Organ drejtues i Universitetit apo organ që merr dhe zbaton porosi
Shkruar nga Xhevat Bislimi
Tre muaj pas zbulimit dhe publikimit të skandalit të rektorit me punimet e tij shkencore edhe Këshilli Drejtues i Universitetit Hasan Prishtina u deklarua dje përmes një komunikate i shqetësuar me gjendjen në këtë Universitet dhe rreth tij!
Përshkallëzimi i protestës (jo)studentore, debatet në Kuvendin e Kosovës, reagimet e partive politike, të shoqërisë civile dhe të medieve e zgjuan nga gjumi edhe Këshillin Drejtues, i cili u deklarua i befasuar nga këto reagime, nga protestat dhe nga ky debat që po gëlon në Kosovë për Universitetin!
Madje, në komunikatën e tij Këshilli Drejtues edhe u ankua se po pengohet ta kryej punën e tij që do ta fillonte nga rektori! Vërtet non sens i madh!
E para, ku ishte ky Këshill Drejtues tash e tre muaj që nuk e kreu punën e tij me rektorin dhe me ata të tjerët që janë përfolur për plagjiat, falsifikim, mashtrim e korrupcion?! Apo duheshin protestatë e Ilir Dedës e të Veton Surroit për ta zgjuar nga gjumi?!
E, dyta, a mund të besoj dikush se një komision i formuar nga Senati i UP-së mund ta hetojë ose vlerësojë me paanësi punën shkencore të I. Gashit, rektorit, i cili është edhe shef i Senatit?! Pastaj, si mund ti besohet vlerësimit të komisionit apo senatit që e ka graduar-avancuar rektorin dhe shumë të tjerë?!
Prandaj, ky institucion i arsimit të lartë dhe më i larti e më i rëndësishmi në vendin tonë mund të bëhet i besueshëm vetëm nëse rektori jep dorëheqje ose shkarkohet nga KD, nëse edhe ky organ nuk është peng i politikave të larta formale e joformale!
Studentët, po të mos ishin kaq të ndikuar, sa po duken cdo ditë e më shumë, do të kërkonin, përvec dorëheqjes së rektorit, edhe dorëheqjen e Senatit, i cili është organi që e ka graduar në kundërshtim me ligjin dhe statutin e UP-së rektorin dhe shumë professor të tjerë.
Protestatë që po vazhdojnë kanë tërhequr edhe disa personalitete dhe figura që përmes kësaj pakënaqësie të drejtë të disa studentëve po përpiqen të gradohen dhe promovohen si heronj të vonuar! Megjithatë, i lus edhe ata që po e mbajnë peng rektorin që ta lejojnë të dorëhiqet ose ta shkarkojnë menjëherë.
Ky është interes edhe i rektorit, edhe i UP-së, edhe i Republikës. Gjendja është pasojë e politikave jo të mira të Qeverisë për arsimin e lartë dhe për arsimin përgjithësisht. Edhe menagjimi i situatës së krijuar në UP nga Qeveria dëshmon më së miri për paaftësinë e saj.
E tha dikush se në Republikën e Kosovës ka shkelje tjera shumë më të rënda, ka politikanë, qeveritarë e grupe të ndryshme që i kanë shkaktuar këtij vendi dëme të mëdha ekonomike, politike e kombëtare.
Dhe kjo është shumë e vërtetë. Por, kjo nuk do të thotë që nëse në segmente të caktuara të jetës sonë janë bërë dëme vërtetë të mëdha, që shpeshherë cenojnë rëndë edhe të ardhmen e këtij vendi, duhet të heshtet dhe të mbyllen sytë për skandalet në UP ose diku tjetër! Në asnjë mënyrë.
Një profesor që gradohet-avancohet me mashtrime nuk mund të jetë ligjërues në fakultet! Në universitetet e botës së qytetëruar nëse një student kapet duke kopjuar gjatë provimit përjashtohet nga Universiteti për pesë vjet.
Ndërsa te ne kapet, sipas asaj që është publikuar, rektori e kapet profesori në plagjiat ose duke u graduar me mashtrim dhe nuk jep dorëheqje ose nuk shkarkohet!!
Gjendja edhe më e keqe është në atë që vazhdon të quhet Akademi e Shkencave dhe e arteve, e cila nuk është kurrgjë më shumë se një klub i pensionistëve dhe politikanëve të LDK-së, sot, ndërsa dje ishte një segment logjistik i LKJ-së dhe jugosllavizmit!
Me këtë nuk dua në asnjë mënyrë të mohoj (as nuk mundem
) kontributin e akademikëve të caktuar në fushën e shkencës dhe në atë të kombit për të cilët duhet të ketë dhe ka respekt cdo shqiptar.
Mirëpo, për dallim prej UP-së, Akademia nuk është e lidhur dhe as e varur nga studentët, prandaj edhe nuk ndjehen dhe nuk trazohen! Nëse dikush e përmend cështjen e kësaj Akademie partiake ngrihet e gjithë LDK-ja (si dikur LKJ-ja
) dhe e bënë namin për ta mbrojtur dhe ruajtur statusin e saj partiak-ldkist!
E rikujtova ktë gjendje, sepse vendi ynë po hynë në një gjendje me rreziqe të paparashikuara nga qytetari dhe student i zakonshëm (i pa informuar
).
Po shpalosen pak e nga pak projekte destabilizuese dhe kërcënuese për sigurinë, lirinë dhe stabilitetin e Republikës sonë të brishtë. Lojëra të rrezikshme po përgatiten në kurriz të këtij vendi.
Qytetarët tanë (edhe studentët
) të bombarduar nga mediet (shpesh të papërgjegjshme ose të sponzorizuara
) dhe nga agjitacioni e propaganda e organizuar dhe e drejtuar mirë nga shërbimet që nuk ia duan të mirën këtij vendi dhe nga shërbime tepër armiqësore mund të përfshihen në veprimtari dhe lëvizje të dëmshme për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar.
Zakonisht studentët dhe të rinjtë tërhiqen lehtë nga idetë e mëdha, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të matemi shumë, të bëhemi sy e vesh dhe të kuptojmë më mirë detyratë dhe nevojat e këtij vendi.
Kësaj situate po i shkojnë për lale edhe politikat e dobëta dhe korruptive të institucioneve tona. Mirëpo, cdo shqiptar që nuk ka interesa të ndryshme nga ky vend dhe nga kombi shqiptar duhet ta kuptoj se nuk ka detyrë më të shenjtë dhe më urgjente se ruajtja e kësaj fitoreje të brishtë në Kosovë, konsolidimi dhe fuqizimi i mëtejmë i saj me synimin mbarëkombëtar për një shtet dhe një Shqipëri të vetme për shqiptarët në Iliri.
Por, duhet ta dimë dhe ta kemi grurë në hambar (sipas meje
) që ky objektiv madhor kombëtar nuk mund të arrihet me një shtet të dobët të Kosovës, i cili tashmë është hallka e dytë e rëndësishme e zingjirit kombëtar. Hapja e fronteve të brendshme, sic po vrehen tendencat e sotme, nuk e ndihmon ecjen dhe fuqizimin e kombit shqiptar në Iliri.
Projekti i disa vendeve të huaja (në bashkëpunim me disa qarqe politike e jopolitike shqiptare) për ta mbajtur në gjunj dhe të dobësuar Republikën e Kosovës tashmë është i lexueshëm për cdo shqiptar që i di 36 shkronjatë e alfabetit tonë.
Forcat atdhedashëse dhe cdo shqiptar në Kosovë dhe jashtë saj (në marrëveshje dhe bashkëpunim të ngushtë me Tiranën zyrtare
) duhet të jenë bashkë për të mirën e Republikës së Kosovës dhe të kombit shqiptar në Iliri (Ballkan).
Të mos e harrojmë kurrë fjalën e urtë të popullit tonë dhe porosinë që delë prej saj se është më lehtë me fitu dicka se me e mbajtë