hapë rrugë për punë normale në UP.

Po me qëllimin që ta ndihmojë UP-në, LDK-ja ka vendosur që përmes Grupit parlamentar të kërkojë  këtë debat parlamentar, në të cilin LDK-ja do bëjë vlerësimet dhe do të japë rekomandimet e veta lidhur me të gjitha zhvillimet.

3.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se Universiteti i Prishtinës prej shumë kohësh përballet me probleme të shumta, të cilat vijnë nga ndërhyrjet politike të vazhdueshme, që kanë rezultuar me keqmenaxhim, shkelje sistematike të ligjeve, rënie të cilësisë dhe me krijimin e grupe joformale të interesit.

Për shkak të politizimit të skajshëm, Universiteti i Prishtinës ka shënuar progres fare të vogël dhe tepër të pamjaftueshëm për një institucion i cili synon të bëhet pjesë e Arenës Evropiane të Arsimit të Lartë.

Po ashtu, politikat e propozuara për Universitetin e Prishtinës janë shoqëruar nga mungesa e një vizioni të qartë. Kjo ka bërë që pasojat të bijën drejtpërdrejt mbi breza të tërë studentësh.

Kjo gjendje në Universitetin e Prishtinës kohëve të fundit shënoi shkallë të re degradimi dhe u shoqërua me skandale të papranueshme, të cilat e dëmtuan rëndë imazhin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm të arsimit të lartë.

Cilësia në arsimin e lartë është rrezikuar më tej me vendimet politike dhe me funksion elektoral për hapje të universiteteve të reja publike pa një studim paraprak të nevojave, programeve dhe të kuadrit.

Universiteti, si institucioni më i lartë i dijes, do të duhej të ishte i aftë të reformohej vetë, të prodhonte dije e vizion jo vetëm për veten, por edhe për mbarë shoqërinë, përfshirë këtu edhe politikën. Por, fakti që Universiteti i Prishtinës është peng i ndërhyrjeve të Qeverisë politikës ia bën të pamundur atij që të reformohet në mënyrë substanciale, të menaxhohet si duhet dhe të rrisë cilësinë.
4.
Lidhja Demokratike e Kosovës edhe një herë bën thirrje që këto zhvillime të mos përdoren nga subjektet politike, meqë duke ndërhyrë politikisht, subjektet politike nuk e ndihmojnë depolitizimin e UP-së. Çështjet duhet të diskutohen në institucionet e vendit, siç është Kuvendi i Kosovës.

Lidhja Demokratike Kosovës konsideron se fajtore për politizimin e skajshëm të UP-së përgjegjëse kryesore janë Qeveria dhe MASHT-ti.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se politika dhe paligjshmëritë do të largohen nga UP-ja, nëse përgjegjësitë kërkohen sipas radhës, në UP, MASHT dhe në Qeveri.
5.
Në këtë situatë dhe me qëllim që të ndihmojë në mënyrë vendimtare, Lidhja Demokratike e Kosovës rekomandon:

Në këtë situatë dhe me qëllim që të ndihmojë në mënyrë vendimtare, Lidhja Demokratike e Kosovës rekomandon:

1.    Rektori dhe Këshilli Drejtues i UP-së ka humbur kredibilitetin për të udhëhequr me UP-në. Prandaj Rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, z. Ibrahim Gashi dhe anëtarët e Këshillit Drejtues duhet të japin dorëheqje dhe t’i shërbejnë procesit të normalizimit në Universitetin e Prishtinës.

2.    Të vlerësohet përgjegjësia e ministrit dhe MASHT për mospërcjelljen me kohë të trendëve në UP-së dhe mos marrjen e masave ligjore në kohe të duhur.


3.    Qeveria të heqë dorë nga kontrolli i paligjshëm që ka vënë mbi Universitetin e Prishtinës dhe nga përdorimi i tij si vend akomodimi për militantët e saj politikë, si dhe të respektohet autonomia e plotë e Universitetit. Kësaj do t’i ndihmonin ndryshimet e domosdoshme në Statutin e UP-së dhe Ligjin e Arsimit të lartë që anëtarët e këshillit drejtues të UP-së të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës si themelues  i UP-së e jo nga ministri;

4.    Organet kompetente, duke përfshirë edhe prokurorinë, të kërkojnë përgjegjësi dhe t’i vënë para drejtësisë pjesëmarrësit në veprimet e kundërligjshme të UP-së.

5.     Të respektohet Statuti i UP-së për zgjedhjen dhe gradimin e stafit akademik dhe të revokohen zgjedhjet dhe gradimet e pamerituara dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

6.    MASHT-i së bashku me UP-në t’i përcaktojnë politikat e regjistrimit në përputhje me kapacitetet akademike, fizike dhe financiare të UP-së dhe të harmonizuara me kërkesat e tregut të punës .

7. Të mos nëpërkëmben profesorët dhe shkencëtarët që janë pjesë e Universitetit të Prishtinës të cilët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punë akademike të mirëfilltë shkencore. Të gjithë akterët  e përfshirë në këtë proces duhet të angazhohen të ruajnë kredibilitetin dhe integritetin e mësimdhënësve në UP.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)